Në kërkim nga Interpol për trafik armësh, shqiptari kapet duke shijuar pushimet në Kolumbi

25 Janar 2025, 16:21 / AKTUALITET ALFA PRESS

Në kërkim nga Interpol për trafik armësh, shqiptari kapet

Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për lidhje të dyshuara me trafikun e armëve është arrestuar Kolumbi, pas një operacion të përbashkët mes Marinës Kombëtare Kolumbiane dhe efektivëve të Migracionit.

Mediat e huaja raportojnë se shqiptari është kapur në një hotel të njohur në ishujt Rosario, rreth 40 kilometra larg Kartagjenës.

Sipas policisë vendase, ndaj shqiptarit, identiteti i të cilit ende nuk dihet, kishte një “njoftim të kuq” të Interpolit, gjë që e bën atë një objektiv me prioritet të lartë për autoritetet ndërkombëtare. Kapja e tij erdhi pasi stafi i hotelit njoftoi autoritetet për praninë e një vizitori të dyshimtë.

Migracioni Kolumbian kryqëzoi të dhënat e pasaportës së të dyshuarit me bazat e të dhënave ndërkombëtare kur zbuloi alarmin e kuq dhe mundësoi identifikimin e tij. Personi, që po kalonte pushimet në ishujt Rosario, ishte i njohur për lidhjet e tij me krimin e organizuar.

Raportohet se në momentin kur shqiptari ka parë personat me uniformë policie, ka tentuar të arratiset nga hoteli, por është kapur menjëherë nga autoritetet. Pas identifikimit dhe verifikimit të pasaportës, i arrestuari u transferua në zyrat e Migracionit Kolumbian në Kartagjenë, ku u morën masat e nevojshme ligjore.

Pas arrestimit, shtetasi shqiptar është dërguar në paraburgim, ndërkohë që po zhvillohen procedurat ligjore për ekstradimin e tij.

Institucionet kolumbiane janë në koordinim me Interpolin dhe autoritetet e vendit që ka lëshuar alarmin e kuq, për të siguruar që procesi të zhvillohet në përputhje me protokollet ndërkombëtare.

 

 

Po ndodh...