Skoci/ Qindra të burgosur do të lirohen për të luftuar mbipopullimin e burgjeve

18 Shkurt 2025, 14:19 / BOTA ALFA PRESS

Skoci/ Qindra të burgosur do të lirohen për të luftuar

Qindra të burgosur do të lirohen nga burgjet skoceze në javët e ardhshme, si pjesë e një legjislacioni të ri që synon të lehtësojë mbipopullimin.

Pothuajse 400 të dënuar, të cilët po vuajnë dënime më të shkurtra se katër vjet, do të përfitojnë nga lirimi i parakohshëm, me kushtin që të kenë shlyer të paktën 40% të dënimit të tyre.

Sidoqoftë, ligji përjashton nga kjo masë të dënuarit për abuzim në familje dhe krime seksuale.

Parlamenti skocez miratoi këtë reformë vitin e kaluar, në një përpjekje për të trajtuar krizën e mbipopullimit në burgje, të cilat aktualisht mbajnë shumë më tepër se kapaciteti i tyre prej rreth 8,000 të burgosurish.

Sistemi penal skocez po përballet me sfida të mëdha, përfshirë rritjen e dhunës, aktivitetet e bandave dhe kontrabandën, veçanërisht të drogës, që vazhdon të jetë një problem serioz.

Autoritetet janë përballur edhe me vështirësi për shkak të numrit të lartë të të pandehurve që presin gjykimin, një situatë e rënduar pas pandemisë COVID-19.

Sekretarja skoceze e drejtësisë, Angela Constance, tha se masa synon të lirojë hapësirë për të dënuarit më të rrezikshëm dhe se mbipopullimi në burgje është një çështje emergjente jo vetëm në Skoci, por në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Problemet në sistemin penal britanik janë theksuar nga disa skandale të bujshme, përfshirë arratisjen e ish-ushtarit Daniel Khalife nga burgu HMP Wandsworth në shtator 2023 dhe një rast të profilit të lartë ku një oficere burgu u dënua me burg pasi u kap duke kryer marrëdhënie me një të dënuar në qelinë e tij.

 

Po ndodh...