G7 thirrje Rusisë të pranojë armëpushimin në Ukrainë: Nëse marrëveshja nuk arrihet, Moska do të përballet me sanksione të mëtejshme!

14 Mars 2025, 22:46 / BOTA ALFA PRESS

G7 thirrje Rusisë të pranojë armëpushimin në

Kryediplomatët e shtatë demokracive kryesore perëndimore i kërkuan Rusisë të premten të pranojë një armëpushim të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për luftën Rusi-Ukrainë.

“I bëmë thirrje Rusisë që të reagojë dhe të bjerë dakord për një armëpushim në kushte të barabarta dhe duke e zbatuar atë plotësisht”, thanë diplomatët në një deklaratë të përbashkët në fund të takimit në Kanada.

“Diskutuam për imponimin e kostove të mëtejshme ndaj Rusisë në rast se një armëpushim i tillë nuk arrihet, përfshirë sanksione të mëtejshme, kufizime për çmimet e naftës, si dhe mbështetje shtesë për Ukrainën dhe masa të tjera.

Shtëpia e Bardhë tha se i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Ëitkoff, foli me presidentin rus Vladimir Putin të enjten.

“Të gjithë ministrat e jashtëm të G7 janë dakord me propozimin e SHBA-së për një armëpushim që të mbështetet nga ukrainasit” dhe fokusi tani është tek përgjigjia e Rusisë, tha të premten ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly.

Ajo shtoi se “topi tani është në fushën e Rusisë kur bëhet fjalë për Ukrainën”. Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy i bëri jehonë kësaj ideje, duke deklaruar, “Ka një emërues të përbashkët se tani është koha për një armëpushim pa kushte.

Ukraina e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Tani i takon Rusisë ta pranojë atë.”

Zoti Lammy vuri në dukje gjithashtu se po formohet një “koalicion” për t’i siguruar Ukrainës “arkitekturën e sigurisë” të nevojshme dhe mekanizmat e monitorimit për të mbështetur armëpushimin.

Deklarata e përbashkët e G7 vjen pasi Kremlini tha se mbetet shumë për të bërë për një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, duke sinjalizuar hezitim për të miratuar plotësisht propozimin amerikan.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini ende pret përgjigje pasi ngriti disa pyetje në lidhje me zbatimin e armëpushimit.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e hodhi poshtë përgjigjen e Putinit duke thënë se kishte vendosur me “qëllim” kushte që ndërlikojnë dhe “zvarritin procesin”.

“Një armëpushim i përkohshëm i pakushtëzuar 30-ditor është hapi i parë vendimtar që mund të na sjellë dukshëm më pranë një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme,” u shpreh zoti Zelenskyy të mërkurën në një postim në platformën e mediave sociale X.

Bisedimet e G7 në Charlevoix, Quebec, mblodhën së bashku ministra nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Përveç çështjes së Ukrainës, ministrat e jashtëm të G7 diskutuan me dyer të mbyllura edhe rolin e Kinës në sigurinë globale, stabilitetin për rajonet e Oqeanit Indian dhe Paqësor dhe sigurinë detare.

Të premten, ministrat e jashtëm të G7 mbajtën një seancë të fokusuar në sfidat strategjike që paraqesin Kina, Koreja e Veriut, Irani dhe Rusia.

Shumë analistë të politikës së jashtme dhe zyrtarë ushtarakë u referohen këtyre katër vendeve si “Boshti i trazirave”, duke iu referuar bashkëpunimit të tyre antiperëndimor në rritje.

Deklarata e përbashkët e G7 tha se grupi mbetet “i shqetësuar me rritjen ushtarake të Kinës dhe rritjen e vazhdueshme dhe të shpejtë të arsenalit të armëve bërthamore të Kinës”.

Ata i bënë thirrje Kinës që të angazhohet në diskutime strategjike për reduktimin e rrezikut dhe të promovojë stabilitetin përmes transparencës.

Ministrat e jashtëm rikonfirmuan gjithashtu shqetësimet e tyre serioze për situatat në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, duke kundërshtuar fuqishëm çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në, veçanërisht përmes forcës ose detyrimit.

Anëtarët e G7 theksuan gjithashtu rëndësinë e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit, duke përsëritur kundërshtimin e tyre ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në me forcë ose detyrim.

Një armëpushim i mundshëm në luftën Rusi-Ukrainë mund të ndikojë në praninë e SHBA-së në Indo-Paqësorin, pasi zyrtarët dhe analistët sugjerojnë se përfundimi i konfliktit do të lejonte Uashingtonin të ridrejtonte burimet drejt adresimit të sfidave në rajon.

“Unë nuk mendoj se një konflikt i pafund dhe i vazhdueshëm në Evropë apo në Ukrainë është i mirë për rajonin Indo-Paqësor. Ai largon shumë vëmendjen, kohën dhe burimet e botës larg zonave ku ne vazhdojmë të shohim kërcënime në rritje, “i tha zoti Rubio Zërit të Amerikës në fillim të kësaj jave gjatë një konference në bordin e një aeroplani ushtarak.

“Në shumë mënyra, ne mund të shpenzojmë edhe më shumë kohë të përqendruar në Indo-Paqësorin, nëse disi mund të sjellim paqe në kontinentin evropian,” vuri në dukje diplomati i lartë amerikan./VOA

 

Po ndodh...