Shpërndante kokainë me sasi të mëdha, arrestohet shoferi i Mariglen Qatos

23 Shtator 2022, 20:59 / AKTUALITET ALFA PRESS


Shpërndante kokainë me sasi të mëdha, arrestohet shoferi i

Policia arrestoi pak ditë më parë Klaudio Malaj, shoferin e kreut të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, pasi iu gjetën sasi kokaine, gati për shpërndarje, si edhe tre pistoleta.

 

Në njoftimin për media, Policia e Tiranës përmend vetëm faktin se është arrestuar shtetasi K.M.

Në pamjet e shpërndara së bashku me njoftimin, dallohet edhe një dokument me logon e Bashkisë së Tiranës.

Të hënën e kësaj jave, Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi se kishte finalizuar operacionin të emërtuar “Doses” (Dozat)

Gjatë operacionit u arrestua 31-vjeçari K.M (Klajdi Malaj).

Burime të redaksisë deklaruan se, në momentin që efektivët e “Shqiponja-s” kanë ndaluar mjetin luksoz Audi A6, në pronësi të shoferit të Mariglen Qatos, ai ka deklaruar se është punonjës i Bashkisë së Tiranë, duke tentuar shmangien e kontrollit.

Por, duket se tentativat e tij kanë dështuar.

Policia e Tiranës vijon në njoftimin e saj se Patrullat e Shërbimit, në rrugën “Kokonizi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi tjetër lënde të dyshuar narkotike kokainë, 3 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak.

“Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi K. M., pasi siguronte lëndën narkotike kokainë në sasi të mëdha, e ndante atë në doza dhe e shiste më pas në zona të ndryshme të Tiranës”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Është ende e paqartë se si kishte arritur Malaj që, duke qenë me detyrë shofer, të blinte një makinë tepër të shtrenjtë.

Po ashtu, nuk dihet nëse për veprimtarinë e tij kriminale ka qenë apo jo në dijeni shefi i tij, Mariglen Qato, i cili udhëtonte gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare me një shpërndarës kokaine në sasi të mëdha, sipas përcaktimit që ka bërë Policia.

Arrestimi i Klaudio Malajt nuk përbën rastin e parë, kur zyrtarë të Bashkisë së Tiranës përfshihen në veprimtari kriminale që lidhen me drogat e forta.

Në Qershor të vitit 2022, Policia e Portit në Durrës arrestoi këshilltarin e bashkisë së kryeqytetit, Egert Vargu, në vijim të veprimeve pas zbulimit të një sasie kokaine që mbërriti në Shqipëri në kontenierë me mish që ishte nisur nga Brazili.

Ndërsa vetë Mariglen Qato i shpëtoi arrestimit në Korrik të vitit 2021. Ish-prokurori i Tiranës, Besim Hajdarmataj, kërkoi arrestimin e kreut të INUV-Tiranë, nën dyshimet se kishte shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtime pa leje.

Gjykata e Tiranës vendosi vetëm “detyrim paraqitje” për Qaton, duke dëshmuar se gjyqësori pas Reformës në Drejtësi e ka shumë të vështirë të penalizojë zyrtarët e lartë të lidhur me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Po ndodh...