Ushtria amerikane shkatërron anije patrulluese të rebelëve të Huthit

14 Qershor 2024, 08:52 / BOTA ALFA PRESS

Ushtria amerikane shkatërron anije patrulluese të rebelëve

Ushtria amerikane tha të enjten vonë se i ka shkatërruar dy anije patrulluese, një anije pa ekuipazh dhe një dron të rebelëve Huthi në Detin e Kuq, në vazhdën e përpjekjeve për rrënimin e kapaciteteve të grupit të mbështetur nga Irani.

Lëvizja Huthi, e cila i kontrollon pjesët më të populluara të Jemenit, i sulmoi anijen e mallrave Verbena në Detin Arabik, si dhe anijet e Seaguardian dhe Athina në Detin e Kuq, tha të enjten zëdhënësi i grupit të mbështetur nga Irani, Yahya Saree.

Sulmi ndaj Verbenas shkaktoi zjarr dhe e plagosi rëndë njërin prej anëtarëve të ekuipazhit të saj, tha Komanda Qendrore e SHBA-së.

Rebelët i shkrepën dy raketa balistike kundër anijeve në Detin e Kuq nga një zonë e kontrolluar nga Huthi në Jemen, tha Komanda Qendrore, duke shtuar se nuk kishte dëme apo të plagosur nga ky sulm.

Rebelët Huthi kanë kryer sulme ndaj anijeve në brigjet e Jemenit prej nëntorit të vitit të kaluar. Ata thonë se po i kryejnë këto sulme në shenjë mbështetjeje për palestinezët në Rripin e Gazës, të cilët janë duke u përballur me një luftë tashmë tetëmujore me Izraelin.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “do të vazhdojmë të veprojmë me partnerët tanë për t’i mbajtur përgjegjës huthët dhe për t’i dobësuar kapacitetet e tyre ushtarake”.

Sulmet e këtij grupi të mbështetur nga Irani janë duke e penguar transportin tregtar global, duke i detyruar kompanitë të marrin rrugë të gjata dhe më të kushtueshme përreth Afrikës jugore.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme ajrore kundër caqeve të Huthit, si përgjigje ndaj sulmeve të këtij grupi kundër anijeve tregtare.

Sulmet nga rebelët e Huthit kanë rritur shqetësimet gjithashtu se lufta në Gazë, që nisi më 7 tetor, mund të përhapet dhe ta trazojë tërë rajonin e Linjdes së Mesme.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit në Gazë, deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 80.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit.

Izraeli ka thënë se nuk do të ndalë luftën në Gazë derisa t’i arrijë dy qëllimet veta: shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve./REL 

 

Po ndodh...