KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtares Evjeni Sinojmeri

14 Nëntor 2024, 19:21 / AKTUALITET ALFA PRESS

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtares Evjeni Sinojmeri

Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA shpalli të enjten më 14 nëntor vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra gjyqtares së Apelit Tiranë, Evjeni Sinojmeri. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Sinojmerit ndaj vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që e largoi atë nga detyra.

KPK vendosi më 30 prill 2021 të shkarkojnë nga detyra gjyqtaren Evjeni Sinojmeri pasi u konkluduan probleme në kriterin e pasurisë. Për figurën dhe profesionalizmin ajo mori vlerësim pozitiv.

Për shkak të mungesës së pajustifikuar për një kohë të gjatë, ndaj saj u nis edhe një procedim disiplinor nga Inspektori I Lartë I Drejtësisë, I cili u pezullua deri në përfundim të procesit të vetingut.

Evjeni Sinojmeri pati një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka mbajtur pozicionin e anëtares se Gjykatës së Lartë nga viti 2001 deri në 2010-ën. Në vitet 2011-2013, ajo punoi si këshilltare e ministrit të Drejtësisë dhe prej vitit 2013 e ushtroi funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Në shkurt të vitit 2018, Sinojmeri u shkëput nga ushtrimi i funksionit pasi mori një leje 2-vjeçare nga KLD për shkëputje të përkohshme nga detyra. Në mars 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi një kërkesë të subjektit për zgjatjen e lejes së papaguar./ BIRN

 

Po ndodh...

ide