Programi më i madh i Investimeve në histori! Kompanitë që ndërtuan Bllokun e Ministrive, Portin e Durrësit e Pallatet Mbretërore
Pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të vuante problematika serioze ekonomike e ndaj do të kishte diskutime të shumta lidhur me rrugën që duhej ndjekur për të arritur zhvillimin e vendit. Në këtë periudhë, në Shqipëri do të vinin studiues të huaj që do të analizonin potencialin ekonomik të vendit.
Vendi kishte dalë nga Perandoria Osmane me një prapambetje të thellë. Në vend mungonin rrugët, hekurudhat apo edhe mekanizmat financiarë të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik.
Dy mendimet kryesore që mbizotëronin në vitet e para të Pavarësisë së vendit ishin ato për sigurimin e të ardhurave ekonomike përmes koncesioneve që do t’i siguronin disa të ardhura arkës së shtetit, ndërsa rryma tjetër do të ishte ajo e marrjes së një mbështetje financiare nga jashtë e përmes rolit të shtrukturave shtetërore të vihej në efiçencë pasuria nëntokësore.
Për të shmangur varësinë ekonomike që mund të krijonin koncesionet e kompanive të huaja, rruga e parë që u ndoq ishte ajo e kërkesës për një kredi nga jashtë. E në vitin 1922, Shqipëria do t’i drejtohej për një kredi Lidhjes së Kombeve, ku kishte pak kohë që ishte anëtarësuar.
Lidhja e Kombeve nuk i dha Shqipërisë huanë e kërkuar e opsioni që mbeti ishte marrja e një kredi zhvillimore për vendin, që parashikon te ndër të tjera programin më të madh të investimeve të ndërmarra ndonjëherë në Shqipëri.
Në mesin e viteve ‘20, kur Shqipëria ishte afruar me Italinë e kur Italia kishte arritur të merrte rolin e kujdestarit ndërkombëtar për Shqipërinë, u diskutua një kredi zhvillimore, pjesë e të cilës do të ishte edhe krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Si u krijua Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA)
Në funksion të realizimit të programit më të madh të investimeve të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, u krijua një mekanizëm i veçantë i emërtuar SVEA, ose Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë.
Shoqëria, në bazë të konventave të nënshkruara në vitin 1925, kishte si funksion dhënien për shtetin shqiptar të një borxhi të destinuar për ndërtimin e veprave publike dhe kjo kredi do të garantohej nga të ardhurat e doganave dhe të monopoleve të vendit, ku bënin pjesë duhani e kripa.
SVEA ose Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë u themelua në Romë para se të krijohej Banka Kombëtare e Shqipnis’, me 23 prill 1925 dhe një muaj më pas me 29 maj 1925 u firmosën marrëveshjet mes qeverisë shqiptare, grupit financiar italian dhe vetë SVEA-s për të rregulluar pjesët e tjera të financimit.
Fillimisht parashikohej që borxhi të mos bazohej në një shtet të vetëm por të ishte i shpërndarë në disa shtete në formën e një huaje ndërkombëtare, -përmes obligacioneve me interes 7.5 %. Shteti italian parashikohej të mbante peshën më të madhe në këtë borxh, por në fund rezultoi se do të ishte vetëm shteti italian ai i cili do ta mbante atë.
Kapitali i kompanisë SVEA ishte 1 milion lira por më kalimin e kohës u shtua në 15 milionë. Presidenti i parë i saj ishte Angelo Valvassori Peroni, një figurë e njohur e politikës dhe financave italiane. Në vitet pasuese, kjo shoqëri do të drejtohej nga guvernatori i Bankës Kombëtare, Mario Alberti, nga Baroni Pompeo Aloisi, nga Konti Giovanni Capasso Torre, nga Vincenzo Lojacono dhe në fund Giuseppe Bianchini.
Në Këshillin Administrativ bënin pjesë edhe kryesisht drejtuesit italianë të Bankës së Kombëtare. Po ashtu, pjesë e këshillit ishin edhe disa personalitete shqiptare.
