Japonia në alarm! Tërmeti i fuqishëm 7.6 ballë shkakton cunami, lëndohen të paktën 30 persona

9 Dhjetor 2025, 09:06 / BOTA ALFA PRESS

Japonia në alarm! Tërmeti i fuqishëm 7.6 ballë shkakton

Një tërmet i fuqishëm që goditi Japoninë vonë të hënën në mbrëmje , duke shkaktuar disa valë cunami prej 70 centimetrash, plagosi të paktën 30 persona, tha sot Kryeministri Sanae Takaichi.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) paralajmëroi se tërmeti me magnitudë 7.6 ballë në det pranë prefekturës veriore të Aomorit në orën 23:15 (me orën lokale; ora 16:15 ET) mund të pasohet nga lëkundje të forta pasuese në ditët në vijim.

Kryeministri Takaichi i kërkoi popullsisë të marrë masa për të mbrojtur veten në rast të dridhjeve të mëtejshme.

Midis të plagosurve ishte një person i plagosur rëndë në ishullin më verior të Hokkaidos, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive të Japonisë, e cila rekomandoi evakuimin urgjent të 28,000 qytetarëve nga shtëpitë e tyre.

Në Sapporo, qytetin më të madh në ishullin Hokkaido, një gazetar i AFP raportoi se toka u drodh me forcë për rreth tridhjetë sekonda, ndërsa mesazhet paralajmëruese u përhapën pa pushim në telefonat celularë të banorëve.

Pamjet e drejtpërdrejta treguan xhama të thyer të shpërndarë nëpër rrugë. Kur agoi, banorët zbuluan se disa rrugë ishin dëmtuar, pasi bora kishte filluar të mbulonte tokën në zonë.

“Kur e ndjemë tërmetin dhe u aktivizua alarmi, dolëm me nxitim nga shtëpia. Po mbanim fëmijët tanë” – një vajzë dyvjeçare dhe një djalë njëvjeçar – “në krahë. Tërmeti më kujtoi katastrofën” në Fukushima në vitin 2011, tha për AFP-në Daiki Shimohata, 33 vjeç, një punonjës bashkiak në qytetin Hashikami, prefektura Aomori.

“Objektet ranë” nga raftet dhe “një lloj pluhuri ra nga tavani”, tha ai pasi vizitoi një strukturë bashkiake.

Rreth 2,700 shtëpi në Aomori mbetën pa energji elektrike, raportoi agjencia e lajmeve Kyodo, ndërsa u raportuan zjarre.

JMA në paralajmërimin e saj fillestar për cunami tha se valët mund të arrinin tre metra lartësi dhe u bëri thirrje banorëve në zonat më afër epiqendrës të kërkonin strehim.

Ndërprerje e shërbimeve hekurudhore

Shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë Shinkansen u pezulluan në disa zona për inspektime të shinave.

Tohoku Electric Power tha se nuk u gjetën anomali në dy termocentralet bërthamore më të afërta, në Higashidori (Aomori) dhe Onagawa (Miyagi).

Vendi aziatik është ende duke u tronditur nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 9.0 në mars 2011 që shkaktoi një cunami dhe la rreth 18,500 të vdekur ose të zhdukur.

Fatkeqësia çoi gjithashtu në shkrirjen e tre reaktorëve në termocentralin bërthamor të Fukushimës, katastrofa më e keqe e këtij lloji që nga Çernobili në Ukrainë.

Japonia, e cila ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, është një nga vendet më sizmikisht aktive në botë.

Arkipelagu prej 125 milionë banorësh përjeton rreth 1,500 tërmete të ndjera në vit. Shumica janë të vogla, por dëmi ndryshon në varësi të vendit ku është epiqendra dhe terrenit.

Në janar, një panel ekspertësh që këshillojnë qeverinë e rriti pak probabilitetin e një tërmeti të madh në çarjen Nankai, pranë brigjeve të Japonisë, brenda 30 viteve të ardhshme në 75-82%.

Qeveria më pas publikoi një vlerësim të ri në mars, duke treguar se një “megatërmet” i tillë dhe cunami që do të shkaktonte mund të vrisnin deri në 298,000 njerëz dhe të shkaktonin dëme materiale me vlerë deri në 2 trilionë dollarë.

Po ndodh...

ide