Duhet të kërcasin prangat nga i pari te fundit, ndryshe na pret “lufta civile”!

19 Shtator 2022, 15:19 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Duhet të kërcasin prangat nga i pari te fundit, ndryshe na pret

Që në pikë të mëngjesit më erdhi në email i gjithë database sekret  i komunikimit të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

U lemerisa; një thesar për çdo gazetar por njëkohësisht u tmerrova dhe u trishtova për pikën ku është katandisur ky lloj shteti që nuk është më thjesht hajdut dhe qesharak, por shumë i rrezikshëm për Shqipërinë.

Shteti i Edi Ramës përfundimisht mund të shihet “pa brekë”, sepse atë vetë e kemi parë me kohë në këtë situatë. Çështja është se në këtë vend është thyer përfundimisht, siguria personale dhe ajo kombëtare.

Nisi me të dhënat e patronazhistëve të Rilindjes, (telefona, adresa, vendi i punës), e vazhdoj me pagat e shqiptarëve dhe me targat e mjeteve. Pastaj me vjedhjen dhe  bllokimin e e- albania, sistemin TIMS dhe ja ku kemi në shesh, edhe të gjitha sekretet e Policisë së Shtetit.

Nuk dihet ku dhe si do të përfundojë kjo punë, por një gjë është tashmë e qartë. Kjo nuk është vepër e ca hakerave, sa do të sofistikuar dhe të kujtdo vendi qofshin. Kjo është shitje, tradhti nga brenda dhe pikë!

Ndërkohë që vazhdon me intesitet publikimi i të dhënat që posedon policia jo vetëm për krimin e organizuar por edhe për plane e atentate për të destabilizuar të dy shtetet shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, shteti ligjor (aq sa kemi) duket se është dorëzuar dhe po përjeton anarki dhe panik. Por më e rënda është se kemi të bëjmë me postën elektronike, të ish shefit të Antiterrorit dhe komunikimin e tij edhe me partnerët perëndimorë.

Prokuroria e Posaçme dhe çdo prokurori tjetër ndërkohë duhej të kishte prerë dhjetëra urdhër-arreste, për këdo që ka pasur sado pak akses dhe përgjegjësi në “kapjen rob” të sistemit të të dhënave sekrete të Shqipërisë.

Edi Rama na mashtroi. Fillimisht tha se kishim të bënim me rrjedhje, me burim Tatimet. Pastaj erdhën iranianët që kishin sulmuar e- albania, por se çdo gjë ishte rikuperuar. Kur dolën të dhënat e TIMS dhe tani Database e sekreteve të policisë që gjenden në sistem të mbyllur, çdo gjë është e qartë.

Iranianë, rusë apo djalli vetë qoftë, kanë vepruar me “njerëz nga brenda”. Kanë vepruar dhe duket se ende i kanë aty!

Nuk ka rëndësi se përse ka ndodhur; nga paaftësia apo korruptimi, fakt është se në të gjithë ngrehinën e këtij shteti gjithkush mund të depërtojë dhe ta hedhë në erë.

Nuk ka më sekrete në këtë vend, përveç atyre që gjenden në dosjet e Sigurimit të Shtetit!

Edi Rama i pari duhej të thirrej sot si kryeministër në SPAK për të dhënë llogari, se përse e ka mbuluar dhe relativizuar këtë gjendje që prej një viti. Përse ka mashtruar duke thënë, se janë marrë masat dhe çdo gjë është nën kontroll?!

Pastaj duhet të kërcisnin prangat deri në qeveri dhe çdo institucion përgjegjës. Kjo situatë lufte dhe kaosi, kërkon përgjigje të forta radikale, përndryshe na pret anarkia dhe një luftë civile j vetëm mes krimit të organizuar!/Alfapress.al

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128