Ky është 'peshku' që plasi nga SHBA për Shqipërinë, me të cilin Rama tallet!

14 Prill 2022, 11:57 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Ky është 'peshku' që plasi nga SHBA për

Në Shqipëri prej kohësh, ndërkombëtarët dhe veçanërisht përfaqësitë e tyre diplomatike në Tiranë, përdoren nga klasa politike si një mjet mbrojtje apo sulmi ndaj njëri-tjetrit.
Tashmë është bërë rutinë që qëndrimet e ambasadorëve veçanërisht të atyre të SHBA, për çështje apo mesazhe (të hapura a të kriptuara) përdoren për politikë të brendshme.
Opozita dhe veçanërisht grupimi i udhëhequr nga ana Sali Berisha në situatën pas “nono grata”, e kanë akuzuar shpesh ambasadoren e SHBA Yuri Kim si mbështetëse të hapur të qeverisë Rama.
Edhe më herët ambasadorë amerikanë janë atakuar për heshtjen e tyre ndaj kanabisimit të vendit, për shembjen e Teatrit Kombëtarë, aferat e mëdha si kjo e inceneratorëve tani, zgjedhjet e 25 prillit etj, etj.
Nga ana tjetër vetë Edi Rama sa herë që i është dashur i ka përdorur qëndrimet e tyre (veçanërisht të `folurën` me anë të heshtjes), për ti mbyllur gojën opozitës. Kushedi sa herë në parlament e kudo tjetër, ai është përpjekur që t`ja mbledh kundërshtarëve politikë kur e akuzojnë për aferat dhe korrupsionin e qeverisë, duke hedhur në shesh fjalinë: Nëse është kështu si thoni ju, përse nuk flasin ndërkombëtarët?!
Në fakt ata flasin dhe madje me dokumente të përgatitura dhe të certifikuara nga të gjitha agjencitë e tyre (ambasadat, shërbimet inteligjente, bizneset, OJF-të, etj). Bashkimi Europian flet nëpërmjet kushteve dhe detyrave që vendos, (me dëshpërim pasi shtohen në mënyrë proporcionale), për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit. Kurse SHBA, çdo vit publikon nëpërmjet Departamentit të Shtetit një raport të detajuar.
Këto raporte janë skaneri dhe sinoptika për qeverinë shqiptare, korrupsionin, të drejtat e njeriut, biznesin, pronën, drejtësinë, medien, etj.
Kështu ka ndodhur edhe me raportin e fundit të DASH, i cili mes të tjerave furnizohet bollshëm me informacion edhe nga ambasada e tyre në Tiranë. Ajo seli diplomatike e cila aktualisht drejtohet nga Yuri Kim, “armikja dhe guvernatorja” për një pjesë të opozitës dhe “mikja” për Edi Ramën.
Ky raport duhej të ishte tronditës për çdo vend, por për kryeministrin Edi Rama është një kopjim i atij të vjetrit. Po edhe nëse është “copy paste” i raportit të vitit të shkuar, çfarë domethënë kjo?!
Në rastin më të mirë kjo do të thotë që (korrupsioni endemik i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisë dhe manipulimi i votës), nuk ka ecur përpara, por kanë mbetur në vend siç ishte. Lajm i madh, apo Departamenti i Shtetit është një institucion mashtrues përsëritës?
Ka plasur peshku- u tall kryeministri. Imagjinoni Departamentin e Shtetit si një magazinë peshku të qelbur (sektori Shqipëria) të cilës i shpërthejnë dyert dhe dritaret dhe plas malli i vjetër (sipas Ramës). Shpërthejnë jashtë oktopodët dhe peshkaqenët e përvitshëm që qelbin erë, por nuk bien në rrjetën e Drejtësisë së Re. Këtë të fundit e thotë, e zeza mbi të bardhë, vetë raporti i dalë së fundmi.
Nëse i bëjmë një përmbledhje në vetëm një fjali këtij raporti “copy paste” të DASH, ajo do të ishte:
Blejmë dhe manipulojmë zgjedhjet; rikonfirmojmë pushtet absolut; bëjmë para me korrupsion; me këto miliona blejmë zgjedhjet e ardhshme; sërish pushtet…dhe kështu deri sa bangladeshasit të zëvendësojnë shqiptarë në këtë vend!
Ja ky është peshku që ka plasur nga magazinat e Departamentit të Shtetit në SHBA, me të cilin tallet Edi Rama.
Por nuk ka faj, sepse nëse do të kishte një opozitë jo të përçarë, të pastruar nga individë që janë produkt i korrupsionit të vjetër dhe të ri, jo në luftë për të qëruar hesapet mes njëri tjetrin, këtë të enjte senanca e radhës në parlament, nuk do të vazhdonte normalisht sipas axhendës së Lindita Nikollës.
Shihni kur të akuzojnë Yuri Kim se përse nuk mbron vendin e vetë, kur Edi Rama tallet kështu. Në fakt për tu mbrojtur janë shqiptarët dhe biznesmenët e ndershëm që po falimentojnë dhe këtë e bën opozita.
Peshkaqenin e kanë të identifikuar nga SHBA, madje me gjithë kokën e qelbur që kutërbon, por ai lundron i qetë në moçalin tonë të qetë se këtu nuk ka opozitë dhe Pikë!/Alfapress.al

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128