Në sirtarët e PD, ka ende një ftesë strategjike nga SHBA!

14 Qershor 2022, 14:16 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Në sirtarët e PD, ka ende një ftesë strategjike nga SHBA!

Sulmet ndaj ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, kohët e fundit në Shqipëri janë bërë gati një sport popullor. Dhe ky “sport”, ka arritur kulmin këto ditë.

Fjala e saj në Konferencën e parë Kombëtare të Anti-Korrupsionit ka shkaktuar një furtunë të vërtetë kritikash, deri në sulme dhe akuza të rënda si e shitur te pushteti.

Kjo stuhi vjen veçanërisht nga përkrahës dhe pjesëtarë zyrtarë, a jo, të Rithemelimit dhe vetë Sali Berishës, i cili të paktën nuk e fsheh më që zonja Kim është shkaku kryesor i halleve të tij me SHBA, por edhe për izolimin e brendshëm dhe të jashtëm që po përjeton.

Gjithsesi; Thelbi i fjalimit të ambasadores ishte se, “SHBA e duan Shqipërinë si partnerë dhe jo  si problem”. Por e gjithë furtuna është mbështetur te vetëm një fjali dhe fotografitë e saj të përzemërta, me Edi Ramën dhe eksponentë të tjerë të qeverisë.

Fjalia e marrë nga një kontekst i gjatë për problematikat e korrupsionit, në të gjitha nivelet e qeverisë shqiptare ishte kjo:

Më duhet në fakt të hamendësoj se nga salla e mbushur plot këtu, kjo nënkupton që qeveria e Shqipërisë është shumë e përkushtuar kundër korrupsionit, në një mënyrë që në fakt i kalon përkushtimit të saj të mëparshëm dhe për këtë duhet t’ju përgëzojmë dhe t’ju nxisim.

Këto elozhe për një nga qeveritë më të korruptuara në rajon dhe më gjerë, (fakt i certifikuar edhe nga raportet e DASH), nëse shkëputen nga “fryma dhe germa” e gjithë fjalimit, në të vërtetë janë skandaloze.

Ambasadorja hamendëson se meqenëse salla ku po fliste ishte plot e për plot me ministra dhe zyrtarë të qeverisë me në krye vetë Edi Ramën, atëherë kjo qenka një shenjë domethënëse e përkushtimit të qeverisë kundër korrupsionit!

Në fakt shkaku dhe problemi i këtij korrupsioni endemik që ka mbërthyer prej kohësh Shqipërinë është vetë qeveria dhe shumica e atyre zyrtarëve të lartë, që duartrokisnin zonjën Kim në atë sallë.

Vetëm për këtë tog-fjalësh, ambasadorja po kryqëzohet keq në disa medie dhe nga politikanë pranë Rithemelimit. Madje rrjeti zien nga memet dhe statutet që shfaqin nota tmerri, nga kjo lloj qasje prej vasaleje kundrejt Edi Ramës.

Vetë ambasadorja nuk ka dhënë ende ndonjë sqarim dhe në fakt, nuk pritet që ta bëjë një gjë të tillë.  Ndaj për të shkuar sa më afër të vërtetës, përtej nxjerrjes nga konteksti të një fjalie-mbështetëse për qeverinë Rama, le të risjellim copëza të tjera nga fjalimi i ambasadores amerikane për çështjen e korrupsionit në Shqipëri:

Jeni në një çast kritik të historisë suaj, duhet të vendosni se në ç’rrugë do të shkoni, do të ecni përpara apo do të shkoni pas. Kush do ta zotërojë vendin, krimi i organizuar dhe vetëm oligarkët, apo njerëzit normal të Shqipërisë.

Ky konstatim, po që është i tmerrshëm; Shqipëria është në një çast kritik historik. Ndoshta nga më të rëndët, sepse sipas ambasadores së SHBA jemi në kufirin ku pritet që të ndahet se kush do ta zotërojë përfundimisht këtë vend: Krimi i organizuar dhe oligarkët, apo njerëzit normal dhe të ndershëm.

Por gati asnjë medie nuk e nxori si titull, këtë alarm ekzistencial për vendin ku jetojmë!

Vazhdojmë më tej. Ambasadorja Kim përsëriti fortë se korrupsioni nuk është thjesht “një çështje e brendshme” e Shqipërisë. E tha prerë se është edhe çështje e sigurisë kombëtare të SHBA:  

Ne duam që aleatët tanë, që Shqipëria të jetë e fortë, e pavarur, e pasur, një partner i plotë.

Pra SHBA-ve nuk ju intereson as Edi Rama, as Sali Berisha e kushdo tjetër si individë, por vetëm Shqipëria si një aleat i fortë në skenën gjeostrategjike botërore. Kaq e thjeshtë është. Mund të pyesni; Atëherë përse “i krehin bishtin” ende një kryeministri dhe qeverie e cila e ka çuar Shqipërinë në fazën, ku rrezikon që të jetë përfundimisht pronë e krimit të organizuar dhe 3-4 oligarkëve?

Sepse nuk kanë tani për tani asnjë alternativë tjetër ku të mbështeten, sepse nuk kemi opozitë (ose e kemi, por të sabotuar), sepse njësoj si te historia e Nastradinit shumë janë përqendruar me dëshpërim te ndonjë kumbull e përmjerrë, `jo edhe aq shumë`!

Vazhdojmë më tej me fjalët e zonjës Kim.

Ky vend ka energji të madhe për të arritur shumë më tepër, por e bllokon korrupsioni. Kësaj duhet t’i jepet fund. SHBA dhe Shqipëria duhet të bashkojnë forcat në këtë çast historik për të thënë mjaft më me korrupsionin, se duhet të mbrojmë demokracinë.

Kjo ngjason si ultimatum. Por vini re; kur kërkon një bashkim forcash, nuk thotë “me qeverinë Rama” as me këtë lloj opozite, por me shqiptarët.

Nëse ju kujtohet rreth 9 muaj më parë ajo e shpalli Partinë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha, (Ky sapo i kishte shpallur luftë Trekëndëshit të Bermudës), si aleat politikë- strategjik të SHBA.

Por kjo forcë politike, nuk e gjeti dot forcën që ta kapte këtë shans “strategjik”. U mbyt në parapolitikën ksenofobe dhe izocionaliste të Foltores dhe nuk e pati largpamësinë e duhur.

Tani ka një problem logjik, në gjithë këtë histori. Çfarë kërkohet më shumë nga përfaqësuesja e SHBA; të thërrasë marinsat dhe ata si në filma të heqin qafe Ramën, ndërkohë që ca oligarkë-politikë të tjerë të këtyre 30 viteve, të bëhen gati me garuzhde në brez për pushtetin e lënë bosh?

Çaste kritike historike si ky që përshkruan për Shqipërinë aktuale me të drejtë Yuri Kim, kërkojnë forca dhe individë opozitarë që bëjnë kapërcime të forta morale dhe politike. Përball tyre pushteti i Edi Ramës, do të ishte thjesht kështjellë rëre. E bën dot këtë, kjo Parti Demokratike?

Ftesën “strategjike” nga vendi më demokratik dhe më i fuqishëm në botë e ka në sirtar, që përpara 9 muajve. Sirtarë ku myku dhe mola kanë vërshuar, por për të cilët gjithsesi ende ka shpresë!/Alfapress.al

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128