Për ramaistët, salistët dhe metajistët!

27 Gusht 2022, 13:17 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Për ramaistët, salistët dhe metajistët!

Me dashje apo jo, në Shqipëri zhvillohen gati çdo ditë eksperimente sociale. Kavie ka sa të duash. Madje janë me shumicë. Për shembull e pashë si një eksperiment social çështjen e tre “blogerëve-spiunë” rusë, të kapur në uzinën gërmadhë të Gramshit.

Ishte shumë interesante të shihje në rrjet dhe në medie, se si edhe këtë çështje militantët më vulgar deri te gazetarët mitoman, e pastaj me radhë Edi Rama, Sali Berisha e Ilir Meta(j), e trajtuan atë. Të gjithë e lidhën me fshatin tonë dhe luftën e brendshme politike.

Salistët dhe metajistët ende pa nisur hetimi tentuan që ta vulgarizojnë, përqeshin dhe madje kishte jo pak që morën në mbrojtje Rusinë e shkretë të cilës “po i bihet në qafë kotë më kotë”.

Ramistët nga ana tjetër u lëshuan kundër këtyre dhe e ekzagjeruan historinë, deri në kufijtë e filmave të Hollivudit për spiunazhin e luftës së ftohtë.

Të parëve jua mbylli gojën hetimi dhe rrëfimi i të kapurve, kurse të dytëve vetë shefi i madh Rama, i cili fillimisht e përdori për të bërë politikën e tij fshatareske të brendshme dhe pastaj në fund fare, “papritur” e sfumoi fare ngjarjen.

Askush nuk e pa këtë histori (e vërtetë apo jo) nën dritën e zhvillimeve globale gjeopolitike, të një lufte me armë në Ukrainë mes Perëndimit dhe Lindjes dhe të një beteje hibride dhe “të ftohtë” në rajone të tjera, por veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Askush nuk tha që një vend i korruptuar deri në palcë me një qeverisje të inkriminuar totalisht, me opozitë saliste&metajiste të akuzuar politikisht dhe me hetim penal për korrupsion, është një pe i hollë që kundërshtarët e kampit, “Euro- Atantik”, mund ta këpusin fare lehtë.

Si eksperiment social, po e shoh edhe nisjen e hetimit penal për pastrim parash ndaj Ilir Metës (ajt). Si eksperiment social kam parë, edhe “non gratat” amerikane dhe britanike ndaj Sali Berishës. Njësoj e shoh edhe avancimin e hetimeve ndaj aferës së paprecedentë edhe për shtete kleptokratë në Afrikë, atë të Inceneratorëve.

Nëse dikush i mban shënim rezultatet e këtyre “eksperimenteve” dhe plot të tjerave, atëherë mund të shohim qartë që të gjithë ja hedhin fajin njëri tjetrit, të gjithë zihen për radhën e paraqitjes në SPAK, të gjithë garojnë me njëri tjetrin se cili e ka bërë,  më të madhe a më të vogël, kapicën e vjedhjes 30 vjeçare të këtij vendi.

Dhe po të gjithë këta i bashkon një fill, herë i hollë sa një pe e herë- herë sa një tra, kundër Perëndimit dhe betejës të tij me korrupsion e klasave politike gjithandej në Ballkan, por veçanërisht në Shqipëri.

Raminjve, Salinjve, metajinjve që gëlojnë në rrjet dhe në media, as që ju shkon ndër mend se idhujt e tyre, kanë 30 vite që kanë frenat e këtij vendi.

As që e marrin mundimin që të ulen 10 minuta dhe të bëjnë ca hesape: Sa pasuri kanë ata, ku dhe në çfarë gjendje i kanë familjet, bashkëpunëtorët që i ndjekin; në çfarë shtëpish jetojnë, me çfarë makinash lëvizin. Sepse jo vetëm që na kanë vjedhur por edhe na i kanë përplasur në fytyrë dhe na kanë bullizuar me plaçkën që i mungon Shqipërisë.

Ku keni parë ju politikanë, më të pasur se biznesmenët e ndershëm?!

Vetëm sipas shifrave zyrtare bëhet fjalë për dhjetëra miliard dollarë që “mungojnë”, që kur këta morën në dorë fatet e vendit dhe do ta bënin Shqipërinë “Si gjithë Europa”. Të mos flasim këtu, për toka, prona e aksione nëpër biznese dhe koncesione.

