Donald Trump zbardh bisedën me Netanyahun: Diskutim shumë i mirë! Me Iranin po përpiqemi për një marrëveshje, por është negociator i vështirë

9 Qershor 2025, 23:04 / BOTA ALFA PRESS

Donald Trump zbardh bisedën me Netanyahun: Diskutim shumë i mirë!

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike “shumë të mirë” me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë negociatat bërthamore me Iranin dhe situatën në Gaza.

Trump njoftoi gjithashtu se të enjten SHBA pritet të zhvillojë një takim me përfaqësues të Iranit, duke theksuar vështirësitë në arritjen e një marrëveshjeje.

Ai deklaroi për mediat se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të arrijnë një marrëveshje me Iranin për të shmangur “shkatërrimin dhe viktimat”, por e cilësoi Teheranin si “negociator të vështirë”.

“Po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje në mënyrë që të mos kemi katastrofa dhe vdekje,” tha Trump. Sipas tij, pengesa kryesore është fakti që Irani kërkon kushte që “nuk mund të pranohen”. Ai shtoi se Teherani nuk dëshiron të heqë dorë nga kapaciteti për pasurimin e uraniumit – një çështje kyçe që SHBA nuk është e gatshme ta tolerojë, edhe pse oferta amerikane lejon, në mënyrë të kufizuar dhe të përkohshme, pasurim në territorin iranian.

“Nuk janë të pranueshme kërkesat e tyre. U’a kam thënë qartë,” deklaroi Trump, pa sqaruar nëse Irani i ka dhënë një përgjigje zyrtare propozimit amerikan.

Çështja e Gazës dhe pengjeve

I pyetur për negociatat në vazhdim për lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, Trump konfirmoi se bisedimet janë ende në rrjedhë dhe se “Irani është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë”. Ai nuk dha më shumë detaje, duke lënë të paqartë rolin e Iranit në procesin e ndjeshëm të bisedimeve për armëpushim në Rripin e Gazës.

“Do të shohim çfarë do të ndodhë me Gazën. Duam t’i marrim pengjet mbrapsht,” shtoi ai.

Trump u pyet gjithashtu për incidentin e fundit ku marina izraelite kapi një anije që transportonte aktivisten për klimën Greta Thunberg, e cila po përpiqej të thyen izolimin izraelit ndaj Gazës.

Presidenti amerikan nuk kurseu ironinë ndaj saj: “Greta është një vajzë e çuditshme, shumë e zemëruar. Duhet të ndjekë disa kurse për menaxhimin e inatit,” tha Trump, duke vijuar polemikat e vjetra mes tij dhe aktivistes suedeze, që datojnë që nga viti 2019.

 

Po ndodh...

ide