Dhunuan gazetarin e "Piranjave", klubi i Flamurtarit të Sinan Idrizit, habit me reagimin: Kishin armë të sofistikuara!

14 Shtator 2025, 17:02 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dhunuan gazetarin e "Piranjave", klubi i Flamurtarit të Sinan

Klubi i Flamurtarit ka reaguar ashpër pas videos që qarkulloi në media, ku shihet se presidenti Sinan Idrizi ka ushtruar dhunë ndaj një gazetari Edon Kuqi.

Por ajo që të habit është fakti se klubi pretendon se gazetarët e "Piranjave", konsiderohen si një grup i pajisur me armë të sofistikuara, i cili rrezikoi jetën e presidentit! 

"Një grup i paidentifikuar personash ndërhyri në mënyrë të paligjshme, duke penguar administratorin e klubit tonë të kryente funksionet e tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën një përpjekje të qartë për të denigruar e penguar aktivitetin sportiv të Flamurtarit”, thuhet në reagimin e  klubit.

Sipas Flamurtarit, pjesëtarë të këtij grupi, të kamufluar si gazetarë, dyshohet se kanë qenë të pajisur me armë të sofistikuara, duke e bërë edhe më të rrezikshme situatën e krijuar në “Air Albania”.

“Dyshimet tona janë serioze se anëtarë të këtij grupi, të kamufluar si gazetarë, kanë qenë të pajisur edhe me armë të sofistikuara, çka e bën edhe më të rëndë ngjarjen dhe rrezikun e krijuar për sigurinë e pjesëmarrësve”, thekson klubi kuqezi.

Vlonjatët falënderuan drejtuesit e Tiranës për ndërhyrjen e shpejtë dhe paralajmëruan se do të ndjekin deri në fund rrugën ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

"Sporti shqiptar nuk mund të bëhet peng i dhunës dhe tentativave për intimidim. Flamurtari nuk do të lejojë askënd të përdorë shpifje dhe sulme të orkestruara për të dëmtuar klubin tonë”, përfundon reagimi.

 

 

Po ndodh...

ide