Farsa e presidentit, si u katandis Rama në duart e deputetëve të 'nongratas'

3 Qershor 2022, 15:04 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Farsa e presidentit, si u katandis Rama në duart e deputetëve të

Një kthesë e papritur 360 gradë ka ndodhur brenda Partisë Demokratike, në lidhje me qëndrimin e grupeve aty ndaj zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Nesër në parlament kur të votohet presidenti që do dalë nga “xhepi i vogël sekret” i Edi Ramës, ndryshe nga sa pritej dhe ishte paralajmëruar, grupi i Alibeajt nuk do të bëhet pjesë “e farsës”. Kurse përkundrazi, ai i udhëhequr nga Berisha do të jetë prezent, edhe pse ky i fundit deklaroi se do të votojnë kundër.
Por çfarë ka ndodhur që vetëm një ditë përpara votimit, kemi këtë përmbysje të qëndrimeve të dy copave brenda PD. Ata që akuzojnë njëri- tjetrën, se i shërbejnë nën rrogoz pushtetit të Edi Ramës?
Në nisje të procesit grupi i Sali Berishës e paralajmëroi dhe e paracaktoi procedurën që po ndiqte shumica si një “farsë”, kurse pjesëmarrjen e grupit të Alibeajt si një “fasadë” që po i shërbente Edi Ramës në kapjen edhe të institucionit të fundit të rëndësishëm, presidencës.
Rrugës u kthjelluan se në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtarë kishin votuar një rezolutë, që ndalonte çdo lloj bojkoti. Duke qenë se nuk e njohin grupin parlamentarë të udhëhequr nga Alibeaj, nuk futën asnjë emër-propozim.
Por nga ana tjetër meqenëse Rama i ka mbyllur derën çdo propozimi që vjen nga “Non Grata’, tentuan që të futen nga dritarja nëpërmjet Fatmir Mediut, i cili propozoi zyrtarisht përfshirjen e tyre në proces. Por edhe dritarja u mbyll përfundimisht dhe pas kësaj, ka vazhduar vetëm deligjimiteti dhe sulmi i dyfishtë ndaj procesit.
Farsë ata të Ramës- fasadë e të shitur këta të Alibeajt!
Gjithsesi grupi i Berishës dhe ky i fundit vetë nuk e zunë më në gojë bojkotin, por edhe nuk ishin deklaruar nëse do të bëheshin apo jo pjesë e “farsës Rama”.
Kjo deri në mesditën e kësaj të premteje, vetëm 24 orë përpara seancës së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, emrin e të cilit me gjasa e di vetëm Edi Rama, bashkëshortja e tij Linda dhe padyshim Zaho i vogël.
Tani jemi në një situatë të përmbysur. Pavarësisht votës kundër të deklaruar nga Berisha, ai vetë dhe deputetët e tij do të marrin pjesë në atë që tashmë doli më keq se farsë, kurse bashistët nuk do të denjojnë që të jenë pjesë.
Këta të fundit këtë hap radikal madje nuk e quajnë as bojkot, pasi morën pjesë në fillim të procesit kushtetues dhe vetëm pasi kuptuan se Rama është tallur me gjithçka, kanë vendosur që të lënë në sallë vetëm berishistët dhe ramistët.
Kjo situatë është shumë interesante. Së pari do të mësojmë përfundimisht emrat e deputetëve të Partisë Demokratike që ndjekin Berishën, por edhe të atyre që mund të jenë shfaqur asnjë-anës por do të nxjerrin kokën duke u bërë pjesë e dekorit presidencial të Ramës. Gjëja e fundit që do të donte ti ndodhte këtij të fundit, do të ishte një sallë me vetëm 74-76 deputetë. Edhe sikur “Nënë Terezën” të nxjerr nga xhepi, një president vetëm me votat e shumicës që në nisje, do të ishte problematik edhe për ndërkombëtarët.

Berisha deklaroi në mesditë, se do të votojmë kundër. Dakord por nuk shtoi që, “secili deputet i grupit të tij do ta deklarojë këtë `anti`, pasi votimi është i fshehtë.
Pra interesante do të jetë fakti se nesër do të mësojmë, se sa kompakt është grupi i Berishës dhe a do të ketë mes tyre “vegla” të Ramës dhe pushtetit të cilët publikisht bërtasin poshtë Rama”, por nesër mund ti japin një dorë ndihmë, duke votuar fshehtas “pro” farsës së tij presidenciale.
Grupi Basha-Alibeaj e zgjidhi këtë çështje shkurt; ju hoqi ujin “peshqve” që notojnë në ujërat e pushtetit. Po rrezikojnë, por edhe për këtë grup do të mësojmë përfundimisht se cilët janë ata deputetë me shtyllë kurrizore që janë të vendosur kundër Ramës, Berishës ose nuk bëjnë lojë të trefishtë për interesa personale.
Ndaj mirë bëri Berisha që do të marrë pjesë në votimin e Ramës, mirë bënë edhe bashistët që po i lënë bashkë në këtë proces ë turpshëm sepse është një mënyrë për të ndarë shapin nga sheqeri!/Alfapress.al

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128