Foshnja e porsalindur humbi jetën në maternitetin "Koço Gliozheni", prokuroria merr të pandehur 2 mjekë gjinekologë! Akuza për neglizhencë

17 Tetor 2025, 09:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Foshnja e porsalindur humbi jetën në maternitetin "Koço

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë pasi akuzohet se kanë kryer veprime të pakujdesshme që i kanë marrë jetën së sapolindurës.

"Prokuroria e Tiranës merr të pandehur 2 mjekë gjinekologë për ‘Neglizhëncë në trajtimin mjekësor’, mosveprimi në kohë çoi në humbjen e jetës së të sapolindurës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe merr të pandehur dy mjekë gjinekologë të Maternitetit ‘Koço Gliozheni’, shtetasit E.V. dhe A.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të realizuar mbi procedimin penal nr.6713, të regjistruar pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z. pasi humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes, dhe nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.

Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.

Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur", thuhet në njoftim.



Po ndodh...

ide