Franca drejt zgjedhjeve të parakohshme? Macron në presion, qeveria paralajmëron prefekturat “Përgatituni”

7 Tetor 2025, 20:24 / BOTA ALFA PRESS

Franca drejt zgjedhjeve të parakohshme? Macron në presion, qeveria

Situata politike në Francë vijon të jetë kritike, ndërsa presidenti Emmanuel Macron përballet me presion të shtuar, jo vetëm nga opozita dhe opinioni publik francez, por edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, për shkak të krizës buxhetore që përfshin vendin dhe pasigurive për buxhetin e vitit 2026, i cilësuar si një “fushë me mina”.

Sipas burimeve që nuk janë mohuar nga Pallati Elize, Macron po shqyrton seriozisht mundësinë për shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, vetëm 1 vit e 4 muaj pas votimeve të fundit.

Zgjedhje më 16 dhe 23 nëntor?

Sipas raportimeve, presidenca franceze ka nisur paralajmërime jozyrtare drejt të gjitha prefekturave dhe rajoneve të Francës me mesazhin: “Përgatituni”. Si datë më e mundshme për raundin e parë të zgjedhjeve përmendet e diela, 16 nëntor, ndërsa raundi i dytë do të mbahej një javë më pas, më 23 nëntor.

Nëse këto plane konkretizohen, Macron duhet të shpërndajë zyrtarisht Asamblenë Kombëtare dhe të nënshkruajë dekretin presidencial për thirrjen e zgjedhjeve.

Një tjetër fushatë “express” përballë rritjes së ekstremit të djathtë

Ky skenar do të vendoste sërish Francën në një fushatë zgjedhore të përshpejtuar, të ngjashme me atë të një viti më parë, kur zgjedhjet parlamentare u mbajtën vetëm pak javë pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, ku ekstremi i djathtë, i udhëhequr nga Le Pen dhe Bardella, shënoi një fitore dërrmuese.

Po ndodh...