Për herë të parë në 45 vite, bie përqindja e grave në PE

Përqindja e grave në Parlamentin Europian është ulur për herë të parë, tregojnë të dhënat, ndërsa mosha mesatare është rritur lehtë.
720 anëtarët e sapozgjedhur të Parlamentit Europian (PE) do të shkojnë në Strasburg javën e ardhshme, për seancën e parë plenare të legjislaturës së 10-të.
Të dhënat nga EUMatrix tregojnë se gratë do të përbëjnë 38.75% të eurodeputetëve.
Vetëm grupi i të Gjelbërve/EFA do të ketë barazi, me 50.9% deputete femra brenda radhëve të tij. Të majtit dhe të qendrës Reneë, vijnë më pas me rreth 45%, ndërsa pak më shumë se një e pesta (21.7%) e eurodeputetëve nga Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë (ECR) të djathtë, do të jenë femra – shifra më e ulët nga të gjitha grupet.
Përqindja më e ulët e grave, mund të shpjegohet me rezultatet e zgjedhjeve, të cilat panë që të Gjelbërit/EFA, Reneë dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) humbën vende. Vetëm grupi i Majtë rriti numrin e eurodeputetëve.
Ndërkohë, Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë (EPP) dhe ECR fituan vende si dhe forcat euroskeptike të ekstremit të djathtë, të cilat tani formojnë dy grupe: Patriotët për Europën dhe Europa e Kombeve Sovrane.
Partitë jo-tradicionale tërheqin deputetë më të rinj
Mosha mesatare është rritur shumë pak nga 49.5 vjeç në 50 vjeç, ka gjetur EUMatrix, me rreth një të pestën e deputetëve nën 40 vjeç dhe një të pestën tjetër mbi 60 vjeç.
Eurodeputetja më e re është aktivistja austriake për klimën Lena Schilling, 23-vjeçare dhe më e madhja është 76-vjeçari Leoluca Orlando, ish-kryebashkiak i Palermos, të dy nga grupi i të Gjelbërve/EFA.
Të rinjtë priren të zgjedhin partitë e krijuara kohët e fundit, si të Gjelbërit (41.5%) dhe disa nga partitë e reja të krahut të majtë. Partitë më tradicionale kanë një moshë mesatare pak më të lartë.
EPP ka përqindjen më të ulët të deputetëve nën 40 vjeç (11.17%), ndërsa Europa e Kombeve Sovrane, parti e sapoformuar e ekstremit të djathtë dhe të Gjelbërit/EFA kanë pjesën më të lartë, përkatësisht me 32.14% dhe 41.51%.
Në përgjithësi, të rinjtë që duan të përfshihen në politikë, duhet të gjejnë rrugën më të shpejtë drejt majës. Dhe rruga më e shpejtë nuk është nëpërmjet partive tradicionale, sepse ka ende shumë personalitete të rëndësishme, që luajnë një rol drejtues.
Shumica e eurodeputetëve nga partitë joqeveritare
Një tjetër statistikë interesante nga parlamenti i ri, është se gati dy të tretat (61.5%) e eurodeputetëve vijnë nga partitë joqeveritare.
Kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërinstitucionale, pasi këta deputetë nuk kanë interes të mbështesin atë, që qeveria e tyre mbron në nivelin e Këshillit Europian.
Prandaj, ata shpesh sillen në kundërshtim me Këshillin dhe Komisionin, veçanërisht sepse nuk janë partitë e tyre ato, që i zgjedhin komisionerët. Në rastin e Komisionit Europian, ata janë më të interesuar të kritikojnë, të monitorojnë.
Dy nga vendet anëtare më të prekura janë Franca dhe Gjermania, që shihen si motori i energjisë i bllokut.
85 përqind e deputetëve francezë në Parlamentin Europian, nuk i përkasin partisë së qeverisë aktuale të Presidentit Emmanuel Macron. Kjo do të thotë se shumica e eurodeputetëve do të kritikojnë gjithçka, që Macron bën në Këshillin Europian.
Së fundi, mbi gjysma e eurodeputetëve janë të sapoardhur dhe do të duhen rreth gjashtë muaj, që ata të kuptojnë se si funksionon Parlamenti Europian.
Prandaj, ata që janë rizgjedhur duhet të kenë avantazhin, pasi “dinë të bëhen më me ndikim dhe mund të bëhen më lehtë raportues dhe presidentë komiteti.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
Kush është Lepuri i Surrelit?
Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