Raminjtë, salinjtë dhe metajinjtë pasi të kenë bërë këtë bilanc, le të shpenzojnë edhe 10 minuta të tjera nga koha e tyre që harxhojnë në rrjet duke sulmuar dhe denigruar këdo që është kundër kësaj klase politike dhe të bëjnë, edhe hesapet e shtëpisë së tyre.

Le ta bëjnë, sepse kur të shohin diferencën mund edhe të vrasin veten. Të njëjtën gjë të bëjnë edhe për ushtarët e tyre në medie dhe parti!

E kuptoj që shumë nga ramistët, salistët dhe metajistët kanë borxhe ndaj idhujve të tyre. Të tjerë e bëjnë sepse “kanë bërë ndonjë lek” në kohën që kanë punuar dhe punojnë në administratën e tyre. Ka shumë që i ndjekin për burrni dhe sedër. Ka plot që e bëjnë edhe nga frika...

I kuptoj që të gjithë por le të kthejnë kokën pra, te shtëpia dhe fëmijët e tyre. Të kuptojnë se çdo gjë që ju mungon është e hipotekuar te idhujt e tyre, te biznesmenët e tyre, te brezat e ardhshëm të tyre.

E di që nuk ndikoj dot në programimin dhe interesat tuaja, por miqësisht, mos u përleshni me njëri- tjetrin. Mos hidhni baltë dhe denigrime mbi ata që kërkojnë zhdukjen e kësaj klase politike 30 vjeçare (më makutja dhe më e liga që njeh historia e Evropës), sepse nuk i shpëtoni dot. Le ti ndjekin dhe le të luftojnë, ata që ju kanë shërbyer në krim dhe kanë ndarë paratë e shqiptarëve së bashku.

Nuk kanë shpëtim sepse përveç karmës që po përjetojnë për atë që i kanë bërë këtij populli, ky është një proces i pandalshëm dhe i nisur për interesa të vendeve më të fuqishme të globit. Sovranistë nuk jeni ju që hiqni paratë e librave dhe bukës së fëmijëve për të pasur internet nëpërmjet të cilit hidhni vrer apo mbroni ata, por zvicerianët që e kanë rrogën minimale 3500 euro në muaj.

“Sovranistë” janë edhe Rama, Berisha, Meta(j) dhe enturazhi i tyre i zyrtarëve dhe ish-funksionarëve të lartë, të cilët kanë aq para sa të bëjnë çfarë tu dojë qejfi, përveçse të blejnë të kaluarën e tyre.

Është dialektike në fund të fundit, sepse 30 vite grabitje në këto përmasa dhe me këto pasoja biblike, janë jashtë çdo lloj logjike. Është qesharake të mendosh se përveç asaj që kanë bërë deri më tani Rama, Berisha, Meta(aj) dhe organizatat e tyre, pas “reflektimit” do ta bëjnë ndryshe.

Nuk është më as çështje SPAKU dhe demokracie, por degradimi dhe mbytje në korrupsionin dhe krimin që kanë krijuar vetë deri në makutëri. Nuk po i rrëzon kurrkush. Po shemben nga mbipesha e korrupsionit të tyre të lig dhe të pafre. E dinë edhe vetë më mirë se kushdo, ndaj që të tre përpëliten që të shpëtojnë çfarë të munden dhe të mbysin në fatin që i kanë krijuar vetvetes, sa më shumë trushpërlarë. Por edhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kanë marrë thërrimet e plaçkës.

Është proces të cilin, Rama&Berisha& Meta, e dinë që nuk e ndalin më dot. Sepse i kanë bërë këtij vendi atë që edhe armiku më i keq i shqiptarëve, do ta bënte më me frena.

Ndaj ramaistë, salistë dhe metajistë qetësohuni!

Merrni frymë thellë, mendoni 20 minuta, (10 për pasuritë e tyre, 10 për gjendjen tuaj) pastaj hidhni sytë nga familja dhe fëmijët që keni në shtëpi apo në mërgim:

 Do të donit që të përjetonin një 30 vjeçar tjetër, si ky që kaluat vetë?!/Alfapress.al