SHBA ndryshon politikën në Siri: Nga 8 baza ushtarake, mbetet vetëm një

3 Qershor 2025, 17:21 / BOTA ALFA PRESS

SHBA ndryshon politikën në Siri: Nga 8 baza ushtarake, mbetet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndryshojnë rrënjësisht politikën e tyre në Siri, duke mbyllur shtatë nga tetë bazat ushtarake që kishin në vend, si pjesë e një qasjeje të re që vjen pas vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për stabilizim të rajonit.

Lajmi u konfirmua nga i dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë, Barak, i cili u emërua në këtë post muajin e kaluar nga presidenti Donald Trump. Barak deklaroi se “asnjë nga politikat e deritanishme të SHBA-së në Siri nuk ka funksionuar për më shumë se një shekull”, duke theksuar se ka ardhur koha për një kthesë strategjike.

Aktualisht, rreth 2.000 trupa amerikane ndodhen në verilindje të Sirisë, ku bashkëpunojnë me Forcat Demokratike Siriane (SDF) për të parandaluar rikthimin e grupit terrorist ISIS. Megjithatë, me planin e ri, pritet që shumica e këtyre trupave të tërhiqen nga disa zona, duke u përqendruar vetëm në një bazë në provincën Hasaka.

Sipas burimeve të sigurisë, pajisje ushtarake dhe mjete tashmë janë tërhequr nga qyteti i Deir ez-Zor dhe janë transferuar në Hasaka, ku do të bëhet konsolidimi i forcave.

Pas rrëzimit të presidentit sirian Bashar al-Assad në dhjetor nga opozita dhe ardhjes në pushtet të liderit të ri Ahmed al-Sharaa, SHBA dhe disa vende të tjera perëndimore kanë filluar të rivendosin marrëdhëniet me Damaskun. Këtë javë, për herë të parë që nga viti 2012, u ngrit flamuri amerikan në rezidencën ambasadoriale në Damask, një simbol i qartë i ndryshimit të qëndrimit diplomatik amerikan.

Barak, i cili është gjithashtu ambasador i SHBA-së në Turqi, u shpreh se SDF mbeten një partner kyç për Uashingtonin dhe për Kongresin amerikan, dhe se integrimi i tyre në qeverinë e re siriane është një element i domosdoshëm për suksesin e stabilizimit të vendit.

E ardhmja e kurdëve dhe qëndrimi i Ankarasë

SDF mbështetet kryesisht në milicinë kurde YPG, e cila konsiderohet nga Turqia si degë e PKK-së, organizatë e shpallur terroriste. Megjithatë, PKK shpalli shpërbërjen e saj muajin e kaluar pas 40 vitesh konflikti me shtetin turk.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka akuzuar SDF-në për “taktika vonesash” në zbatimin e marrëveshjes për integrimin e saj në forcat e armatosura të Sirisë. Sidoqoftë, administrata amerikane duket e vendosur që ta mbështesë këtë proces si pjesë e zgjidhjes afatgjatë për Sirinë.

 

Po ndodh...

ide