Pse Edi Rama do të rrëzohet shumë shpejt!

9 Maj 2022, 12:56 / EDITORIAL NGA ERL KODRA

Pse Edi Rama do të rrëzohet shumë shpejt!

Shkrimi i fundit rreth zhvillimeve që pritet të ndodhin ka ngjallur shumë reagime, mes tyre edhe mosbesuese se diçka e tillë mund të ndodh në muajt në vazhdim. Unë mendoj se ka argumente të mira që mbështesin këtë përfundim.
Në këtë rast nuk është e nevojshme për të analizuar zhvillimet në Partinë Demokratike – sepse gjendja ku është katandisur ajo e ka defaktorizuar aftësinë e saj për të bërë presion politik mbi mazhorancën e Edi Ramës. PD nuk ishte në gjendje të rrëzonte qeverinë kur ishte e bashkuar dhe e aftë të protestonte, madje të ndërmerrte edhe aksione radikale siç ishte djegia e mandateve parlamentare dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale të 2019-tës. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë çimentuar qeverinë kushdo qoftë ajo, pavarësisht skandaleve që ajo mund të prodhojë.
Ajo çka duhet marrë në analizë është vet mazhoranca e Edi Ramës përballë zhvillimeve që kanë ndodhur dhe pritet të ndodhin në muajt në vazhdim.
Së pari, është e pamundur dhe e pabesueshme të mendohet se Departamenti i Shtetit e ka me PD-në, dhe se qëllimi i tyre ishte shkatërrimi i saj. Ky lloj intepretimi është jo vetëm i pavërtetë, por faktet tregojnë krejt të kundërtën. Dhe ja pse:
Shpalljet non-grata të DASH kanë goditur shumë më fort Edi Ramën dhe PS-në se sa Partinë Demokratike. Tom Doshi, Vangjush Dako dhe Aqif Rakipi janë njerëzit shumë afër Edi Ramës mbi të cilët ai ka ngritur fitoret e tij elektorale, ndërkohë dy ministra dhe një deputet të Edi Ramës gjenden në burg. Rama nuk është rrëzuar deri tani për arsye komplekse, por që mund të ndryshojnë radikalisht në muajt në vazhdim, pikërisht prej rrethanave, domethënë konvergimi ku do të arrijnë vektorët e përftuar nga këto zhvillime. Është e pamundur që vendi të qeveriset nga një qeveri si kjo, dhe mbi të gjitha pa opozitë. Kjo do të ishte vrastare, dhe është krejtësisht e pabesueshme se ky është qëllimi amerikan.
Po të ishte – ata nuk kishin pse shpallin non-grata as Tom Doshin, as Vangjush Dakon dhe Aqif Rakipin – nuk kishin pse të ndjekin çdo seancë gjyqësore të Saimir Tahirit, nuk do të këmbëngulnin për të vazhduar me Komisionin Hetimor për inceneratorët, Lefter Koka dhe Alqi Bllako do të ishin të lirë. Mos harroni se çdonjëra ngjarje që ka ndodhur rreth Edi Ramës e ka dobësuar atë, duke ngjallur frikë dhe panik ndër bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Është frika para stuhisë që akoma ruan njëlloj qetësie të rreme, që mund të shpërthejë nga çasti në çast.
Kjo është arsyeja pse Rama nuk e largoi nga grupi parlamentar djalin e Aqif Rakipit, megjithse logjika dhe rrethanat diktonin të kundërtën. Nëse do ta bënte, të paktën 5-6 deputetë do t’i lëkundnin fronin e Kryeministrit. Ekuilibrat delikat që ai ka ngritur, mbështetur mbi krimin dhe korrupsionin e Tom Doshit, Aqif Rakipit, Vangjush Dakos, Lefter Kokës, Alqi Bllakos dhe Saimir Tahirit mund të shemben në çdo moment – lexo kur të jetë momenti i duhur për t’i dhënë vendit zgjidhjen e krizës.
Sulmi ndaj SPAK-ut që Edi Rama ndërmori dje ishte jo vetëm i pazakonshëm, por shumëplanësh dhe i kryer nën panik. Nëse ka ndonjë porosi për SPAK, ai ka të gjitha mundësitë t’ua dërgojë me mënyrat e tij, siç ka vepruar me qindra herë, sidomos muajt e fundit. Por jo – ai ka arsye të forta që e ndërmerr këtë hap publikisht, të cilat deshifrojnë zhvillimet e pritshme.
Kjo që kam shkruar nuk ka asgjë konspirative, por thjeshtë deduksion logjik. Mjafton të ndiqni logjikën se ku do kryqëzohen vektorët e ngjarjeve që kanë ndodhur deri tani. Tek e fundit, nuk ishte e nevojshme që të shkatërrohet opozita për të mbajtur në pushtet Ramën. Ai ishte në pushtet, gjithsesi. Në fakt opozita u vet-shkatërrua.