U godit nga masivi i gurëve, plagoset minatori në Bulqizë!

28 Maj 2025, 16:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

U godit nga masivi i gurëve, plagoset minatori në Bulqizë!

Një 40-vjeçar është plagosur këtë të mërkurë, pasi u godit nga një masiv gurësh gjatë orarit të punës.

Burime për News 24 bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në një nga galeritë e kromit të “ACR” në minierën e Bulqizës.

Minatori 40-vjeçar ka qenë duke punuar në thellësi të tokës kur është plagosur teksa është goditur nga një masiv gurësh.

Ai është dërguar fillimisht për mjekim në spitalin Bashkiak të Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e parë. Burime pranë spitalit bëjnë me dije se pasi është mjekuar, 40 vjeçari me inicialet A.N është dërguar për një kontroll më të specializuar në Spitalin Rajonal të Dibrës. Bluzat e bardha të këtij spitali thanë se 40-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.

Për ngjarjen në fjalë nuk është bërë asnjë deklaratë publike as nga policia e shtetit e as nga institucionet e tjera. Dyshohet se në të shumtën e rasteve, plagosjet në galeritë e kromit mbahen jashtë vëmendjes mediatike, ku institucionet nuk i raportojnë ato, ndërsa dërgohen për mjekim në spitale të ndryshme.

Aksidentet në minierat e vendit tonë janë të shpeshta ku në shumë raste fatkeqësisht janë me fatalitete. Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë një minator humbi jetën në një nga galeritë e kromit në Përrenjas.

Po ashtu, aksidente të shumta ka patur edhe në galeritë e kromit të minierës së Bulqizës, ku çdo vit ka humbje jete njerëzore.

 

Po ndodh...

ide