Huaja për punët publiket të Shqipërisë u emetua me 12 nëntor të vitit 1925. Ajo ishte parashikuar të ishte 50 milionë franga por totali i shpenzimeve do të arrinte në 62.7 milionë franga për faktin se 12.7 milionë franga do të llogaritej puna e detyrueshme. Referuar ligjit të kohës, çdo mashkull shqiptar e kishte të detyrueshme që të paguante taksën e rrugës, që në thelb nënkuptonte ofrimin e disa ditëve pune pa pagesë në muaj.
Afati për shlyerjen e kësaj huaje nga Shqipëria ishte vendosur 40 vite.
Menjëherë pas miratimit të huasë, nisi një proces i hartimit të projekteve konkrete ku do të investohej.
Pjesa më e madhe e këtij fondi parashikohej të shkonte për ndërtimin e rrugëve, urave dhe të godinave administrative. Por plani do të ndryshonte rrugës…
Sa kushtuan veprat e italianëve dhe kush i ndërtoi ato?
Një nga veprat më të rëndësishme që u ndërtua nga ky program investimesh ishte zgjerimi i Portit të Durrësit. Ky investim kushtoi 8.6 milionë franga ar. Porti i Durrësit u zgjodh për një investim të tillë për faktin se ai konsiderohej porti kryesor i Shqipërisë dhe kishte ndërlidhje strategjike me kryeqytetin dhe qytetet e tjera të vendit.
Projekti fillestar i Portit të Durrësit u skicua nga inxhinieri Luigi Luigi dhe ai që u modifikua më vonë nga inxhinieri Tito Consigli, i cili kishte ndjekur që në fillim punimet për zgjerimin e tij.
Punimet u kryen nga kompania Mazorana e Triestes, ekipi i së cilës në Durrës drejtohej nga inxhinieri Piero Zampieri.
Me financimin e SVEA-s në Shqipëri u ndërtuan një serë godinash të rëndësishme mes të cilave Blloku i Ministrive në Tiranë dhe vilat mbretërore në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Vila Mbretërore në Durrës u projektua nga arkitekti Florestano de Fausto ndërsa punimet për ndërtimin e saj u realizuan nga kompania shqiptare SITA dhe kompanitë italiane SCAIA dhe Staccioli. Kostoja e saj ishte rreth 1,5 milionë franga.
Vila Mbretërore e Tiranës u realizua nga kompania shqiptare SITA dhe kompania italiane Staccioli. Kostoja e saj ishte 365 mijë franga.
Rezidenca mbretërore në Tiranë iu nënshtruan rikonstruksionit dhe punimet u kryen nga shoqëria shqiptare SITA dhe shoqëria Staccioli. Punimet e rikonstruksionit kushtuan 338 mijë franga ari.
Vila Mbretërore e Shirokës u ndërtua nga sipërmarrja Fratelli Desideri dhe punimet kushtuan 13 mijë e 900 franga ari.
Pallatet e Ministrive në Tiranë u projektuan nga arkitekti Florestano de Fausto dhe punimet u kryen nga sipërmarrja shqiptare SITA dhe ajo italiane Staccioli.
Kostoja e 6 godinave të bllokut të ministrive kushtoi 2.7 milionë franga ari.
Në kuadrin e këtij projekti u ndërtuan edhe disa burgje.
Burgu i Tiranës u ndërtua nga sipërmarrja italiane Staccioli dhe sipërmarrësi Xhemal Kadesha dhe shoqëria SITA. Kostoja totale e tij ishte 343 mijë franga ari.
Burgu i Gjirokastrës u ndërtua nga shoqëria Krahu me një kosto 332 mijë franga.
Shkolla Teknike e Tiranës u ndërtua nga sipërmarrja e Harry Fultz me një kosto 203 mijë franga ndërsa shkolla profesionale e Gjirokastrës nga shoqëria shqiptare Krahu me një kosto 59 mijë franga ari.
Shkolla profesionale e Beratit u ndërtua po nga shoqëria Krahu me kosto 71 mijë franga ari ndërsa shkolla profesionale e Korçës nga sipërmarrja e inxhinierit Anastas Pilika, me një kosto prej 98 mijë franga ari.
