Pse Ilir Meta flaku papritur 'lëkurën e qengjit' ?!

21 Maj 2022, 14:15 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Pse Ilir Meta flaku papritur 'lëkurën e qengjit' ?!

Kështjellë e rrethuar ka qenë nga pjellat më të pabesat të këtij vendi, por në momentet më kritike i është bërë thirrje popullit dhe populli i ka rrethuar dhe ata janë tërhequr përkohësisht nga vendimet e tyre.

Ky ishte thelbi i konfernecës së jashtëzakonshme të presidentit në ikje Ilir Meta mesiditën e kësaj të shtune. E dyta brenda pak ditësh, e fortë, me akuza të drejtpërdrejta ndaj pushtetit të Edi Ramës dhe “disa” ndërkombëtarëve.
Gjithashtu po në një hark të shkurtër kohor ai është rikthyer në studio televizive. I njëjtë si ai që pamë “të shqetësuar dhe të tronditur”, pak përpara 25 prillit.
I vendosur se së bashku me “popullin e 2 marsit” pas 25 korrikut do të çmontojë me çdo mjet regjimin e Ramës, i cili në një aleancë të pabesësh ka rrethuar aktualisht kështjellën e fundit kushtetuese. Pra zyrën e tij presidenciale dhe fatin e tij në politikë e jo vetëm.
Pas fitores në Gjykatën Kushtetuese Ilir Meta ishte bërë qengj, ose të paktën kishte hedhur mbi supe, lëkurën e tij. Por papritur ai e hoqi atë dhe u shndërrua në një “ujk” për regjimin e Edi Ramës dhe bëmat e tij.
Ngre alarmin për shpopullimin e vendit, humbjen e sovranitetit, vjedhjen e votave, korrupsionin, koncesionet, integrimin, borxhin, çmimet. Flakëron dhe me të drejtë.
Por pyetja është: Ç’pati Ilir Meta që shpërtheu “papritur” këto ditë, ndërkohë që edhe thirrjen e Edi Ramës ndaj SPAK (vetëm njëherë e bëri) nga foltorja e Asamblesë së PS e gëlltiti lehtë me vetëm një gotë (ndoshta edhe shishe) verë?
Duket se ka vetëm një arsye; shkrimi në median më të madhe austriake ( edhe më e madhja në botë për frymë popullsise) “krone.at”.
Shkrimi, pavarësisht nga mbrojtja editoriale e të dhënave dhe dëshmive që pretendon se ka media në fjalë, ishte “bombë”.
Një denoncues që qan nga frika se është kërcënuar me jetë në prani të avokatëve të njohur të Vjenës rëfen për “krone.at” se presidenti i Shqipërisë përpara se të merrte këtë post ka kaluar nëpërmmjet offshoreve plot 700 mijë dollarë për të lobuar në SHBA. Në shkrim nuk përcaktohet qartë se kjo shumë marramendëse është dhënë vetëm për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Trump dhe operacioneve plastike të Monika Kryemadhit, por me letra LSI ka një kontratë prej vetëm 15 mijë USD.
“Deri më sot, është e paqartë se kush ka paguar në të vërtetë për të. Vetë Meta pretendon se është ftuar nga republikanët. Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700,000 dollarë kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited nga një avokat i afërt me Metën”, ngre dyshimet e veta media austriake.
Në shkrim thuhet se ky investigim do të tronditë fortë politikën në Shqipëri, por deri më tani ai duket se ka tronditur vetëm Ilir Metën.
Ky i fundit premton se do të hap një gjyq në Vjenë për këtë shpifje, kurse kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaron se shkrimi është paguar nga “paratë e vjedhura të Inceneratorëve”.
Por presidenti nuk ka pritur deri në nisjen e një procesi në Vjenë ku (nëse hapet vërtetë) palët por veçanërisht media austriake pritet që të nxjerr “asat nën mëngë.
Presidenti thotë se shkrimi është pa autorë dhe anonim, por për profesionistët e gazetarisë kjo nuk e dobëson artikullin përkundrazi. Kur një investigim në një media të madhe me traditë mbi 100 vjeçare del pa emër, do të thotë se është redaksionale. Pra ka punuar një grup i gjerë dhe përgjegjësia është e gjithë kompanisë.
Por pavarëisht fatit të çështjes nëse shkon në gjykatë, ajo që duket qartë është se presidenti Meta mendon se kundër tij po thurrët një konspiracion.
Të pabesët e shumtë që kanë rrehuar kështjellën e tij, duket se nisin me Edi Ramën dhe lobingjet e tij ndërkombëtare dhe përfundojnë me paratë e korrupsionit në Shqipëri.
Pavarëisht nga paranojat e njohura të Ilir Metës që shfaqen pa frena që nga koha e “bllokut” të Dritan Priftit, nëse ka vërtetë një plan të këtyre “të pabesëve” që e kanë rrethuar, ai duket qartë se çfarë është.
Deri në 24 korrik kur Meta planifikon të zbresë nga karrigia e presidentit në terrenin e politikës aktive, të jetë çmontuar dhe bërë gati për SPAK.
Në fund të fundit këtë kërkoi me zë Edi Rama (edhe pse vetëm njëherë), këtë ka të shkruar në ballë edhe ambasadorja Yuri Kim!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128