Konflikti në Lindjen e Mesme, Giorgia Meloni: Jam dakord me romakët, “nëse dëshiron paqen, duhet të përgatitesh për luftë”

24 Qershor 2025, 16:34 / BOTA ALFA PRESS

Konflikti në Lindjen e Mesme, Giorgia Meloni: Jam dakord me romakët,

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka rindezur debatin për mbrojtjen dhe sigurinë në Evropë, duke cituar një shprehje të lashtë romake gjatë fjalës së saj sot në Senatin e Italisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

“Sa i përket mbrojtjes, jam e të njëjtit mendim me romakët: nëse dëshiron paqe, duhet të përgatitesh për luftë. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk është për të sulmuar, por për të parandaluar konfliktet,” deklaroi Meloni.

Kryeministrja theksoi se një mbrojtje e fortë është mënyra më e mirë për të shmangur përplasjet e armatosura dhe shtoi se aktualisht Evropa ka nevojë për një strategji të qartë dhe të bashkërenduar përballë sfidave globale.

Sa i përket krizës në Lindjen e Mesme, Meloni theksoi se: “Nëse Irani do të heqë dorë nga programi bërthamor për qëllime ushtarake, rreziku për Izraelin dhe jo vetëm do të zbehej ndjeshëm. Më pas, e vetmja gjë që do të mbetej do të ishte një armëpushim në Gaza dhe një proces serioz drejt zgjidhjes me dy shtete.”

Meloni refuzoi që situata e tanishme kaotike në rajon t’i faturohet ish-presidentit amerikan Donald Trump. “Është e gabuar të thjeshtojmë një realitet kompleks. Kjo krizë nuk ka nisur sot,” u shpreh ajo.

Deklaratat e Melonit ngjallën reagime të forta në sallën e Senatit. Sekretarja e Partisë Demokratike (PD), Elly Schlein, reagoi duke kritikuar ashpër qasjen e kryeministres.

“Do t’i kujtoja zonjës Meloni se bota ka bërë përparim në mënyrën se si zgjidhen konfliktet ndërkombëtare. Të përgatitesh për luftë nuk është ajo që i duhet Italisë dhe as ajo që duan qytetarët tanë,” tha Schlein.

 

Po ndodh...