Në vend të flamurit të BE, do të bënte mirë të na varte brekët e tij!

10 Gusht 2022, 12:46 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Në vend të flamurit të BE, do të bënte mirë

Këtë të martë, Shqipëria u gdhi me një flamur më shumë. Edi Rama mori vendimin që përkrah atij të Skënderbeut, nëpër të gjitha institucionet e vendit të qëndrojë i ngritur, (varur), edhe flamuri i Bashkimit Europian.

Tani po. Kur të shkojnë shqiptarët që të gjejnë të drejtën e tyre te kaçakët e administratës shqiptare, do tu duket vetja sikur hyjnë në ndonjë institucion gjerman, francez apo belg.

Kurse vetë hajdutët e vegjël dhe të mëdhenj të tij, do të vjedhin që tani e tutje në mënyrë më perëndimore!

Menjëherë pasi u var te penxherja e zyrës së Edi Ramës flamuri i  BE, më erdhi një telefonatë nga Pusteci.

 Një mikeshë që shoqëronte disa turistë të huaj nga SHBA dhe Holanda, më kërkoi që të flisja me ndonjë shef policie aty a në Korçë.

Kishin bërë gjithë atë rrugë dhe donin “mik”, që ti lejonin për të marrë me qira një varkë për të shëtitur liqenin dhe vizituar kishat e rralla mesjetare si ajo e Shën Marenës.

E bëra sa për formalitet telefonatën dhe përgjigjja ishte ajo që prisja: As që bëhet fjalë, urdhër nga lart fare.

Tani ky Ramë i cili në të njëjtën ditë që vari flamurin e BE-së u mburr në Facebok se ka korrur këtë vit një sukses të paparë me turizmin, për të treguar se ka shtet pas ngjarjes makabre me vogëlushen 7-vjeçare në Himarë, i ka rënë shkurt dhe ka bllokuar çdo mjet lundrues nëpër ujërat e Shqipërisë.

Pra shteti i këtij për të shmangur nga detet, liqenet dhe lumenjtë peshkaqenë si ai komisari i policisë që vrau me skaf droge, ju ka hequr ujin gjithë peshqve të tjerë.

Peshkatarët, bizneset ujore dhe të gjithë ata që e nxjerrin bukën e gojës nga ujërat e deteve, liqeneve dhe lumenjve, nuk kanë të drejtë që të lundrojnë sepse “I madhi” për të rikuperuar imazhin dhe për të mos pasur më ‘incidente” si ai Himarës, ka sekuestruar ujërat e Shqipërisë.

Ndaj ju thashë miqve që të mos presin kotë, për ndonjë varkë turistike në Pustec. Nëse ja gjejnë anën ndonjë trafikanti droge, mund edhe të kenë shans, që ai tu bëjë një xhiro pa problem nëpër liqen!

Pra ja ku jemi: Var flamurin e BE-së dhe hiqi “ujin” biznesit të ndershëm, investimeve të huaja, medies së lirë e mbi të gjitha opozitës të cilën e ka tharë dhe shkretuar fare.

E di që me flamurin e BE-së të varur nëpër fasadat e shtetit të tij mashtron ende shumë shqiptarë, por këtij lloj makijazhi i ka dalë boja. Do të ishte më efikas që në vend të tij, të varte brekët që hoqi plazheve të Francës.

 Ju kujtohet si shpërtheu popullariteti dhe karriera e tij pushtetore, pasi u shfaq cullak?

Tani pas 9 vitesh mbret i Shqipërisë vishet me kostum rozë si të mëdhenjtë e botës, por në fakt ka lënë lakuriq dhe kockë e lëkurë Shqipërinë.

Ndaj në krah të flamurit të Skënderbeut, do të bënte mirë të varte brekët e tij sepse është ende lakuriq, njësoj si ky vend i ngratë!/ Alfapress.al  

 

Po ndodh...