Diplomatët rusë dhe amerikanë takohen për të diskutuar rivendosjen e marrëdhënieve

27 Shkurt 2025, 12:55 / BOTA ALFA PRESS

Diplomatët rusë dhe amerikanë takohen për të diskutuar

Diplomatët rusë dhe amerikanë u takuan sot në Turqi për bisedime – për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi punën e ambasadave të tyre përkatëse në Uashington dhe Moskë, si pjesë e përpjekjeve për të rivendosur marrëdhëniet më të gjera dhe për të punuar drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, sipas “Reuters”.

Kremlini, vitin e kaluar i përshkroi marrëdhëniet si “nën zero” nën drejtimin e Joe Biden, i cili mbështeti Ukrainën me ndihmë dhe armë dhe vendosi sanksione ndaj Rusisë për ta ndëshkuar atë për luftën që nisi në vitin 2022.

“Bisedimet, të mbajtura në rezidencën e konsullit të përgjithshëm të SHBA-së, në Stamboll – pasojnë takimin e parë të nivelit të lartë të këtij muaji midis dy fuqive të mëdha – që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë”, sipas “Moscow Times”.

Asnjëra palë nuk bëri të ditur pjesëmarrësit, megjithëse agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se delegacioni rus përfshinte përfaqësues nga Ministria e Jashtme.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërkuar të rivendosë marrëdhëniet me Moskën që nga marrja e detyrës muajin e kaluar, duke kontaktuar presidentin rus Vladimir Putin dhe duke nisur bisedimet e nivelit të lartë për herë të parë në më shumë se tre vjet.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio u takuan më 18 shkurt në Riad të Arabisë Saudite, ku ranë dakord për fillimin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Bisedimet në Stamboll kanë për qëllim normalizimin e operacioneve të misioneve diplomatike të të dy vendeve pas një sërë dëbimesh të personelit të ambasadës gjatë ish-administratave amerikane.

Anëtari i NATO-s, Turqia ka luajtur më parë një rol ndërmjetësues në konfliktin e Ukrainës, duke pritur negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit në mars 2022. 

 

Po ndodh...

ide