Zgjedhjet në Himarë, policia angazhon 52 punonjës për mbarëvajtjen e procesit

3 Gusht 2024, 19:50 / AKTUALITET ALFA PRESS

Zgjedhjet në Himarë, policia angazhon 52 punonjës për
Policia e Shtetit bën me dije se ka përgatitur një plan të detajuar masash për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në qytetin e Himarës që do të mbahen ditën e diel.

Në Komisariatin e Policisë Himarë, Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Shefi i Sektorit të Rendit në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Vlorë dhe Shefin e Komisaratit të Policisë Himarë, zhvilluan instruktazhin me punonjësit e Policisë të angazhuar me detyra në procesin zgjedhor.

Punonjësve të Policisë iu komunikuan detyrat që ka secili prej tyre për ruajtjen e qendrave dhe materialeve të votimit, si dhe masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e procesit gjatë procesit zgjedhor.

Është miratuar nga KQZ-ja gjithashtu dhe lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.

Në këtë proces janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit.