Prokurori Hyrjet Lamaj përballë ligjit/ KPK kërkon shpjegime për transaksionet me apartamentet

25 Maj 2023, 11:21 / AKTUALITET ALFA PRESS

Prokurori Hyrjet Lamaj përballë ligjit/ KPK kërkon shpjegime

Prokurori i Vlorës u përball me pyetje mbi bilancin negativ në dy vite dhe një apartament të dhuruar nga vëllai në vitin 2015. Ai këmbënguli në ligjshmërinë e burimeve financiare dhe kundërshtoi gjetjet të KPK-së sa u përket dy çështjeve.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte ndjekur një varg transaksionesh me pasuri të paluajtshme të filluara në vitin 2002 dhe mbyllura në vitin 2015 të prokurorit Hyrjet Lamaj dhe ngriti dyshime mbi ligjshmërinë e burimeve të 4.8 milionë lekëve që kishin shërbyer në këto transaksione.

Komisioni nuk kishte marrë parasysh një shumë të dhuruar nga prindërit në vitin 2002 dhe një shumë të dytë të përfituar nga shitja e një apartamenti te vëllai në vitin 2012.

Lamaj dhe avokatja e tij Antoneta Sevdari këmbëngulën në ligjshmërinë e burimeve. Bazuar në një ekspertizë që ata referuan gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës,  këmbëngulën se qoftë vëllai qoftë prindërit kishin pasur të ardhura të mjaftueshme nga aktivitetet në bujqësi.

Gjatë seancës dëgjimore, Lamaj diskutoi edhe me vëzhguesen ndërkombëtare mbi të dhënat e nxjerra nga sistemi TIMS mbi kohën e udhëtimit të kunatës së tij që kishte nënshkruar kontratën për një apartament 90 metra katror në vitin 2012, që më pas i ishte dhuruar Lamajt.

Trupa që po shqyrton rastin drejtohej nga Genta Tafa Bungo, ndërsa anëtar ishte Lulzim Hamitaj dhe relatore Valbona Sanxhaktari. Vëzhguese ndërkombëtare në seancë ishte Elka Ermenkova.

Hyrjet Lamaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2002. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe e ushtron funksionin prej asaj kohe në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës.

Problemet e pasurisë

Siç doli nga raportimi i relatores Sanxhaktari në seancë dëgjimore, prokurori Lamaj duhej të argumentonte burimet e ligjshme dhe të jepte shpjegime për transaksionet për 4 apartamente në Vlorë.

Në mënyrë kronologjike, hetimi kishte filluar me një apartament të blerë në vitin 2002, për të cilin si burim ishin deklaruar dhurata nga prindërit për martesë. KPK vuri në dukje se nuk kishte prova për burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave dhe i kaloi Lamajt barrë prove për një bilanc negativ prej 2 milionë lekësh.

Në seancë, avokatja Sevdari i kërkoi KPK-së të merrte parasysh standardin e vendosur nga Kolegji mbi të ardhurat nga bujqësia dhe paraqiti të dhënat e një eksperti që kishte llogaritur 31 milionë lekë të ardhura të tilla, kryesisht nga ullinjtë dhe nga bletaria e blegtoria. Sevdari po ashtu theksoi se apartamenti ishte blerë para fillimit të detyrës dhe ishte deklaruar i tillë dhe me burim të njëjtë në deklaratën e parë dhe në atë veting.

Apartamenti i dytë kishte për burim shitjen e të parit dhe u ble në vitin 2007. KPK vuri në dukje se datat e transaksioneve të kryera sipas kontratave nuk përkonin. Sipas Komisionit, nga hetimi rezultoi se subjekti kishte përdorur një hua nga vjehrri për të paguar porosinë e apartamentit, pasi shitja e të parit kishte ndodhur më vonë.

Sevdari i shpjegoi transaksionet duke vënë në dukje lëvizjet bankare dhe një prokurë që tregonin se fqinjët e Lamajt kishin marrë kredi për të blerë apartamentin e këtij të fundit. Ajo tha se huaja ishte përdorur para lëvrimit të kredisë dhe ishte shlyer me transaksion bankar pas lëvrimit të saj.

Apartamenti i tretë i blerë në vitin 2012 ishte financuar me shitjen e apartamentit të blerë në vitin 2007, i cili ishte ndarë dhe shitur në dy pjesë te vëllai dhe motra e subjektit. Në këtë pikë KPK vuri në dukje se vëllai i subjektit nuk kishte pasur të ardhura për të blerë apartamentin dhe vuri në dukje se subjekti rezultonte me një minus 2.8 milion lekësh nëse këto të ardhura nuk konsideroheshin.

Avokatja e Lamaj i tha Komisionit se vëllai ishte regjistruar herët si person fizik dhe kishte po ashtu të ardhura nga bujqësia. Ajo llogariti 5 milion lekë të ardhura për periudhën në diskutim dhe këmbënguli se këtu nuk ishin marrë parasysh të ardhurat e bashkëshortes së tij dhe të ardhurat nga bujqësia.

