Një virus i zakonshëm mund të nxisë zhvillimin e një lloji të rrezikshëm kanceri

Studimi i ri tregon se beta-HPV mund të integrohet në ADN dhe të nxisë zhvillimin e kancerit, veçanërisht tek personat me imunitet të dobësuar.
Shkencëtarët kanë arritur në një zbulim mbresëlënës që mund të ndryshojë mënyrën si e kuptojmë një nga format më të shpeshta të kancerit në botë.
Një tip i zakonshëm i virusit human papilloma (HPV), i njohur si beta-HPV, mund të jetë shumë më i rrezikshëm se sa mendohej më parë.
Deri më tani besohej se ky virus thjesht përkeqësonte dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga rrezatimi UV. Por një studim i ri tregon se ai mund të marrë drejtpërdrejt kontrollin mbi qelizat dhe të nxisë zhvillimin e kancerit.
Një kthesë e papritur në rastin e një pacienteje
Këto informacione dolën nga rasti i një gruaje 34-vjeçare, e cila po luftonte me karcinomën e qelizave skuamoze (cSCC) në ballë. Pavarësisht shumë operacioneve dhe imunoterapisë, tumoret i riktheheshin vazhdimisht.
Një analizë e detajuar gjenetike zbuloi një fakt tronditës: beta-HPV ishte integruar drejtpërdrejt në ADN-në e qelizave të kancerit, duke prodhuar proteina që përshpejtonin përparimin e sëmundjes. Ky është rasti i parë i konfirmuar ku beta-HPV është integruar në ADN-në qelizore dhe ka marrë pjesë aktive në ruajtjen e kancerit, raporton Science Alert.
Roli kyç i sistemit imunitar të dobësuar
Pacientja kishte një çrregullim të rrallë imunitar të trashëguar, që pengonte qelizat T, mbrojtësit kryesorë kundër infeksioneve – të sulmonin HPV-në. Edhe pse trupi i saj riparonte me sukses dëmtimet nga rrezatimi UV, imuniteti i dobët i lejoi virusit të përhapej dhe të merrte kontrollin.
Për pasojë, ajo vuante edhe nga simptoma të tjera të HPV-së, si lythat në lëkurë dhe në gojë.
“Kjo tregon se mund të ketë edhe persona të tjerë me formë agresive të cSCC-së, të cilët kanë defekte bazë imunitare dhe që mund të përfitojnë nga terapitë e fokusuara tek sistemi imunitar,” theksoi Andrea Lisco, specialiste e imunologjisë në Institutin Kombëtar Amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID).
Terapia revolucionare dhe shërimi i plotë
Pasi u zbulua shkaku i vërtetë i sëmundjes, mjekët aplikuan një terapi të synuar, transplantimin e qelizave staminale të palcës kockore për të zëvendësuar qelizat T të dëmtuara me qeliza të shëndetshme.
Trajtimi pati sukses të jashtëzakonshëm: jo vetëm që agresiviteti i kancerit të lëkurës u zhduk, por u zhdukën edhe të gjitha simptomat e tjera të HPV-së. Gjatë tre viteve të ndjekjes, nuk pati asnjë shenjë rikthimi të sëmundjes.
“Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e virusologëve, imunologëve, onkologëve dhe ekspertëve të transplantit, të gjithë punuan nën të njëjtin çati,” tha Lisco.
Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e trajtimit të kancerit?
Edhe pse rrezatimi UV mbetet shkaktari kryesor i kancerit të lëkurës, ky studim tregon se në raste të rralla, viruse si beta-HPV mund të kenë rol vendimtar, veçanërisht tek individët me sistem imunitar të dobësuar.
Zbulimi thekson edhe një herë rëndësinë e qasjes së personalizuar në trajtimin e kancerit, e cila po rezulton më efikase se metodat standarde. Për më tepër, jep shpresë për përmirësimin e luftës kundër viruseve si alfa-HPV, që shkakton kancerin e qafës së mitrës, sidomos duke pasur parasysh se vaksinimi ka ulur ndjeshëm vdekshmërinë.
“Kjo mund të ndryshojë tërësisht mënyrën si mendojmë për zhvillimin dhe trajtimin e cSCC-së tek pacientët me funksion të dëmtuar imunitar,” përfundoi Lisco.
Po ndodh...
ide
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
Edi Rama, Harari dhe algoritmi!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
