Përplasje të rënda, fermerët në Kretë përleshen dhunshëm me forcat e policisë! Vijojnë protestat

8 Dhjetor 2025, 16:19 / BOTA ALFA PRESS

Përplasje të rënda, fermerët në Kretë

Përplasjet e rënda shpërthyen sot në Heraklion dhe Hania mes fermerëve dhe forcave speciale të policisë (MAT), jashtë aeroporteve të dy qyteteve më të mëdha të Kretës. Situata degjeneroi në përleshje të ashpra, teksa fermerët thyen bllokadat e policisë dhe shtynë mbrapa forcat e rendit.

Protestuesit arritën të çajnë kordonin e policisë dhe u drejtuan drejt aeroportit të Hanias. Gjatë tensioneve, ata përmbysën një makinë patrulle të policisë dhe dëmtuan një furgon të MAT-it.

Mbyllet aeroporti “Nikos Kazantzakis” në Heraklion

Në aeroportin e Heraklionit protestat e fermerëve dhe blegtorëve vijuan me intensitet. Disa prej tyre arritën të depërtojnë në pistën e aeroportit “Nikos Kazantzakis”, duke detyruar autoritetet të pezullojnë aktivitetin e aeroportit deri në një njoftim të ri.

Drejtoria e Policisë së Heraklionit njoftoi se për shkak të protestave bujqësore ndalohet qarkullimi i automjeteve në:

segmentin e Boshtit Verior Rrugor të Kretës nga nyja e Kallitheas deri në nyjen e Kastellit

segmentin e vjetër të autostradës Heraklion–Agios Nikolaos, nga kryqëzimi Karteros–Episkopi deri në kryqëzimin L. Ikarou–Karterou

Qarkullimi do të devijohet si më poshtë:

Nga Agios Nikolaos drejt Heraklionit: mjetet do të dalin në Hersonisos dhe do të ndjekin rrugën kombëtare Heraklion–Kastelli drejt Kastelli–Peza–Heraklion.

Nga Rethymno drejt Agios Nikolaos: mjetet do të devijohen drejt daljes Kazantzidis dhe përmes rrugës provinciale Heraklion–Peza do të vazhdojnë drejt Peza–Kastelli–Hersonisos–BOAK–Agios Nikolaos.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e policisë për të garantuar qarkullim të sigurt dhe të rregullt.

 

Po ndodh...

ide