SHBA-të thirrje Turqisë dhe vendeve të NATO-s: Mos importoni më energji, naftë dhe gaz nga Rusia!

11 Nëntor 2025, 18:36 / BOTA ALFA PRESS

SHBA-të thirrje Turqisë dhe vendeve të NATO-s: Mos importoni

Qëndrimi i Uashingtonit, të cilin Donald Trump e ka shprehur shumë herë kohët e fundit, në lidhje me ndërprerjen e importit të energjisë ruse nga aleatët e NATO-s, u përsërit nga zv/presidenti J.D. Vance dhe sekretari Marco Rubio, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

Siç u informua në njoftimin përkatës të Departamentit të Shtetit, dy zyrtarët e qeverisë amerikane “vunë re thirrjen e Presidentit Trump drejtuar të gjithë aleatëve të NATO-s që të ndalojnë blerjen e energjisë ruse në mënyrë që të ndihmojnë në përfundimin e luftës së vazhdueshme në Ukrainë”.

Sipas të dhënave në dispozicion, Turqia është importuesja e tretë më e madhe e naftës bruto ruse pas Kinës dhe Indisë, ndërsa importon sasi të mëdha të gazit natyror rus. Bashkëpunimi shtrihet edhe në fushën e energjisë bërthamore, pasi termocentrali në ndërtim e sipër në Akkuyu është rezultat i një marrëveshjeje ndërqeveritare ruso-turke dhe bazohet në teknologjinë ruse.

Kjo ishte hera e dytë në vetëm dy muaj që Uashingtoni ka bërë presion publikisht ndaj Ankarasë që të ndalojë importimin e hidrokarbureve nga Rusia, pasi funksionon si një qendër për anashkalimin e sanksioneve që synojnë dobësimin e makinës së luftës së Moskës.

E para ishte gjatë takimit të Trump me Presidentin turk Tayyip Erdogan në fund të shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Gjëja më e mirë që ai mund të bënte është të mos blinte naftë dhe gaz nga Rusia”, vuri në dukje presidenti i SHBA-së në atë kohë.

Shitjet e naftës, produkteve të naftës dhe gazit tradicionalisht kanë qenë një pjesë shumë e madhe e të ardhurave buxhetore të Rusisë dhe një burim kritik i financimit të luftës në Ukrainë.

 

 

Po ndodh...

ide