Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

6 Dhjetor 2022, 21:16 / POLITIKË ALFA PRESS

Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është krenar që vendi i tij po pret samitin BE-Ballkani Perëndimor të martën (6 dhjetor 2022). "Shqipëria do të përjetojë ngjarjen më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare. Kjo është një arritje e padiskutueshme", u vetëlëvdua Rama gjatë një bisede virtuale me gazetarë dhe qytetarë, të dielën (04.12). Sipas tij, është rezultat i politikave të suksesshme të jashtme dhe të brendshme të qeverisë.

Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

Fakt është që në politikën e jashtme, Shqipëria gëzon një reputacion të mirë në BE. Këtë e vuri në dukje edhe presidenti gjerman  Frank-Walter Steinmeier, i cili vizitoi vendin javën e kaluar. Në fjalimin e tij në parlamentin shqiptar, Steinmeier e quajti Shqipërinë një "partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm”. Si anëtare e NATO-s dhe OSBE-së dhe si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shqipëria "ka dëshmuar prej kohësh ndërkombëtarisht se është një demokraci e pjekur", tha Presidenti Gjerman.

Në verën e vitit 2022, Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut, morën dritën jeshile për të hapur zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me BE-në. Por për shqiptarët, anëtarësimi në BE duket se është shumë larg. "Ata vetë nuk besojnë se reformat e kërkuara nga BE do të përparojnë kaq shpejt dhe po përpiqen të shkojnë vetë në këto vende," tha për DW vëzhguesja e njohur politike shqiptare, Edlira Gjoni, duke pasur parasysh shifrat e larta të emigracionit.

Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

Largim i fuqisë punëtore
Edhe Lediana Daci ka vendosur të mërgojë. Laborantja ka rezervuar një biletë njëdrejtimëshe për 3 janar 2023, me destinacion Gjermaninë. Aty, në qytetin jugor të Freiburgut, ajo mund të fillojë menjëherë nga puna, në një spital publik. "Jam e lumtur, por edhe pak e shqetësuar se a do ta përballoj”, thotë Lediana për DW. Si ajo ashtu edhe partneri i saj, Bledi Voco, i cili punon si montazhier në një televizion privat në Tiranë, i kanë pagat mbi mesataren e Shqipërisë, që, sipas Instatit, aktualisht është 510 euro në muaj. Por paratë dalin sa për të hequr ca shpenzime bazike, thotë Lediana.

Nëse do të rrisësh fëmijë, atëherë bëhet shumë e vështirë. Kjo është arsyeja pse çifti ka dy vite që mëson gjermanisht dhe kanë vendosur të emigrojnë, para se të krijojnë familje. Bledi, veç kësaj, ka bërë edhe një patentë kamionisti, për rastin nëse nuk gjen menjëherë punë në profesionin e tij.

Sipas Barometrit aktual të Ballkanit, i cili publikohet çdo vit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me bazë në Sarajevë, një institucion i ngjashëm me Komisionin e BE-së, por për Ballkanin Perëndimor, 78 për qind e të rinjve shqiptarë po mendojnë të emigrojnë. Të rinjtë shqiptarë janë kështu të parët në Ballkan, për nga dëshira për emigrim,, sipas Barometrit. Por këtë e dëshmojnë edhe statistikat e emigracionit të viteve të fundit: Sipas Eurostat-it, vendet e BE-së kanë lëshuar mbi 55 mijë leje qëndrimi fillestare për shtetasit shqiptarë vetëm në vitin 2021, që ishte viti pandemie.

Varfëri e skajme dhe mungesë shprese
Por jo të gjithë kanë mundësinë të hyjnë legalisht në BE. Shumë shqiptarë provojnë fatin me rrugë jo të rregullt. Në vitin 2021, kanë shtruar kërkesën e parë për azil në vendet e BE-së mbi 8 mijë shqiptarë. Për një numër prej mbi dyfishin e këtyre (mbi 18,500), udhëtimi përfundoi në kufirin e jashtëm të BE-së, siç mund të shihet nga statistikat e BE-së për migracionin dhe azilin për vitin 2021. Kjo dëshirë e madhe për emigrim, nuk çudit,  kur mendon se, sipas Bankës Botërore, 22 për qind e popullsisë së Shqipërisë jeton nën kufirin e varfërisë, që,  pra me më pak se 5.5 dollarë në ditë (5.21 euro).

