Reagimi masiv pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Kodi i ri Penal dënon edhe mbështetësit e krimit në Shqipëri

10 Tetor 2025, 15:10 / AKTUALITET ALFA PRESS

Reagimi masiv pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Kodi i ri Penal dënon

Pas ngjarjes tronditëse në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore, rrjetet sociale janë përfshirë nga një valë reagimesh që kanë kaluar kufijtë e arsyes dhe moralit.

Dhjetëra komente në platformat online kanë tentuar të justifikojnë apo mbështesin veprimin e autorëve, Elvis dhe Gjon Shkambi, ndërsa madje u hap edhe një faqe “GoFundMe” me qëllim mbledhjen e fondeve për ta, e cila u mbyll pak orë më pas.

Ky fenomen ka ngritur alarmin për normalizimin e dhunës dhe glorifikimin e autorëve të krimit, duke goditur ndjeshmërinë publike dhe besimin tek drejtësia.

Në këtë kontekst, Kodi i Ri Penal që pritet të miratohet së shpejti nga Parlamenti i Shqipërisë, parashikon dënime të qarta për ata që mbështesin apo lavdërojnë publikisht krimin.

Çfarë parashikon neni për “Mbështetjen e kryerjes së një krimi”:

1. Kushdo që mbështet publikisht një autor krimi, duke e justifikuar, lavdëruar apo paraqitur veprën si të drejtë apo të dobishme, dënohet me burg nga 1 deri në 4 vjet.

2. Nëse kjo mbështetje bëhet nëpërmjet mediave apo rrjeteve sociale, dënimi rritet deri në një të tretën.

3. Në rastet kur mbështetja ndodh gjatë kryerjes së krimit dhe ndikon në përfundimin e tij, personi trajtohet si bashkëpunëtor në krim, pra përballet me të njëjtin dënim si autori.

Ky nen i ri synon të ndalojë glorifikimin e krimit dhe autorëve të tij, veçanërisht në epokën e rrjeteve sociale, ku një fjalë, një postim apo një “like” mund të ndikojë në perceptimin publik për drejtësinë dhe viktimat./VoxNews

 

Po ndodh...

ide