Vetting/ “Anketimi, 40% e të rinjve kërkojnë të emigrojnë”! Ekspertët analizojnë fenomenin e boshatisjes së Shqipërisë!

6 Shkurt 2025, 20:38 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vetting/ “Anketimi, 40% e të rinjve kërkojnë të

Vështirësitë ekonomike dhe sociale në vitin 1990 shkaktuan rritje të konsiderueshme të papunësisë. Niveli i papunësisë në Shqipëri arrinte deri në 26%  në fund të vitit 1992, që do të thotë se ishte rritur tre herë që prej vitit 1991.

Kjo shifër ishte vlera më e lartë e papunësisë e riregjistruar ndonjëherë gjatë dekadës së fundit. Që prej vitit 1992, dhe gjatë dekadës së fundit, papunësia ka qenë më e lartë për gratë duke e krahasuar me burrat. Kjo ka ndodhur sepse ishte veçanërisht e vështirë për gratë të përshtateshin në tregjet e reja të punës. Në fund të vitit 1992 kishte rreth 200 mijë gra e vajza të papuna dhe rreth 190 mijë meshkuj të papunë.

33 vite më parë, rreth 4 800 shqiptarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë hynë në ambasadat e huaja në Tiranë për të kërkuar largimin nga Shqipëria, si shpëtim nga izolimi, varfëria dhe dhuna politike e regjimit komunist.

Kriza zgjati disa ditë, pavarësisht kërkesave dhe këmbënguljes së qeverisë së Ramiz Alisë, ambasadat e huaja iu përgjigje “JO” duke mos pranuar t’i nxjerrin jashtë. Qeveria e atëhershme komuniste u detyrua të lejonte largimin e tyre nga vendi, 3200 shqiptarë shkuan në Gjermani, mbi 800 në Itali, 600 në Francë, dhjetëra të tjerë në Turqi, Poloni, Çekosllovaki, etj.

Në vitet që pasuan, atyre iu bashkuan më shumë se 1,3 milionë shqiptarë të tjerë, ndërsa, me shumë gjasa, qindra mijëra iu bashkuan gjatë këtyre viteve të fundit.

Sipas ekspertit, Ilir Gërdeshi: “Emigracioni si fenomen në Shqipëri filloi që me fillimin e tranzicionit, pra duke filluar nga 1991 dhe aktualisht jemi në dekadën e katërt të emigracionit, por secila dekadë e emigrimit ka patur karakteristikat e veta, në dekadën e parë, me fillimin e tranzicionit për sa i përket viteve 1990, emigracioni ka qenë i vrullshëm, kaotik, ka qenë i parregullt, dhe udhëhiqej kryesisht nga meshkujt, pra ishin meshkujt ata që emigronin”.

Vetting/ “Anketimi, 40% e të rinjve kërkojnë të

Në shkurt-mars 1991, 30, 000 persona u dyndën në portet e Durrësit dhe Vlorës, ku morën kontrollin e anijeve dhe varkave që mundën dhe detyruan ekuipazhin t’i transportonin drejt tokës Italiane. Pak muaj më pas, mijëra qytetarë të tjerë iu drejtuan Italisë me gomone e varka dhe çdo mjet që të mund të gjenin.

“Kanë ikur shumë njerëz emigrantë nga Tropoja, për arsye se nuk është bërë asnjë lloj investimi. Që nga viti 1991 deri më sot vetëm HEC-e dhe asnjë lloj investimi, punishte, asnjë lloj gjëje nuk është ndërtuar në Tropojë, pra kanë ikur nuk kanë ku të punojnë.”- shprehet një banor i zonës.

Vala e re e emigrimit pas rënies së piramidave, 1997

Në vitin 1997, rënia e piramidave tronditi shoqërinë shqiptare, papunësi, varfëri, duke i shkatërruar ekonomikisht, si pasojë solli valën e re të emigrimit.

Dy rrugët kryesore ishin, përsëri kufiri drejt Greqisë dhe deti drejt Italisë. Kanali i Otrantos u kthye në një autostradë gomonesh dhe mjetesh të tjera lundruese që dërgonin emigrantë dhe ktheheshin sërish në Shqipëri për tu mbushur me njerëz që dëshironin të iknin sa më parë nga vendi ynë.

Nga kërkimet e VETTING rezulton se 150 mijë shqiptarë emigruan pas rënies së piramidave gjatë viteve 1997-1998.

Në një përllogaritje nga viti 1990-2016, të paktën 1, 3 milionë shqiptarë jetonin jashtë Shqipërisë, pra brenda një çerek shekulli rreth 32% e popullsisë kishte braktisur vendin.

Popullsia që jetonte jashtë Shqipërisë ishte gati 47% e asaj që jetonte në Shqipëri. Shifrat e vërteta të emigrantëve shqiptarë në botë ishin më të larta se shifrat e përmenduara pak më parë, pasi shumë prej tyre jetonin në mënyrë të paligjshme, një pjesë ishin regjistruar me nënshtetësi të rreme, ndërsa për shumë vende mungonin të dhënat zyrtare.

