Ç`pati Edi Rama që po i bashkohet Sali Berishës në strofullën e nacionalizmit?!

21 Qershor 2022, 13:37 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Ç`pati Edi Rama që po i bashkohet Sali Berishës në

Po ndodh këto kohë një “çudi”. Papritur retorika e Edi Ramë po rezonon me atë Sali Berishës.
Ky i fundit i detyruar nga izolimi ndërkombëtarë, në mënyrë eksponenciale ju është rikthyer kartave të nacionalizmit dhe lëshon alarmin se kombi shqiptarë është në rrezik.
Flet për plane ogurzeza ndaj Kosovë dhe Shqipërisë nëpërmjet aleancës, Vuçiç-Rama me “Ballkanin e Hapur”, për projektet 30 vjeçare të Xhorxh Soros për të shkatërruar dhe zbrazur vendin tonë, për shitjen e detit te Greqia etj, etj.
Në qendër të këtyre mynxyrave që po i ndodhin kombit shqiptarë, është “Zografi bis apo Ramoviçi” si vegël e një konspiracioni ndërkombëtarë.
Deri përpara pak kohësh Edi Rama tallej me këtë retorikë nacionaliste të të “vdekurit që refuzon të kallet”, por së fundmi ka nisur ta fus në axhendën e vetë dhe madje ta tejkalojë atë.
Nga Prishtina së fundmi ai lëshoi përbetimin e madh: Nëse e detyrojnë Kosovën që të futet në luftë, atëherë do detyrohet edhe Shqipëria ti bashkohet!
Se Kosova është praktikisht nën një protektorat ushtarak amerikan dhe perëndimor (Me bazën më të madhe në rajon), se Shqipëria është anëtare e NATO dhe po u fut ajo në luftë futen të gjithë shtetet e saj në bllok, nuk ka asnjë problem.
Rëndësi ka që të gjithë ta dinë se Edi Rama është aq nacionalist, sa që për Kosovën dhe shqiptarinë, ai është gati të rrëmbejë armët.
Do hapë luftë ky Ramë që nuk ja ka përmendur më kurrë “mikut tim Sandër” njohjen e shtetit të Kosovës, që nga vizita e tij në Beograd në nëntor të vitit 2014.
Ku Ramë që është i vetmi kryeministër i vendeve të NATO dhe atyre aspirante për të anëtarësuar në BE, i cili jo vetëm e justifikon por edhe e merr në mbrojtje në media ndërkombëtare Serbinë e Vuçiç, për lojën me dy porta dhe më shumë për pozicionim pro rus në këto kohë lufte.
Gjithashtu, pikërisht ditën e vizitës së tij në Kosovë duke takuar familjarë të komandantëve të UÇK, ai lejoi në parlamentin e Shqipërisë një seancë përkujtimore për Çamërinë. Më herët Taluant Balla lajmëroi, se “Berishës do ja mbyllim” gojën duke miratuar në muajin korrik në parlament, atë që hodhën turpshëm poshtë në qershor: një rezolutë kundër gjenocidit serb në Srebenicë.
Pra Edi Rama partizan i shkallmimit të kufijve dhe tregjeve në Ballkanin Perëndimor, lideri që e duan udhëheqësit evropian, nxënësi i Xhorxh Sorosit të “shoqërive të hapura”, papritur është gdhirë ultra-nacionalist dhe flet për luftë në Ballkan!
Ç`pati që vrapoi me kaq vrull në strehën e nacionalizmit duke folur për luftë në Ballkan, njësoj si Berisha i sotëm dhe ai i kohës përpara se të binte nga pushteti në vitin 2012, kur deklaronte se Shqipëria etnike fillon në Prevezë dhe mbaron në Nish?!
Në fakt sa herë që është gjendur në lakun e skandaleve të mëdha si dosjet 184/339, Saimir Tahiri e të tjera, atë e ka shpëtuar herë tërmeti e herë pandemia. Sot që korrupsioni dhe aferat e mëdha si Inceneratorët (veçanërisht i i Tiranës) dhe koncesione të tjera po dalin si ajsberg mbi ujë, streha e nacionalizmit dhe madje një “luftë” nuk do të ishte keq. Sepse edhe shkatërrimi i opozitës jo vetëm që nuk e ndihmon dot më, por përkundrazi po i kthehet në bumerang.
Ndërkombëtarët gati po e thonë hapur, se ja kanë prerë biletën oligo-kleptokracisë së tij. Por duket se po presin me durim vetëm një vulë te zyrat e SPAK dhe ringritjen e opozitës që po lëngon për arsye që tashmë edhe kalamajtë i dinë. /Alfapress.al

Po ndodh...