Këmbënguljes së vëzhgueses ndërkombëtare nëse në të ardhurat ishin llogaritur shpenzimet Sevdari tha se ato duhej të konsideroheshin të mbuluara nga të ardhurat në bujqësi.

Sevdari shpjegoi edhe mënyrën se si apartamenti para këtij ishte ndarë në dy pjesë, duke shpjeguar se defakto sipërfaqja nuk kishte qenë e lidhur edhe pse juridikisht ishte shitur fillimisht si një e tërë.

Një apartament i katërt me sipërfaqe 90 metra në të njëtin pallat me atë të tretin i ishte dhuruar subjektit nga vëllai i tij i vogël që jetonte në Itali. Hetimet e KPK kishin zbuluar se apartamentet 3 dhe 4 në rradhë, ishin blerë në të njëjtën kohë në vitin 2012. Apartamenti i katërt regjistruar fillimisht në emër të vëllait të vogël ishte blerë sipas deklarimeve me të ardhura nga vëllezërit dhe motrat e subjektit për tu përdorur nga prindërit, të cilët nuk mund të jetonin më në fshat për shkak të moshës. Ai ishte regjistruar në emër të vëllait të vogël që do të kujdesej për ta.

Nga shpjegimet në seancë u vu në dukje se vetëm subjekti nuk kishte dhënë kontribut në blerje, pasi ishte konsideruar fakti që deri në atë moment ai ishte kujdesur për prindërit. Tre vjet pas blerjes vëllai ia kishte dhuraur apartamentit subjektit, pasi vetë nuk do të kthehej më në Shqipëri dhe se ky i fundit do të kujdesej për prindërit.

Situata ishte konsideruar e dyshimtë nga KPK. Aq më shumë Komisionit i rezultoi se vëllai në fjalë kishte blerë disa ditë më parë dy apartamente të tjera. Po ashtu rezultoi se ai nuk kishte qenë i pranishëm në kohën e finalizimit të kontratës pasi deklaratat TIMS tregonin që ishte larguar nga Shqipëria 5 ditë më herët.

Noterja e kontaratave në një deklaratë kishte pretenduar se ajo kishte marrë firmën e vëllait të vogël të subjektit paraprakisht dhe se bashkëshortja e këtij të fundit kishte finalizuar kontratën.

Por vëzhguesja ndërkombëtare Ermenkova i vuri në dukje subjektit se të dhënat TIMS tregonin që edhe bashkëshortja e vëllait kishte qenë jashtë Shqipërisë në momentin e nënshkrimit. Ajo tha se ajo dhe vëllai i subjektit ishin larguar sipas TIMS në të njëjtën kohë nga vendi. Subjekti kundërshtoi në seancë ai tha se kunata kishte qëndruar në Shqipëri deri në gusht të atij viti.

Subjekti shpjegoi dhurimin vetëm më faktin se ai do të kujdesej për prindërit. Shkurtimisht KPK kërkoi sqarime edhe për dy automjete. Njëri prej të cilëve ishte blerë 400 mijë lekë dhe shitur 500 mijë dhe tjetri i përdorur  nga subjekti në udhëtime jashtë vendit dhe i dyshuar si në pronësi të tij.

Sevdari këmbënguli se rritja e vlerës kishte ndodhur vetëm për shkak të shpenzimeve të riparimit. Ajo po ashtu tha se makina e dyshuar si në pronësi të subjektit ishte përdorur nga ky i fundit vetëm një herë.

Raporti i DSIK dhe dy çështjet me të mitur

KPK vuri në dukje se një raport i përditësuar i Drejtorisë së Sigurimit të Iformacionit të Klasifikuar e shpallte subjektit të papërshtatshëm dhe referonte disa çështje në të cilat pretendohej favorizimi i të pandehurve.

Vetë KPK pas hetimit të çështjeve vuri në dukje se subjekti nuk ishte gjetur me kontakte të papërshtatshme.

Komisioni megjithatë i kërkoi atij shpjegime për zbutjen e dënimit për dy çështje penale, një për plagosje të rëndë dhe një për prodhim dhe mbajtje narkotikësh.

Siç doli nga përgjigjet e vetë Lamajt të dy çështjet ishin me të mitur nën 16 vjeç. Lamaj shpjegoi se rasti i parë ishte një grindje mes të miturish dhe asnjë prej tyre nuk kishte pasur nevojë për ndihmë mjekësore dhe as ekspertizat nuk kishin përcaktuar të kishte pasur plagosje.

Po ashtu edhe çështja e dytë kishte të bënte me të mitur dhe prokurori tha se kishte zbatuar parashikimet ligjore në të cilat dënimi përgjysmohej.  Ndërkohë ai mohoi dyshimet se kishte kontakte apo njohje me një deputete.

Në fund të seancës ai kërkoi konfirmimin në detyrë./Nga Vladimir Karaj

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128