“O i çmendur!” Përplasje të forta me Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu, krisen marrëdhëniet mes dy aleatëve, Irani bombardon aeroportin e Kuvajtit

3 Qershor 2026, 11:06 / BOTA ALFA PRESS

“O i çmendur!” Përplasje të forta me Donald Trump

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas një sulmi me dron ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Kuvajtit dhe raportimeve për mosmarrëveshje të forta mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me zhvillimet e fundit ushtarake në rajon.

Sulmi ndaj aeroportit të Kuvajtit përbën një nga sfidat më serioze ndaj armëpushimit të brishtë të 8 prillit, i cili kishte arritur të mbahej kryesisht në fuqi pavarësisht incidenteve sporadike pas më shumë se një muaji luftimesh të shkaktuara nga përplasja mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Autoritetet kuvajtiane fajësuan drejtpërdrejt Iranin për sulmin. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, Gjeneral Brigade Saud Abdulaziz Al-Atëan, sulmi përbënte një “agresion kriminal iranian” që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesat e aeroportit dhe la të plagosur disa persona. Megjithëse numri i të lënduarve nuk u bë publik, autoritetet konfirmuan se të gjithë kishin marrë trajtim mjekësor.

Agjencia shtetërore e lajmeve KUNA raportoi se Autoriteti i Aviacionit Civil pezulloi përkohësisht trafikun ajror dhe devijoi fluturimet drejt aeroporteve alternative pasi Terminali 1 i aeroportit u godit gjatë sulmit.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit nuk e konfirmoi drejtpërdrejt shënjestrimin e aeroportit, por deklaroi se kishte ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë kundër objektivave amerikane në rajon. Sipas Teheranit, veprimet erdhën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi një kullë komunikimi në ishullin iranian Qeshm.

Situata u tensionua edhe më tej pasi Bahreini raportoi sulme të ngjashme me dronë gjatë natës. Në reagim, Emiratet e Bashkuara Arabe kërkuan një front të përbashkët të vendeve të Gjirit kundër Iranit. Këshilltari presidencial emiratas, Anëar Gargash, deklaroi se agresioni iranian nuk përbën kërcënim vetëm për një shtet, por për të gjithë rajonin.

Përshkallëzimi vjen në një moment delikat diplomatik, ndërsa zyrtarë amerikanë, izraelitë dhe libanezë po zhvillojnë bisedime për t’i dhënë fund konfliktit paralel mes Izraelit dhe Hezbollahut. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se grupi i mbështetur nga Irani mbetet pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje.

Megjithatë, situata në Liban vazhdon të mbetet e paqëndrueshme. Sulmet izraelite kanë goditur dhjetëra zona në jug të vendit, ndërsa Hezbollahu ka vazhduar të sulmojë forcat izraelite në territoret që i konsideron të pushtuara.

Në qendër të vëmendjes është edhe përplasja e raportuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Sipas medias amerikane Axios, Trump i ka bërë presion Netanyahut që të frenojë ofensivën ushtarake në Liban, duke e cilësuar atë si “të çmendur” gjatë një bisede telefonike.

Raporti sugjeron se Uashingtoni është i shqetësuar se zgjerimi i operacioneve izraelite në Liban mund të minojë armëpushimin e arritur me Iranin dhe të ndezë një konflikt edhe më të gjerë rajonal. Ditët e fundit, forcat izraelite kanë ndërmarrë ofensivën e tyre më të thellë tokësore në Liban në dy dekadat e fundit, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të luftës në Lindjen e Mesme.

Po ndodh...

ide