BILD: Mullahu Suprem i Iranit po planifikon arratisjen në Moskë bashkë me familjen

5 Janar 2026, 12:43 / BOTA ALFA PRESS
BILD: Mullahu Suprem i Iranit po planifikon arratisjen në Moskë

Informacione të nxehta nga shërbimet sekrete zbulojnë panikun në elitën iraniane!

Prej ditësh, njerëzit në Iran kanë dalë në rrugë duke thirrur: “Vdekje diktatorit!”

Bëhet fjalë për: Ajatollah Ali Khamenein (86 vjeç), Mullahun Suprem.

Ai mundohet të duket i qetë zyrtarisht, thekson fuqinë e forcave të sigurisë – por në prapaskenë duket se po përgatit planin B për të shpëtuar lëkurën e vet.

Sipas informacioneve të gazetës britanike “The Times”, Khamenei, i cili mban titullin zyrtar “Udhëheqësi Suprem”, ka urdhëruar përgatitjen e një plani emergjent për t’u larguar nga vendi në rast se trazirat përshkallëzohen.

Destinacioni i mundshëm i arratisjes: Moska, kryeqyteti i Rusisë.

Nuk është çudi, pasi në arenën ndërkombëtare, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin (73 vjeç) është një nga aleatët e fundit të Iranit. Në Lindjen e Mesme, mullahët konsiderohen gjithnjë e më të izoluar, dhe pas sulmeve të suksesshme izraelite ndaj programit bërthamor iranian në qershor 2025, janë ekspozuar edhe ushtarakisht.

Së bashku me familjarët e Khameneit – përfshirë djalin e tij dhe pasardhësin e parashikuar, Mojtaba – pritet të arratiset edhe një rreth i ngushtë prej deri në 20 këshilltarësh. Qeveria civile, e udhëhequr nga presidenti Massoud Pezeshkian (71 vjeç), nuk përmendet fare në dokument – dhe në shtetin teokratik gjithsesi ka shumë pak pushtet real.

Një rrugë arratisjeje për raste emergjente thuhet se është tashmë e përcaktuar. Gjithashtu po punohet për mbledhjen e pasurive, pronave jashtë vendit dhe parave cash, për të garantuar një largim të sigurt, citon “The Times” një burim nga shërbimet sekrete.

Me pak fjalë: dikush ka frikë seriozisht për pasurinë e madhe që ka grumbulluar gjatë viteve të sundimit.

Sipas “The Times”, edhe vetë Khamenei po vuan ende nga poshtërimi i qershorit, kur Izraeli eliminoi figurat kyçe të Gardës Revolucionare, çaktivizoi mbrojtjen ajrore deri në Teheran, dëmtoi rëndë programin e raketave balistike dhe tregoi se sa lehtë operon shërbimi sekret Mossad brenda Iranit.

SHBA-të e vulosën gjithçka me bombardimin e objekteve bërthamore nëntokësore.

Në një profil psikologjik të përgatitur nga një shërbim sekret perëndimor, Khamenei përshkruhet si i dobësuar – si mendërisht, ashtu edhe fizikisht. Këtë, ai po e kompenson gjithnjë e më shumë me paranojë.

Raporti thotë: “Nga njëra anë ai është fort i motivuar ideologjikisht, por nga ana tjetër është pragmatik në perceptimin e tij: ai i sheh kompromiset taktike si mjete për një qëllim më të lartë afatgjatë. Ai mendon në plan të gjatë.”

Nëse sundimi i tij shembet, një tentativë arratisjeje do të ishte përpjekja e fundit për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet.

Nëse arratisja realizohet, në Moskë Khamenei do të takonte një mik të vjetër: ish-diktatorin sirian Bashar al-Assad (60 vjeç), i cili pas rrëzimit të tij në fund të vitit 2024 u arratis në Rusi dhe, sipas zërave, dëshiron të rikthehet në profesionin e tij si okulist.

Për vite me radhë, të dy sundimtarët formuan të ashtuquajturën “Boshti i Rezistencës”, duke mbështetur grupe terroriste si Hamasi në Rripin e Gazës./BILD

Po ndodh...