Horizonti i lëvizjes Berisha dhe 'Kthehu Luli se bëmë shaka!'

28 Maj 2022, 14:15 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

 

Horizonti i lëvizjes Berisha dhe 'Kthehu Luli se bëmë
Revolucioni vazhdoi edhe këtë të shtunë!
“PD e Rithemelimit” zgjodhi kryesinë por hija e trishtimit mbi atë sallë, arrinte të kapërcente edhe ekranet televizive. Nëse ju bëje një zhbirilim të shpejtë fytyrave të të gjithë kandidatëve dhe të zgjedhurve në kupolën ku feks spektri i Berishës, ato nuk e fshihnin dot dilemën e madhe: Po pas kësaj, çfarë ka në horizont për ne?!
Asgjë, sepse ditë pas ditësh horizonti i kësaj lëvizje zezon dhe shpresa e atyre që i janë bashkuar është bërë një pikë e zezë në një horizont të zi!
Këtë nuk e them unë, por shumica e vëzhguesve dhe analistëve që stimuluan fortë “Foltoren”.
Personalisht kam qenë një nga kritikët më të mëdhenj të Lulzim Bashës, por në kohën e duhur, pa u vulosur mandata e 25 prillit. Atëherë kur këta që e linçojnë sot, linçonin ata që e kritikonin për shumëçka që koha ja vërtetoi atij vetë së pari.
Pavarësisht; Perdet janë mbyllur përfundimisht nga SHBA dhe javën që vjen atë pak dritë që pritej të hynte brenda shtëpisë së `Rithemelimit`, duket se do ta shuajnë edhe simotrat përfundimisht më 31 Maj, në kongresin e Partive Popullore Europiane (PPE).
Horizonti po errësohet edhe më shumë, pasi me shumë gjasa brenda javës që vjen Gjykata e Apelit do të vendosë “për fatin” dhe “pronësinë” e Partisë Demokratike zyrtare. Pra atë që do të njihet përfundimisht nga institucionet, gjykata, parlamenti dhe sidomos KQZ.
Pavarësisht se “Rithemelimi” ka ecur përpara pas vendimit të Faktit që njohu “Kuvendin e Dhjetorit” duke marrë në dorë “çelësat” e selisë, duke zhvilluar një proces të shpejtë për zgjedhjen e paracaktuar të Sali Berishës kryetar dhe zgjedhjen e kryesisë këtë të shtunë, gjithçka duket si një proces në boshllëk.
Fryma `revolucionare` që përhap Berisha me një epizëm për tu duartrokitur, mes militantëve dhe një grupi deputetësh, po fiket përball një muri të ftohtë që i ka rrethuar në të katër anët.
Partia Demokratike me stemën dhe legjimitetin e saj juridik, nuk është ende në duart e askujt, por kjo është çështje kohësh. Më saktë deri sa të vendos Apeli, ajo është e ngrirë në duart e Lulzim Bashës, edhe pse ai po shfaqet i tërhequr publikisht. Këtë e di baza masive e heshtur dhe ajo ende asnjëanëse e PD-së.
Pra pavarësisht entuziazmit dhe parullave, “vota mbi gjithçka, vota e anëtarësisë vendos”, Partia Demokratike që pretendon grupi i Berishës ngjan aktualisht me atë shtëpinë e atij që bërtet se “e ka të babës”, por në fakt kjo pasuri “e trashëguar” (Nga vetvetja pretendohet në rastin e Berishës që është edhe `baba`), ende nuk është e regjistruar në Hipotekë.
Ti mund të jetosh aty deri në momentin e regjistrimit përfundimtarë, por momentalisht kjo “pronë” është e vdekur, e ngurtësuar brenda egos tënde dhe një strehë për veten dhe `familjen`, të cilëve ju qëndron në ajër sëpata e përkohshmërisë.
Pa llogaritur pastaj, `sëpatën` e SHBA dhe injorimin vrastar të gjithë strukturave partiake e shtetërore të djathta të Perëndimit.
Por nëse “Plani B” (një parti e re në koalicion, a shkrirje me LS-në e Metës), ka qenë gjithmonë plan “A”, atëherë kjo është çështje tjetër.
