Prokuroria e Tiranës sekuestron disa llogari mbi 500 mijë dollarë të një firme Italiane, ja kush është pronari me të shkuar kriminale, akuzohet për pastrim parash

4 Qershor 2024, 08:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Prokuroria e Tiranës sekuestron disa llogari mbi 500 mijë dollarë
Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës firmosi dje sekuestron e tri llogarive bankare të një shoqërie italiane në fushën e aeronautikës. Bëhet fjalë për shoqërinë N. shpk e themeluar nga shtetasi italian  me iniciale B.R., më 10 janar 2022. Firma ushtronte aktivitet në ‘Ndërtim, prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe mirëmbajtje ne terren të avionëve’, por edhe ''anije kozmike'', rezulton me një aktivitet dhe transferta të dyshimta’ dhe prokuroria kishte nisur hetimet në kuadër të procedimit penal nr 3695 të këtij viti për veprën penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës, rezulton se shtetasit e përfshirë T.G., dhe B.R., janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali për mashtrim në përfitimin e fondeve publike dhe se zotërojnë dhe drejtojnë disa biznese atje në fushën e aeronautikës”.

Njoftimi i prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestroi llogaritë bankare të shoqërisë ‘N.’ shpk, themeluar nga shtetasi Italian B.R. më 10.01.2022, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.3695 të vitit 2024, shoqëria në fjalë, e cila ushtron aktivitet në ‘Ndërtim, prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe mirëmbajtje ne terren të avionëve’ rezulton me një aktivitet dhe transferta të dyshimta. Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës, rezulton se shtetasit e përfshirë T.G., J.L., dhe B.R, janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali për mashtrim në përfitimin e fondeve publike dhe se zotërojnë dhe drejtojnë disa biznese atje në fushën e aeronautikës. Duke marrë në konsideratë kërkesën për transferimin e fondeve jashtë vendit dhe mungesën e informacionit lidhur me ecurinë e likuidimit të detyrimeve, ndodhur edhe përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto pasuri, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit e llogarive bankare të shoqërisë “N.” shpk, në vlerat:

-     1,539,490 ALL;

-     20,348.24 EUR; dhe

-      479.820,56 USD

Jepet masa e sigurisë për Robert Kulllën

Ndërkohë nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg për Robert Kullën, djali i Nehat Kullës, i cili u akuzua për dhunë në familje nga njerka e tij.

Në seancën e djeshme, Robert Kulla ka pretenduar se nuk ka ushtruar dhunë, por konflikti me gruan e babit të tij është një konflikt civil, që lidhet me pronësinë e banesës, ku të dy pretendojnë pronësisë, pas vdekjes së Nehat Kullës më 16 qershor 2020. Robert Kulla e kërkon si trashëgimtar dhe njerka si bashkëshorte e të ndjerit. Arrestimi i Robert Kullës u bë pas denoncimit të bërë nga bashkëshortja e Nehat Kullës, para pak ditësh më datë 1 qershor. Siç u bë me dije edhe ditën e arrestimit, të dy palët pretendojnë se kanë certifikatë pronësie, ndërsa akuzojnë njëri-tjetrin për falsifikim. Djali i 'Gjeneralit', siç njihej në Tiranë, Nehat Kulla, duke thyer çelësin e bravës së shtëpisë. Roberti akuzohet për 3 vepra penale. Robert Kulla është emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë i arrestuar edhe më herët, si autor i dyshuar i vjedhjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, më 9 gusht të 2016. Në shtëpinë e Kullës policia gjeti disa mijëra euro të cilat dyshoheshin se ishin grabitur në bankën e nivelit të dytë. Por prokuroria gjatë kësaj kohe nuk arriti të vërtetojë se paratë ishin të bankës dhe për këtë arsye kërkoi lirimin e tij disa ditë pas arrestimit. Nehat Kulla, i njohur si "gjenerali", një nga krerët e bandave në vitin 1997, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare në 16 qershor 2020 për shkak të Covid. Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri dhe veproi në fshatin Tufinë në Tiranë.

 

Po ndodh...