Misteri i personit të plagosur në atentatin e Dobraçit! Dy klinika private në Shkodër pistë hetimi e policisë

4 Nëntor 2024, 11:05 / AKTUALITET ALFA PRESS

Misteri i personit të plagosur në atentatin e Dobraçit! Dy

Dy klinika private në Shkodër janë kontrolluar nga policia kriminale në përpjekje për të gjetur një person të tretë të plagosur, i cili besohet se ka qenë në makinën tip “Benz” që u sulmua me armë më 30 tetor 2024 në zonën e Dobraçit.

Sipas raportimeve të “Ora News”, kontrollet janë kryer pas dyshimeve të arsyeshme se një person i plagosur mund të ketë kërkuar shërbim mjekësor në këto klinika, por është larguar pa u lokalizuar nga autoritetet.

Dyshimet bien mbi Ibrahim Licin, një person i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, por deri tani nuk ka asnjë version zyrtar që konfirmon lidhjen e tij me ngjarjen.

Policia ka për qëllim të sekuestrojë pamjet filmike dhe dokumentacionin mjekësor për të verifikuar nëse personi i plagosur u paraqit për ndihmë.

Po ashtu, janë marrë masa për identifikimin shkencor të viktimave dhe personit të mundshëm të plagosur, përmes ekzaminimit të gjurmëve të ADN-së dhe profileve biologjike të marra nga vendngjarja.

Deri më tani, hetimet kanë zbuluar se dy personat e identifikuar, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, kishin hyrë në territorin shqiptar nga Mali i Zi ditën e ngjarjes.

Ndjekja e tyre ishte e dokumentuar nga policia në pikën kufitare. Kjo ngjarje e rëndë përfshinte një sulm të armatosur që rezultoi në vdekjen e dy personave, si dhe të një çifti të pafajshëm që po kalonte rastësisht në rrugë.

Makina që u përdor për sulm ishte vjedhur më parë në Durrës dhe është përfshirë në një kontekst të ngjashëm me ngjarje të tjera të dhunshme në zonë, si vrasja e biznesmenit Bardhok Pllanaj më 4 prill 2021.

Ndërkohë, një hetim më i thellë është në zhvillim për të zbuluar rolin e personave të tjerë të dyshuar në këtë ngjarje.

Policia e Shkodrës ka kërkuar ndihmë nga autoritetet malazeze për të zbuluar lëvizjet e Arlind Bushatit dhe Hamza Licit pas kalimit të kufirit.