Kurthet dhe ngërçet e një bashkimi “nga lart poshtë” brenda PD-së

11 Tetor 2022, 15:15 / EDITORIAL NGA ALFAPRESS.AL

Kurthet dhe ngërçet e një bashkimi “nga lart

Pasditen e djeshme në mënyrë “të papritur”  dhe pas një mbledhje të pa paralajmëruar, grupi i deputetëve të Partisë Demokratike nën udhëheqjen e Enkelejd Alibeajt, dolën me një deklaratë sipas të cilës ishin të gatshëm që të dilnin me një kandidat të përbashkët me pjesën tjetër të Rithemelimit, për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në deklaratë theksohej fjala “vendim unanim” dhe njoftohej gjithashtu se mandatohej deputeti, Gazmend Bardhi, për të hyrë në bisedime me palën e tjetër, e cila më herët për këtë çështje ka ngarkuar Edi Palokën. Presioni i bazës duket se kishte funksionuar. Fakt është që ky “bashkim” po zyrtarizohet “nga lart”, pikërisht aty ku nisi edhe problem real i Partisë Demokratike.

 Po “bashkohen” ata që ju përgjigjën thirrjes së SHBA për largimin e Berishës dhe berishizmit nga partia, me ata që jo vetëm e rikthyen por edhe e graduan kryetar të padiskutueshëm të tyre.

Në këtë situatë vetë “i mandatuari” Gazmend Bardhi, u kujdes që njësoj si në gjuhën e deklaratës së grupit parlamentarë, të theksonte se kjo lëvizje ishte “pa kushte”, por nga ana tjetër nënvizoj se ky hap bëhej vetëm në funksion të këtyre zgjedhjeve dhe se, asgjë nuk kishte ndryshuar për sa i përket qëndrimeve të tjera të këtij grupi.

Pra me pak fjalë për pjesën zyrtare të Partisë Demokratike qëndrimi ndaj Sali Berishës “non grata” (“Elefanti” që qëndron prej më shumë se një viti në mes të PD-së) është po i njëjti, por tani për tani duhet bashkim, vetëm për të fituar bashkitë përball pushtetit absolut të Edi Ramës.

Pas kësaj Sali Berisha deklaroi se ishte i hapur për këdo, por nuk harroi të vendosë kushtin e pa negociueshëm, se kushdo duhej të futej në procesin e primareve.

Vetëm pak më vonë sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Flamur Noka, vendosi një kusht tjetër: Alibeaj të tërheqë nga Gjykata e Apelit ankimimin për gjykatën e shkallës së parë, i cili njohu Kuvendin e 11 dhjetorit të Rithemelimit.

“Tërheqja e padisë është rruga e vetme për tu dhënë sinjal të qartë demokratëve që bashkohen dhe jemi bashkë me një qëllim për t’u përballur me Edi Ramën dhe regjimin e tij” tha Noka.

Kështu Noka i cili flet gjithmonë “me kokën e doktorit” ende pa nisur bisedimet, i hodhi benzinë zjarrit.

Nga pala tjetër u përgjigj “flakë për flakë”, deputeti Agron Gjekmarkaj.

“Valëvitjet e Flamurit në erën e ndarjes duhet të ndalen. I zoti e shet, tellalli se jep. Pa kushte, pa histori të vjetra si prita për qëllimin final”, shkroi Gjekmarkaj në Twitter.

Deri këtu duket se jemi përpara një situate të vërtetë të koklavitur por që koha ose më saktë bisedimet Bardhi- Paloka, do na zbulojnë nëse është i zgjidhshëm.

Gjithsesi gjasat janë të pakta pasi grupi i Berishës duket se nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga procesi i zgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie nëpërmjet strukturave të PD së Rithemelimit, kurse grupi i Alibeajt nga shmangja e Berishës në proces dhe mos tërheqja e padisë në gjykatë.

Nuk dihet se si do të shkojnë bisedimet në këtë situatë, por çështja e ankimimit të Alibeajt në Apel për ligjshmërinë e PD-së (Kujt i takon vula dhe simbolet), do të jetë një barrierë e cila deri më tani duket e pakalueshme.

Përball lidershipit të dy grupeve në Partinë Demokratike qëndron “baza e partisë, e cila kërkon një bashkim për zgjedhjet lokale për të fituar sa më shumë bashki të cilat janë edhe një mundësi punësimi.

Janë në fakt pikërisht ata që e vuajnë në familjet dhe xhepat e tyre qenien kaq gjatë në opozitë dhe jo lidershipi, i cili në shumicën e rasteve për sa i përket mirëqenies, ka mbaruar punë me kohë.

Nga ana tjetër problem do të jetë edhe ardhmëria e kësaj force politike dhe reagimi i SHBA e cila e prerë përgjithmonë bashkëpunimin jo vetëm me Berishën por me këdo që e ndjek pas në procese politike.

Sido që të shkojnë bisedimet mes Gazmend Bardhit dhe Ed Palokës, edhe nëse dalin bashkë në këto zgjedhje, “Çështja Berisha” dhe refuzimi i tij nga Perëndimi mbetet.

Gjasat janë që e shumta që mund të përfitojnë palët nga kjo histori do të jetë retorika për fajin e humbjes së radhës përball një Edi Ramës, i cili jo vetëm kryeson një organizatë në unitet, por edhe ka vërtetuar se di të vjedhë vota kur i duhen për mbijetesë të pushtetit të tij.

 Pra legjimiteti i PD-së në Apel, statusi i Sali Berishës në procesin e zgjedhjeve të radhës, presioni i bazës të etur për një bashkim në funksion të rikthimit në pushtet dhe Rilindja e Edi Ramës përball me gjithë fuqinë e vetë për të marrë bashkitë me çfarëdo lloj mënyre, janë kurthet dhe ngërçet e këtij “bashkimi” /Alfapress.al  

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128