Politikanë të mefshtë!

1 Tetor 2022, 17:25 / EDITORIAL NGA ERL KODRA

Politikanë të mefshtë!

Për të kuptuar politikën nuk të duhet ndonjë zgjuarsi e veçantë, përveç faktit se duhet të kesh aftësinë për të bërë dallimin mes gjërave të rëndësishme dhe të parëndësishme.

Një politikan i mirë gjithmon e ka këtë aftësi, ndërsa të thjeshtët janë të padobishëm për shoqërinë. Ne jemi një shoqëri e vogël; e varfër dhe me komplekse inferioriteti, me marrëdhenie të korruptuara ndërpersonale dhe të mbytur nga imoraliteti.

Ne nuk e kemi aftësinë për të prodhuar diçka ndryshe - ashtu siç prodhojnë shoqëritë e tjera - ne nuk mund të nxjerrim një Giorgia Meloni ose Alexis Tsipras. Aftësia maksimale është të vihemi në shërbim të Edi Ramës, Ilir Metës ose Sali Berishës.

Nëse politikanëve tanë u mbetet diçka në dorë, domethënë u duhet që t'i japin drejtim një pune, të marrin një vendim, të sfidojnë për të bërë ndryshimin, ata kompleksohen dhe hutohen, u duket gjë e madhe të dalin kundër tre perëndive të tyre, madje dyshojnë nëse janë zgjuar apo në ëndërr.

Është interesante se të gjitha lëvizjet politike në Shqipëri kanë kanë ardhur nga intervenimi i faktorëve të jashtëm politik, dhe jo nga brenda. Edhe pluralizmi erdhi si shkak i ndryshimeve politike në Europën lindore, dhe jo si lëvizje e brendshme.

Ironikisht, edhe Enver Hoxha nuk pati asnjë sfidues serioz nga brenda Partisë së Punës. Të emëruarit prej tij jetonin dhe vdisnin me emrin e Enverit në gojë, edhe kur ai i shkonte në plumb - kaq e fortë ishte ndjenja e nënshtrimit.

Historia e pluralizmit dominohet nga vetëm 4 personazhe politikë, tre prej të cilëve vazhdojnë të mbajnë të pushtuar hapësirën politike në vend. Sistemi i ngritur prej tyre, veçanarisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, praktikisht bëri të pamundur çdo lëvizje tjetër që mund të sfidonte sistemin.

Është e vërtetë se Shqipëria është një treg i vogël politik dhe lehtësisht i kontrollueshëm, megjithatë, është çmerituese pazotësia e politikanëve aktiv, që as frymë nuk marrin pa iz-ën (lejen) e Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Në një analizë të thjesht të gjendjes politike në vend, bie në sy se në përgjithësi, politikanët jo vetëm që nuk i përgjigjen interesave të shoqërisë, por vet shoqëria ka nivel më të lartë politik se sa politikanët.

Disa qindra mijëra qytetarë, që nuk duan as Edi Ramën, as Ilir Metën, as Sali Berishën, madje mendimi politik i tyre është shumë më i lartë se i çdonjërit prej politikanve që hanë bukën prej politikës, jo vetëm nuk janë të përfaqësuar politikisht, por sistemi nuk u jep shans që ata të krijojnë rezonancë politike as brenda partive aktuale, as krijimit të një force të re politike.

Përpjekjet e njëpasnjëshme për të krijuar parti të reja që sfidojnë sistemin dështuan, pjesërisht për faj të sistemit të ngritur, dhe pjesërisht për shkak të personazheve që i krijuan ato. Si pasojë, rezultati është ky që shohim - tre dinosaur që nuk sfidohen nga askush, pavarësisht mizerjes dhe mjerimit që kanë mbjellur në jetën e çdo shqiptari.

Ajo çfarë ndodhi përgjatë vitit të fundit në Partinë Demokratike ishte një shpresë se gjendja do të ndryshojë, ose së paku sistemi do të sfidohej nga brenda. Pa i hyrë historive se si u zhvilluan ngjarjet, mendimi politik i atyre që mbështetën këto zhvillime ishte shumë më i avancuar se sa vet protagonistëve politik.

Nëse Lulzim Basha reagoi shumë vonë për shkaqe që vetëm ai i di, këta të tjerët janë kthyer në shurdh-memecë, që presin pas gëmushave rastin e volitshëm. Asnjë mendim, akt ose artikulim të saktë politik, asnjë debat, ide ose protagonizëm.

Të fshehur pas Facebook-ut dhe Twitter-it, me ndonjë status në të rrallë ose cicërimë të vogël, ata kanë braktisur disa qindra mijëra demokratë dhe qytetarë të tjerë të vendit, të gjithë votues potencial të një alternative ndryshe politike - jashtë hegjemonisë së Edi Ramës, Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Mbështetja e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian ishte dhe është pa rezerva, si asnjëherë më parë. Lëvizjet e fundit dhe invervista e Ambasadores Yuri Kim tregojnë qartë se partnerët janë në kërkim të faktorëve të brendshëm, si e vetmja mënyrë për të ndryshuar statusquon-në.

Ata e njohin gjendjen më mirë se gjithkush; ata e dinë se sistemi aktual i krimit dhe korrupsionit - përzier me politikën - po reziston. Në të vërtetë ata e njohin në detaje vet politikën shqiptare dhe tre liderat aktual të saj, që mund të largohen nga politika ditën që do të mbyllin sytë.

Të jesh politikan është një privilegj që jo gjithkujtë i jepet shansi në jetë. Për një mori rrethanash, njerëzit zgjedhin ose detyrohen të zgjedhin të bëjnë të tjera gjëra, duke ua lënë në dorë politikëbërjen politikanëve të caktuar.

Ata (politikanët) janë aty për të përfaqësuar jo vetëm njerëzit që i votojnë, por interesat e mëdha të vendit. Është e dhimshme kur sheh se sa përqindje e lartë e qytetarëve shqiptarë nuk i përfaqëson askush, as vokacionin e tyre perëndimor, as interesat e tyre politike dhe ekonomike.

Disa gjëra duhen të thuhen, pavarësisht nëse pëlqehet apo jo. Nëse ke marrë rolin e politikanit, luaje atë me përgjegjësi, përndryshe, nuk është e ndershme të presësh me duar në xhepa nëse të bie gjë në dorë. Nëse nuk luftoni sot për veten dhe vendin tuaj, kurrë nuk do të keni një shans të dytë.

 

Po ndodh...