Donald Trump për përfundimin e luftës: Ukraina është gati, pyesni Rusinë!

24 Janar 2025, 09:17 / BOTA ALFA PRESS

Donald Trump për përfundimin e luftës: Ukraina është

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shprehu dëshirën për një takim të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, me qëllim sigurimin e përfundimit të konfliktit gati trevjeçar në Ukrainë, që ka shkaktuar viktima të shumta dhe pasoja të rënda humanitare.

Në një deklaratë përmes një video-lidhjeje gjatë Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump u shpreh me shqetësim për humbjet masive të jetëve dhe pasojat e luftës.

“Do të doja shumë të takohem së shpejti me presidentin Putin për ta përfunduar këtë luftë. Miliona jetë po humbasin, është një masakër”, tha ai. Sipas tij, është koha që të dyja palët të ndërmarrin hapa konkrete drejt një zgjidhjeje paqësore.

“Duhet të pyesni Rusinë. Ukraina është e gatshme të arrijë një marrëveshje paqeje”, tha Trump kur u pyet për qëndrimin e palëve në konflikt.

Në vijim, ai kërcënoi se Rusia do të përballet me sanksione të reja ekonomike nëse nuk arrin një marrëveshje të shpejtë me Ukrainën për t’i dhënë fund konfliktit.

“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse të rris taksat, tarifat dhe sanksionet ndaj gjithçkaje që Rusia mund të shesë SHBA-së, si dhe vendeve të tjera që do t’i bashkohen”, pohoi ai, duke shtuar se SHBA është e vendosur të përdorë çdo mjet për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Kjo situatë mbetet një çështje komplekse gjeopolitike, ku diplomacia dhe interesat strategjike do të luajnë një rol vendimtar për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ndryshe, Rusia nisi pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.