Spitali Civil Zogu I në Tiranë u ndërtua nga sipërmarrja italiane A.M.Ragazzi dhe shoqëria SITA, me një kosto 991 mijë franga ari ndërsa Spitali Ushtarak i Tiranës u ndërtua nga 3 kompani italiane kundrejt një kostoje 546 mijë franga.
Rrugët që u ndërtuan nga SVEA
Në listën e rrugëve të ndërtuara në kuadër të projektit investues të SVEA-s ishin rruga Shkodër-Pukë, 33 kilometra e gjatë. Punimet u kryen nga sipërmarrja shqiptare e Nush Topallit ndërsa punimet u drejtuan nga dy inxhinierë italianë. Kostoja e kësaj rruge ishte 2.6 milionë franga ari.
Rruga Ura e Zogut-Dibër, me gjatësi 33.8 kilometra. Kjo rrugë u plotësua me urën në lumin Fan, në zonën e Rubikut, dhe me disa ura të tjera në Urakë e Shoshaj. Punimet u realizuan nga sipërmarrja italiane A.M.Ragazzi. Kostoja e saj ishte 800 mijë franga ari.
Rruga Krujë-Burrel me gjatësi 47 kilometra e ndërtuar po ashtu nga sipërmarrja italiane A.M.Ragazzi kishte kosto 800 mijë franga.
Rruga Tiranë-Elbasan me gjatësi 47,6 kilometra me 3 ura të mëdha, atë mbi Erzen, mbi Farkë dhe në Petrelë, u ndërtua nga shoqëria shqiptare e Durrësit e emërtuar Krahu, nga kompania Beça dhe disa kompani italiane. Kostoja e këtij aksi rrugor ishte 5.1 milionë franga.
Rruga Tiranë-Durrës, që ishte projektuar si hekurudhë, me gjatësi 26,4 kilometra dhe me ura të mëdha si Ura e Erzenit dhe Ura e Limuthit, u ndërtua nga kompania parashtetërore shqiptare, shoqëria Krahu dhe nga shoqëritë italiane A.M. Ragazzi dhe Ansaldo. Kostoja e kësaj rruge ishte 1.7 milionë franga ari.
Po ashtu, në ,kuadër të këtij projekti u ndërtuan edhe Ura të mëdha e të vogla si Ura e Lezhës mbi Drin, Ura mbi Lumin Shkumbin në aksin Durrës-Elbasan, Ura e mbi Lumin Buna në Shkodër, ura e Mbrostarit në Fier si dhe ura e Zogut mbi lumin Mat me gjatësi 474 metra dhe me një kosto 900 mijë franga ari.
Si u shpërndanë investimet e SVEA
Pjesa me e madhe e programit të investimeve të SVEA-s shkoi për ndërtimin e rrugëve. Italianët nuk e kishin parashikuar se ky program do të ishte i vështirë, për shkak të terrenit, çka solli një rritje të ndjeshme të buxhetit për rrugët dhe një ulje të numrit të kilometrave të tyre, ndryshe nga sa ishte parashikuar në programin fillestar.
Kostoja mesatare me të cilën u ndërtuan rrugët në Shqipëri në ato vite ishte 6400 franga për kilometër. Më shumë se gjysma e fondit të SVEAs shkoi për ndërtimin e rrugëve, ku nga 62.7 milionë franga, për këtë zë të projektit u shpenzuan 33.7 milionë franga.
Në këtë program madhor investimesh rezulton se pjesa më e madhe e punimeve janë kryer nga kompani italiane, që ishin në masën 69.6 % ndërsa 21,8 % ishin kompani shqiptare. 5.1 ishin kompani të shteteve të tjera.
Numrin më të madhe të punimeve e kryen kompanitë Ragazzi di Milano (kryesisht për rrugët dhe urat) dhe sipërmarrja Mazorana e Triestes që ndërtoi Portin e Durrësit dhe urën e Matit.
Çfarë u ndërtua me fondet e SVEA-s?
Brenda 10 viteve, italianët pretendonin në raportin e tyre për veprimtarinë e shoqërisë, se kishin shpenzuar në total 57.8 milionë franga, për punimet e kryera nën supervizimin e autoriteteve shqiptare.