Por le të kthehemi te “Horizonti”. Fjalimin e tij në Këshillin Kombëtarë përpara nisjes së votimit për anëtarët e kryesisë, Sali Berisha, e nisi sërish me “Fajin na e ka Luli”.
Ai Lul që për 9 vite (Në vitet që vetë Berisha dhe grupi i tij i gjerë brenda udhëheqësisë së PD-së së Bashës, do të kenë qenë në planetin Mars), ka qenë në pazar me Edi Ramën!
Shumëkush po vret mendjen për përgjigjen e pyetjes: Përse pasi e mposhtën, vazhdojnë të bëjnë politikë me Lulzim Bashën “e ikur”?! Arsyet mund të jenë të ndryshme por më kryesorja është se kauza, “fajin e ka Luli”, ngjit ende shumë te militantët që nuk kanë lidhje me logjikën dhe duket sikur vuajnë nga një mungesë kujtese kolektive.
Këta edhe pse nuk dihet saktësisht se sa masë përfaqësojnë në totalin e anëtarëve dhe votuesve të PD-së, janë pikërisht ai grupi i zhurmshëm që jep idenë e “shumicës” brenda kësaj force politike.
Mbushja e sallave që nga shtatori i vitit që shkoi, tashmë është bërë “profesion”. Por nuk po i shohim profesionistët e mbushjeve, të zhvendosen në sheshe kundër regjimit të Edi Ramës, siç kishte premtuar në fakt vetë Sali Berisha muaj më parë!
Gjithsesi edhe kjo strategji (fajin e ka Luli) duhej të kishte një limit kohor dhe logjik, ndaj që tani po kthehet në barsoletë. Punë e tyre. Ndoshta nuk kanë kauzë tjetër përveç Lulit dhe rikthimin e “albanofobisë”, në një kohë që Shqipëria po mbushet me baza të NATO.
Arsyeja tjetër pse në çdo tubim të “Rithemelimit” dhe shumicën e paneleve televizive buçet tema, “Fajin e ka Luli”, duket se është frika që kanë ende nga ai dhe ajo që përfaqëson ai realisht brenda PD-së dhe ndërkombëtarët. Më shumë nga “bashizmi’, i cili sa më shumë që kjo forcë zhytet në përçarje dhe kaos, aq më shumë po kujtohet me nostalgji.
Për ata që kanë harruar, nën udhëheqjen e “Gjumashit Lulzim Basha”, (Kujtesë; epitet që ja përhapi Edi Rama), opozita mblodhi rreth 620 mijë vota në zgjedhjet e 25 prillit.
Nëse Edi Rama nuk do të përdorte gjithë fushatën Gogolin për një shtresë shumë të madhe votuesish, “votoni Lulin dhe Monikën dhe merrni Saliun dhe Ilirin”; nëse ndërkombëtarët nuk do të kishin lejuar prishjen e marrëveshjes së 5 majit nga Rama (për të njëjtën arsye mbyllën sytë); nëse krimi i organizuar, paratë e tërmetit, korrupsioni, patronazhistët nuk do të kishin ndërhyrë, atëherë “Lul fajtorin” do ta kishit kryeministër sot dhe të gjithë, do të prisnit në radhë për ta takuar.
Por këto ikën. Çështja është se çfarë do të bëhet me horizontin e Partisë Demokratike. Ti harrojnë lokalet 2022 në këtë gjendje, por kanë shansin e madh që nëse hapin horizontin kanë mundësitë dhe kohën e duhur që të jenë gati, për një fitore të madhe në vitin 2025.
Edhe me ndihmën e thellimit të procesit të dekompozimit që po i ndodh kufomës së “Rilindjes” dhe të ndërkombëtarëve të cilëve Rama ju ka mbetur në derë”, natyrisht.
Po kush ka më shumë gjasa që të hap perdet e mbyllura nga ndërkombëtarët dhe ajo shtresë e madhe gri inteligjente anëtarësh dhe votuesish të PD: Berishizmi apo bashizmi?
Apo këta “pasardhësit” e Bashës të cilët kanë rënë aq keq në kurthin e Taulant Ballës, sa që në rrjet po bëhet virale shprehja: Kthehu Luli se bëmë shaka!
Në fakt është tmerr kur mendon, se brenda forcës politike që themeloi pluralizmin ka vetëm dy alternativa. Por ja që ky është realiteti, i cili duhet parë në sy dhe jo të gënjesh veten dhe njëri- tjetrin./Alfapress.al

Po ndodh...