Nafta i afrohet 80 dollarëve për fuçi pas frikës për përshkallëzim konflikti në Lindjen e Mesme

7 Tetor 2024, 16:58 / BOTA ALFA PRESS

Nafta i afrohet 80 dollarëve për fuçi pas frikës për
Çmimet e naftës shënuan një tjetër rritje të hënën, duke tejkaluar nivelin e javës së kaluar, si rrjedhojë e frikës në rritje të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Nafta e papërpunuar Brent, pikë referimi globale e naftës, u rrit me 2.4 për qind për të arritur në 79.94 dollarë (72.79 euro) për fuçi, teksa Hamasi lëshoi raketa ndaj Izraelit, pasi ky i fundit kishte nisur sulme kundër objektivave në Gaza dhe Liban.

Çmimi, i cili kishte rënë ndjeshëm që nga fillimi i prillit, u shtrenjtua më shumë se 8 për qind javën e kaluar. Kjo ishte rritja më e madhe, që nga janari 2023 dhe u nxit nga sulmi me raketa i Iranit kundër Izraelit.

Tregtarët janë të shqetësuar se mund të ketë një goditje të mundshme kundër infrastrukturës energjetike në rajon që mund të pengojë furnizimet me naftë, ose ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.

Ka shenja që fondet e sofistikuara të investimeve (Hedge Funds), shumë prej të cilave kishin vënë baste për një rënie të vazhdueshme të çmimeve të naftës, kanë filluar të rregullojnë pozicionet e tyre. Fondet reduktuan pozicionet e tyre afatshkurtra ndaj Brent dhe rritën pozicionet e gjata në javën që përfundoi në 1 tetor, sapo filluan trazirat gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave të ICE.

Izraeli shënoi të hënën përvjetorin e parë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor. Ceremonitë e mbajtura në jug të Izraelit u ndërprenë nga grupi që lëshoi raketa nga Gaza. Raketat bënë gjithashtu që të ndizen sirenat në Tel Aviv.

Këto zhvillime vijnë në mes të një ofensive të re nga forcat izraelite në Gazën veriore dhe pasojnë një inkursion të trupave tokësore në Liban, ku Izraeli po shkëmben zjarr me Hizbullahun, përfaqësues i Iranit.

Presidenti i SHBA Joe Biden të enjten tha se Izraeli kishte diskutuar për të goditur objektet e naftës të Iranit si hakmarrje për një breshëri raketash iraniane të lëshuar në Izrael javën e kaluar. Më vonë ai sugjeroi se Izraeli duhet të shqyrtojë opsione të tjera.

“Nëse do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera përveç goditjes së fushave të naftës”, tha zoti Biden të premten.

Republika Islamike eksporton 1.7 milionë fuçi naftë në ditë, kryesisht nga një terminal në ishullin Kharg, rreth 25 km larg bregut jugor të vendit.

Daan Struyven, një analist në Goldman Sachs, u tha klientëve se nëse do të kishte një ndërprerje gjashtëmujore, duke arritur rreth 1 milion fuçi në ditë, kjo do ta çonte Brent në 85 dollarë në mesin e vitit të ardhshëm, nëse OPEC do të kompensonte mungesën që do të shkaktonte kjo ndërprerje. Nëse nuk do të kishte asnjë kompensim, atëhere çmimet mund të rriten në 90-95 dollarë, parashikoi ai.

“Investitorët janë të fokusuar në rrezikun që Izraeli dhe Irani mund të hyjnë në një cikël sulmesh hakmarrëse që mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë,” tha zoti Struyven./  Financial Times, Monitor

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128