Projekti fillestar parashikonte zgjerimin e Portit të Durrësit, shtrimin e 965 kilometrave rrugë, ndërtimin e 27 urave të mëdha dhe 890 urave të vogla, ndërtimin e argjinaturave dhe kanalizimeve për bonifikimin e tokave, ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë si dhe ndërtimin e 14 godinave të reja e riparimin e godinave ekzistuese.
Në kuadër të financimeve të SVEA-s, Porti i Durrësit u zgjerua, një sipërmarrje që kushtoi 8.6 milionë franga ar. Po ashtu, u ndërtuan 275 kilometra rrugë, shumë më pak sesa ishte parashikuar në projektin fillestar, u ndërtuan edhe 110 ura ndërsa projekti fillestar për ndërtimin e një hekurudhe Tiranë- Durrës, ndryshoi duke u bërë rrugë automobilistike. Ndërkohë, u ndërtuan 37 godina të reja, ku bënin pjesë edhe blloku i ministrive në kryeqytet.
Rezulton se ndryshe nga projekti fillestar, 10 vite pas funksionimit të SVEA-s, u ndërtuan më shumë godina sesa parashikoheshin ndërsa u investuan më pak në rrugë. Projektet për rregullimin e porteve të Shëngjinit, Sarandës së Vlorës mbeten jashtë. Rrugët rezultuan të ishin pjesa më e kushtueshme duke marrë me shumë së gjysmën e fondit të parashikuar.
Gjatë realizimit të programit, autoritetet shqiptare dhe ato italiane hasën në shumë vështirësi edhe për shkak të rregullave të transferimit të parave nga një vend në një vend tjetër, ku kishte detyrime që duheshin respektuar për shkak të ndryshimeve valutore.
Ndërkohë, tensionet politike reflektoheshin edhe në ecurinë e programit më të madh të investimeve që Shqipëria kishte ndërmarrë ndonjëherë.
Sa i përket kësteve të kredisë, rezulton se në vitin 1930 pala shqiptare pagoi një këst prej 916 mijë frangash.
Shqipëria në fakt, nuk arrin të paguajë këstet e mëvonshme të kredisë, sikur parashikonte marrëveshja.
Kriza ekonomikë që përfshiu Shqipërinë në vitet ’30 si rrjedhojë e krizës globale që pasoi kolapsin e Wall Street dhe që shkaktoi atë që njihet si Depresioni i Madh, bëri që mes Italisë dhe Shqipërisë të rinegociohej borxhi.
Pas rinegociimit, Shqipërisë i akordohen nga Italia edhe 100 milion franga ari të tjera.
Ky hap shënoi edhe zhytjen e Shqipërisë në borxh kundrejt Italisë, një element që shërbeu edhe si shkak zyrtar në vitin 1939 për aneksimin ushtarak.
Pushtimi italian solli në fakt një përshpejtim të punimeve infrastrukturore dhe prezenca italiane u rrit ndjeshëm. Krijimi i zonës së lirës dhe vendosja e raportit të ri mes frangës shqiptare dhe lirës italiane si dhe bashkimi doganor i dy vendeve lehtësoi ndjeshëm transferimin e parave në Shqipëri.
Në këto kushte, u përfunduan pjesa më e madhe e veprave infrastrukturore që ishin parashikuar në këtë kredi.
Ndërkohë, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria pagoi vetëm 2 këste të kredisë.
Gjithsesi, pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, u bë bilanci i luftës dhe në fund rezultoi se Italia duhej të paguante reparacione lufte për Shqipërinë për faktin se paralelisht me investimet, ajo kishte shfrytëzuar edhe burimet natyrore të Shqipërisë.
*Marrë nga Emisioni DOSJA E në SCAN TV
'Tak-Tak-u' i SPAK-ut në derën e Erjon Veliajt!
ide
A mund të ndodhë edhe në Shqipëri si në Rumani?
Nevoja për reformim përpara kolapsit financiar të Bashkisë Vlorë!
Nëna ime Militante
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128