Sulmi rus në kompleksin ku banonte në Kiev, ambasadori Filo: Pashë vdekjen me sy

24 Maj 2026, 12:00 / POLITIKË ALFA PRESS

Sulmi rus në kompleksin ku banonte në Kiev, ambasadori Filo:

Në një lidhje direkte me Report Tv, ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Ernal Filo, rrëfen për sulmin rus me raketa që preku edhe rezidencën në Kiev ku ai banon.

Ai thotë se në kompleks ai është i vetmi përfaqësues diplomatik dhe se “goditja ishte shumë e fuqishme.” Sulmi nisi rreth orës 10 të mbrëmjes të së shtunës dhe përfundoi rreth orës 06:00 të mëngjesit.

Në këto raste, nuk mungojnë sinjalizimet, por Filo shprehet se situata ishte e frikshme.

“Patjetër që ka sinjalizime, ne marrim informacione dhe masa. Informacionet vijnë nga burime shumë të besueshme, ne zbresim poshtë për të qenë të sigurt, por këtë radhë ishte vërtet e frikshme. Jam pothuajse pa gjumë fare sepse kam pasur shumë mesazhe solidariteti dhe që më merrnin për të pyetur”, tha Filo.

Në godinën ku ai banon është dëmtuar fasada, ndërsa më rëndë është prekur godina tjetër. “Te tjetra, ka hyrë brenda, janë çarë edhe katet për parkim”, tha Filo duke shtuar se qëndrimi i tij në të njëjtin kompleks është çështje që do të diskutohet me Ministrinë.
Sa për kontaktin me autoritetet ukrainase, shprehet se edhe prej tyre ka pasur interes.

“Patjetër, më kanë pyetur. U kam thënë që ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe ata e vlerësojnë këtë gjë. Janë të shqetësuar sepse nuk është e lehtë kur goditet godina e një përfaqësuesi diplomatik”, tha Filo.
Ai e përshkruan situatën si hsumë të vështirë, ndërsa tha se sulme të tilla nuk ishin parë, edhe për shkak të armëve të përdorura.

“Shumë i vështirë dhe njerëzit, banorët që e përjetuan atë moment u larguan me panik. Kishte fëmijë të vegjël që filluan të qanin dhe njerëzit në Ukrainë janë mësuar me situata të tilla, por në këto përmasa nuk është parë ndonjëherë. Janë pëdorur raketa të llojeve të ndryshme dhe kanë raketa mjaftueshëm për të shkaktuar dëme të mëdha”, përfundoi Filo.

Po ndodh...

ide