Sipas sociologes Marsi Simo: “Është një fenomen që është diskutuar vitet e fundit, ku të rinjtë parapërgatiten mendërisht që sapo të kalojnë moshën 16-vjec, mund të shkojnë kryesisht në Britaninë e Madhe, sepse tërheqin njëri-tjetrin, sepse kanë informacion që atje mund të punohet, atje ka prespektivë”.

Gjatë vitit 2018 Lezha, Elbasani dhe Berati kishin emigracionin më të lartë ndër 12 qarqet e tjera të vendit në raport me popullsinë.

Në vitin 2018 emigracioni në qarkun e Lezhës ishte 135 persona për 10 mijë banorë, ndërsa ky tregues për Beratin ishte 105 persona.

Vlora shënoi rritje të emigracionit me 23 persona për 10 mijë banorë, që dmth se në këtë qark diferenca ndërmjet emigrantëve të kthyer dhe atyre të ikur pati një diferencë pozitive me mbi 400 persona.

Gjatë vitit 2018, në shumicën e qarqeve të vendit, migrimi i jashtëm kishte ndikim më të madh në numrin dhe strukturën e popullsisë se sa lëvizjet e brendshme.

Në Dibër, Gjirokastër dhe Kukës, gjatë vitit 2018, si migrimi i jashtëm ashtu edhe lëvizjet e brendshme ndikuan në zvogëlimin e numrit të popullsisë.

“Përse duhet të qëndrosh në Shqipëri, këtu nuk ka asnjë infrastrukturë, këtu nuk ka të ardhme, nuk ka prespektivë, kryesisht nëse ti je një familjar që ke fëmijë në familjen tënde. Në këtë valë që jemi të përfshirë deri diku e bënë më të vështirë që të jesh më i kthjellët, të jesh objektiv për ato që ke, dhe ato që ti nuk ke për ti plotësuar, e jo duke i kërkuar në vendin tënd por duke i kërkuar gjithmonë jashtë”- shprehet sociologia Marsi Simo.

Rezultatet e Censit të vitit 2023 treguan se, krahas rënies së numrit të popullsisë në 2 milionë e 402 mijë e 113 banorë (ose 419 mijë banorë më pak se në vitin 2011), fenomeni i emigracionit është veçanërisht i pranishëm te të rinjtë ku numri i popullsisë së moshës 15-29 vjeç ra afërsisht me 17%, ose 124 mijë të rinj, krahasuar me të dhënat e regjistrimit të vitit 2018.

Kjo rënie e konsiderueshme nënvizon shkallën e lartë të emigrimit te të rinjtë në vend, e nxitur më së shumti nga kërkimi i mundësive më të mira dhe perceptimi i mungesës së perspektivës në Shqipëri. Prirja e emigrimit është veçanërisht e theksuar te të rinjtë e arsimuar. Shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve në Shqipëri e shton më tej prirjen drejt emigrimit.

Vetting/ “Anketimi, 40% e të rinjve kërkojnë të

Sipas Geron Kamberi, ekspertit të Friedrich Ebert: “40% e të rinjve të anketuar kërkojnë të emigrojnë, dhe nga këta të rinj 11% e tyre parashikojnë të largohen në gjashtë muajt e ardhshëm, dëshirojnë të largohen nga Shqipëria. Norma e emigrimit të të rinjve shqiptarë, ose prirjet e tyre për të emigruar mbeten të larta megjithatë në kuadër të një krahasimi rajonal tashmë Shqipëria është në vend të dytë sepse prirjet migratore të të rinjve në Maqedoninë e Veriut janë më të larta se ato në Shqipëri. Gjithsesi ky nivel i lartë i prirjes së të rinjve për të emigruar lidhet me një sërë faktorësh që po të shihet nga studimi është pakënaqësia e tyre me institucionet politike, pakënaqësia me sistemin arsimor, standarde më të larta jetese të cilat i shtynë drejtë emigrimit.”

Për shkak kushteve të vështira të punës dhe rrogës së ulët që nga viti 2010 deri në fund të vitit 2024 nga Shqipëria janë larguar mbi 1000 mjekë të cilët janë punësuar në Gjermani. Kjo braktisje e madhe e vendit nga të rinjtë, pasqyruar përmes udhëtimit tonë në këto qytete në dy skaje të vendit, na rrëfejnë një realitet të hidhur të Shqipërisë. Pasojat e këtij shpopullimi nuk do të vonojnë të shfaqen gjithnjë e më dramatike. Memaliaj dhe Has janë vetëm një copëz e vogël e kësaj drame e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Një fenomen që kërkon një reflektim të thellë dhe veprime urgjente për të mbajtur lidhjen me ata që kanë të mbetur dhe për t’i dhënë mundësi rinisë që të qëndrojë dhe të kontribuojë për një të ardhme më të mirë./BW

Po ndodh...