“Fut më pak kokainë në çanta se u mpinë punëtorët”/ Zbardhen bisedat mes Dizdarit dhe Aliut!

22 Qershor 2026, 18:09 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Fut më pak kokainë në çanta se u mpinë

Detaje të reja janë zbuluar rreth rrjetit të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i cili sipas SPAK ka lëvizur dhjetëra ton lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Përmes komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC në qendër të bisedave qëndrojnë Eldi Dizdari dhe Salvatore Aliu, ku diskutohen sasitë e mëdha të kokainës, rrugët e transportit dhe mënyrat e fshehjes së ngarkesave në kontenierë.

Sipas dosjes hetimore, për Dizdarin transportimi i ngarkesave që arrinin deri në 10 ton kokainë nuk përbënte problem, pasi ai pretendonte se kishte të garantuar rrugën e kalimit dhe tregun e shitjes.

Megjithatë, shqetësimi i tij nuk ishte sasia e drogës, por pesha e çantave që përdornin transportuesit. Në një prej bisedave ai i kërkon Aliut që ato të mos kalonin 45 deri në 50 kilogramë, duke thënë:

“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”.

Salvatore Aliu i përgjigjet se do të mundohet t’i përshtasë ngarkesat në këtë peshë, ndërsa pranon se rreziku dhe mënyra e operimit i krijonin një ndjesi adrenaline.

Nga bisedat e administruara nga SPAK del se çantat me peshë të madhe kishin edhe një arsye ekonomike, pasi pagesat në vendin e nisjes llogariteshin sipas numrit të çantave që futeshin në kontenierë.

Hetuesit kanë dokumentuar edhe diskutimet për zgjedhjen e kontenierëve dhe rrugëve të kalimit. Aliu i sugjeronte përdorimin e kontenierëve të kompanisë së bananeve “Dole”, ndërsa Dizdari preferonte që tranziti të realizohej përmes portit të Anversit, duke shmangur, sipas bisedave, kontrollet më të shpeshta me skaner.

Në komunikime përshkruhet edhe metoda e dyshuar e fshehjes së kokainës. Sipas Aliut, në kontenier vendosej një kopje e çelësit, e cila përdorej pasi kontenieri hapej në destinacion, në mënyrë që pas ndërhyrjes të mos mbeteshin gjurmë të dukshme.

Goditja e këtij grupi erdhi pak ditë më parë pas operacionit të SPAK, ku në fokus ishin Dritan Gjika, Salvatore Aliu dhe Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka transportuar të paktën 50 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Për këtë çështje u caktuan 10 masa sigurie, por në pranga përfundoi vetëm Florian Musaj, pasi pjesa tjetër e të dyshuarve ndodhen jashtë Shqipërisë.

Në kuadër të operacionit, SPAK ka sekuestruar gjithashtu 491 pasuri të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, me një vlerë që shkon në rreth 150 milionë euro.

Po ndodh...