Kuvendi i "Ripërtëritjes"...për të mos lëshuar të shkuarën!
Sot, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, përfundoi me sukses një proces që në pamje të parë dukej si rizgjedhja e Sali Berishës, por që në të vërtetë konfirmoi një fenomen shumë më të thellë: Triumfin e nostalgjisë për të shkuarën mbi të ardhmen, përqafimin e pushtetit dhe refuzimin e opozitarizmit.
Teksa shihja sallën e Kuvendit, kuptova pse Berisha e kishte quajtur atë “Kuvendi i Ripërtëritjes”. Pa asnjë ekuivok, nuk jemi as afër orbitës së një procesi ripërtëritjeje të ideve, elitave apo vizionit politik.
Përkundrazi, ishte ripërtëritja e një status quo-je që prej vitesh ushqehet nga privilegjet e opozitës dhe bashkëveprimi i saj me mazhorancën, dhe jo nga ambicia për të ndryshuar realitetin e vendit.
Na vjen mirë apo jo, Partia Demokratike, është shndërruar tashmë në një elitë të mirëfilltë ekonomike dhe sociale. Jo elitë në kuptimin intelektual apo moral të fjalës, por elitë në kuptimin e privilegjit.
Deputetë dhe drejtues të veshur me kostume shik të qepura “su misura”, makina luksoze Mercedes dhe Range Rover të modeleve më të reja e më të shtrenjta, truproja, hotele luksoze, evente pompoze, studio televizive, samite ndërkombëtare dhe një mënyrë jetese që ngjan shumë më tepër me establishmentin që pretendojnë se luftojnë, sesa me opozitën që pretendojnë se përfaqësojnë.
Pas trembëdhjetë vitesh opozitë, bëhet gjithnjë e më e vështirë të besohet narativa e një partie të shtypur nga “narkoregjimi” apo e një opozite të përndjekur nga pushteti. Përkundrazi. Ajo që shfaqej sot në sallë ishte imazhi i një strukture politike që ka mësuar të jetojë mirë në opozitë; një strukture që ka ndërtuar privilegje, status, influencë dhe mirëqenie pikërisht falë rolit të saj si opozita zyrtare e vendit.
Në fytyrat e pjesëmarrësve nuk lexohej agonia e një force që kërkon të rrëzojë pushtetin. Lexohej lumturia dhe mburrja e njerëzve që kanë gjetur vendin e tyre në sistem. Njerëz të pasur dhe të pushtetshëm.
Prandaj duartrokitjet për Berishën nuk ishin vetëm vota për një lider. Ishin vota për vazhdimësinë e një bote ku secili prej tyre ruan statusin, privilegjet dhe rëndësinë që i jep kjo strukturë politike.
Në këtë kuptim, Berisha nuk është më thjesht kryetar partie. Ai është simboli që lidh një grup njerëzish me periudhën më të rëndësishme të jetës së tyre politike. Për disa është kujtimi i kohës kur ishin në krye të pushtetit. Për të tjerë është garancia e privilegjeve që vazhdojnë të gëzojnë sot. Për shumicën është siguria se asgjë nuk do të ndryshojë.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi themelor i Partisë Demokratike. Ajo nuk po voton më për të ardhmen. Po voton për të mos e lëshuar të shkuarën.
PD po sillet si një “elitë” që po lufton të mbajë kontrollin total të opozitës, madje monopolin e opozitarizmit. Për këtë po shpenzon çdo energji për të menaxhuar pakënaqësinë ndaj qeverisë Rama dhe, si administratore e pakënaqësisë, për të negociuar në tryezën e pushtetit me qeverinë.
Si e bën këtë? Duke ulëritur më shumë se kushdo kundër Edi Ramës, për të magnetizuar rreth vetes çdo sy dhe vesh opozitar. Por në fund, opozita e saj me Ramën mbaron këtu dhe pasohet nga bashkëpunime shumë të frytshme ekonomikisht për të. Një status quo me njerëz të pasur dhe të kënaqur në opozitë.
Status quo-ja e Berishës fiton privilegje duke qenë opozita zyrtare e vendit. Është ajo që fiton leje ndërtimi për kulla e resorte, licenca hidrocentralesh, karburantesh, minierash, tregjesh e shumë të tjera.
Fiton privilegjin duke pasur një jetë glamour me udhëtime nëpër kryeqytetet e Europës, në samite ku miklon egon e vet për jetën prestigjioze që bën, teksa udhëton me makina luksoze dhe qëndron në hotele super të shtrenjta e elegante.
Kjo vazhdon edhe në Tiranë, ku hotelet më të shtrenjta janë ambientet e punës së Berishës, teksa kryen aktivitetet e tij në sallat e tyre; aktivitete që e mbajnë në “parinë” apo elitën e pushtetit, por pa asnjë produkt për vendin. Thjesht një milioner që ka një vend pune shumë të bukur, i cili i jep kënaqësi materiale dhe ushqen egon e tij.
Por opozita i jep edhe njëfarë imuniteti nga drejtësia.
Pushteti i votës i jep ndikim mbi ligjet që kërkojnë konsensus të gjerë dhe kjo i jep akses të madh në ekonomi: ligje që prekin leje ndërtimi, koncesione, tendera rrugësh dhe instrumentin e heshtjes ose të akuzës ndaj abuzimeve me to; biznese që kërkojnë mbrojtje nga sulmet e opozitës dhe paguajnë për këtë.
I jepet gjithashtu fuqia të emërojë njerëz në Kuvend dhe në institucione të vendit.
Statusi politik i liderit të opozitës sjell privilegj social, rrjet klientelist në oligarki, media, universitete, OJF e shumë të tjera.
Një qeveri në hije me privilegjet e qeverisjes, por pa kostot e saj.
Ndaj thirrjeve të eurodeputetëve si rasti i Peter Beyer për të zgjedhur një lider të ri, të ambasadorit Britanik se NonGrata e Berishës është proces ligjor e jo politik, bien në humnerën e shurdhërisë të anëtarëve të PD, sepse këto thirrje janë ekonomikisht të dëmshme për ta. Jorida Tabakun, Gazmend Bardhin, Tomor Alizotin, Ilir Alihmemetin et, etj … këdo nga ata duartrokitës të Berishës sot, qëndrimi i Berishës në krye të PD është një kontratë shumë e pasur në pektin monetar për ta, dhe tepër prestigjoze për egot e tyre.
Një jetë e “bukur”, që pas Kuvendit Kombëtar do mbyllet me peshk dhe verë të shtrenjtë në restorantet mondane të Tiranës, jetë e disa njerëzve që pa Berishën nuk kanë fare jetë profesionale dhe politike!
Po ndodh...
Kuvendi i "Ripërtëritjes"...për të mos lëshuar të shkuarën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128