Ekelejda Ania e njeh këtë varfëri të skajme. Çdo muaj, ajo mbledh para së bashku me koleget dhe kolegët e punës, dhe blen një shportë me ushqime për dy familje në periferi të Tiranës. Familjet i ka njohur gjatë një aktiviteti bamirësie të kompanisë së saj, një bankë ndërkombëtare në Tiranë. "Nuk u besova syve kur vizitova familjet për herë të parë”, tha Enkelejda Ania për DW. "Në njërën prej familjeve nënë e bijë jetojnë me pensionin e invaliditetit të nënës uloke,  pra, me afro 100 euro në muaj. Jetojnë në një barakë teneqeje pa ngrohje, pa xhama, diritaret janë me qese. "Nuk e kam besuar më parë se në Shqipëri kishte një varfëri të tillë. Por kjo familje nuk është e vetmja."

Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

Enkelejda Ania njeh edhe anën tjetër të jetës shqiptare: njerëz që nuk kanë frikë të shpenzojnë 5 000, ose 10 000 euro në lokalet e kryeqytetit në një natë të vetme. "Kjo të jep një ndjenjë pafuqie, sepse e di që një pasuri e tillë nuk është e mundur pa mbrojtje politike”, thotë ajo. Çdo raport progresi nga Komisioni i BE-së thekson se Shqipëria duhet të marrë nën kontroll korrupsionin dhe krimin e organizuar përpara se të anëtarësohet në BE. "Megjithatë, lufta zhvillohet vetëm nën presion të madh dhe rrallëherë vullnetarisht”, thotë ekspertja politike Edlira Gjoni.

Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

Edlira Gjoni, analiste dhe pedagoge komunikimi në Tiranë, kritikon politikën e deritanishme të zgjerimit ttë BE-së.
Analistja shpreh keqardhjen që BE-ja e ka zvarritur kaq shumë çeljen e negociatave me Shqipërinë për shkak të mospajtimeve të brendshme mes shteteve  anëtare. Kjo e ka ulur trysninë mbi qeverinë e Shqipërisë për ta luftuar seriozisht korrupsionin. Gjoni shpreson që çelja e negociatave të sjellë një dinamikë të re. "

Opozita e copëtuar
Laborantja  Lediana Daci nuk beson se Shqipëria do të shpëtojë shpejt nga korrupsioni. "Para disa vitesh kisha shpresë, por tani besoj se kushdo që të vijë në pushtet gjendja nuk do të ndryshojë”, thotë ajo.

Mërgimi - protesta e heshtur e shqiptarëve

Jonila Godole nga Instituci Dmeokraci, Media dhe Kulturë në Tiranë, thotë se përgjegjësia për gjendjen nuk i bie vetëm qeverisë, por edhe opozitës. Që kur në vitin 2021 ish-kryeministri Sali Berisha u shpall nga qeveria amerikane "persona non grata”, 78-vjeçari është aktivizuar sërish në politikën e vendit, për të "shpëtuar nderin”. Dhe tani po bën një luftë për drejtimin e Partisë Demokratike, të themeluar prej tij.

Për më 6 dhjetor, Berisha, i cili e sheh veten viktimë të një komploti të të ashtuquajturës “mafjeje sorosiane”, paralajmëroi një protestë të madhe në qendër të Tiranës. Ai mbështetet edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta, dhe lëvizja e tij e re: Berisha pohon vazhdimisht se protesta e tij nuk ka për qëllim të sulmojë BE-në. Përkundrazi, ai thotë se  donte të tërhiqte vëmendjen e udhëheqjes së BE-së për faktin se vendi po drejtohej nga një "mafie e korruptuar". “Por kjo nuk është protesta e popullit shqiptar”, thotë Godole. “Shqiptarët nuk protestojnë më në rrugë, ata  kanë kohë që kanë zgjedhur mërgimin. Është protesta e heshtur e shqiptarëve”./DW.COM

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128