Trafikonin armë drejt Maqedonisë së Veriut, arrestohen 3 persona në Elbasan

5 Mars 2025, 12:13 / AKTUALITET ALFA PRESS
Trafikonin armë drejt Maqedonisë së Veriut, arrestohen 3 persona

Tre persona janë vënë në pranga nga policia në Elbasani pasi u është zbuluar një arsenal armësh e dokumente të falsifikuara.

Ata dyshohet se trafikonin armë në Maqedoninë e Veriut. “Finalizohet operacioni policor i koduar “Organizatori”.

Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak, granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).

Vihen në pranga 3 shtetas (organizatori i 2 veprimtarive kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe ata të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit, pas një hetimi 4-mujor, me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Organizatori”.

Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.

Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.

Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga  shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.