Pse PDFR e Berishës, po troket me dëshpërim te PD-ja zyrtare?!

29 Gusht 2022, 16:05 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Pse PDFR e Berishës, po troket me dëshpërim te PD-ja zyrtare?!

Njihet në shkencën e psik- analitikës “medalja e dyfishtë” e përpëlitjes së mbijetesës, e grahmave të fundit. Ajo ka dy anë; atë tragjiken dhe atë qesharaken.

Një proces i tillë po ndodh me Sali Berishën dhe grupimin e tij i cili korrektësisht, tani për tani, mund të quhet vetëm Partia Demokratike e Foltores dhe Rithemelimit. Akronimi PDFR, nuk do të ishte keq për një parti të re.

Duket, sikur një vit që nga nisja e këtij aksioni që shpërtheu për t`ju kundërvënë “nongratas” amerikane është një kohë e humbur. Por nuk është vonë fare, kur mendon që Ilir Meta (j) e bëri një parti të re me lidership të ri, vetëm brenda pak orëve.

Ana tragjike e PDRF-së së Berishës është se lëvizja e tij ka mbetur në rreth-rrotullim. Kujtoni atë eksperimentin, me miun e futur në një sferë bosh prej qelqi. Fillimisht rreth-rrotullohet me energji të papara brenda vakumit dhe refuzon që ta kuptojë, se nuk ka asnjë rrugë- dalje.

Pastaj kur i rreshtin energjitë dhe “kupton”se nuk ka dalje, bëhet qesharak. Fillimisht tenton për ta çarë sferën me dhëmbë, pastaj nga fundi, përpara se të plandoset, nis dhe troket me putra në mënyrë të dëshpëruar.

Kujt i troket?

Natyrisht Edi Ramës i cili e ka mbajtur një vit me “oksigjen” të dorës së parë, por që nuk është se i ka ai çelësat e globit-kurth ku ka mbetur Berisha. Madje ai vetë është në të njëjtën situatë veçse, tani për tani, ka më shumë hapësirë për tu vërtitur brenda kurthit të vetë.

Ti trokasësh Edi Ramës është vërtet shumë tragjike për demokratët e ndershëm që për inerci, dëshpërim apo për arsye të ndryshme, po e ndjekin ende.

Por ai po i troket edhe Lulzim Bashës dhe gjithë asaj pjese të madhe të PD-së që është pozicionuar si properëndimore dhe kundër treshes Rama- Berisha- Meta.

Dhe kjo është shumë qesharake!

Ditët e fundit përfaqësues të PDRF-së së Berishës po dalin në medie dhe në rrjet dhe po “këshillojnë” Lulzim Bashën dhe pjesën e PD-së që nuk ju është bashkuar as me presion dhe as me blerje, që të krijojnë partinë e tyre.

Pastaj po në mes të kësaj retorike, “luten” për bashkim përpara zgjedhjeve lokale dhe në fjalinë tjetër i akuzojnë se janë në pakt me Edi Ramën. Edhe miu i shkretë në sferën e tij, nuk shfaqet kaq i çoroditur përpara se të pajtohet me fatin e tij fundorë.

Shiheni me vëmendje çfarë po ndodh: Berisha nga “E rrëzojmë Ramën brenda shtatorit”,  dy ditë më parë kaloj në tezën se, “do ta heqim me votë”. Nga ana tjetër janë rikthyer te pika ku nisën rreth-rrotullimin dhe po hedhin sërish si ushqim bajat për ndjekësit, kauzën qesharake; “Fajin e ka sërish Luli”

Kjo po ndodh me PDRF-në e cila së bashku me Ilir Metën do të intensifikonte revolucionin me protesta të mëdha dhe mosbindje civile, duke nisur që nga fillimi i muajit shtator.

Po pse gjithë kjo marrje kthese kaq e fortë?!

Së pari: Kanë kuptuar se nuk kanë aq shumë ndjekës (pavarësisht zhurmës që bëjnë) edhe për të mbushur sheshet në mënyrë permanente. Tashmë për këdo shqiptarë me pak mend në kokë është e qartë, se nuk mund të ketë më riciklim të klasës politike që gatoi tranzicionin fatal shqiptarë. Nuk mund të ketë më rotacion të themeleve të tij. Këtë e duan me çdo kusht shqiptarët e ndershëm, këtë e do edhe Perëndimi.

Ndaj versioni i protestave “madhështore” ka rënë që tani. Bëjnë edhe ata sondazhet dhe testimet e tyre.

Së dyti: Gati po e pranojnë hapur se gjykata e Apelit nuk ju jep kredencialet e Partisë Demokratike. Edi Rama bëri çdo gjë për ta shtyrë vendimin kaq gjatë, por edhe ai ka hallet e tij po aq të mëdha.

Së treti: Ilir Meta pas hapjes së hetimit penal nga SPAK që më shumë është për LSI-në se sa për atë si individ, mund të quhet që tani “kartë e djegur”. Berisha po e mbron dhe nuk distancohet dot, por sipas një sondazhi empirik të bërë brenda Partisë Demokratike të Foltores dhe Rithemelimit, gati 90 për qind e ndjekësve, e urrejnë Metën dhe LSI-në e konvertuar në PL, po njësoj sa Edi Ramën.

Së katërti: Pavarësisht profilit të ulët politik dhe mediatik që ka mbajtur PD e grupit të Bashës, situata sa vjen dhe bëhet më e favorshme për ata. Berisha nuk arriti dot që ta bashkonte partinë, edhe pse Basha dha dorëheqjen pikërisht për këtë gjë. Boshti i tyre perëndimorë pas mbylljes së epokës së treshes do të çlirojë energji, emra, figura dhe ide të ndrydhura deri më tani nga berishizmi.

SHBA jo vetëm që nuk u tërhoq pasi ai e vetë- shpalli veten kryetar të opozitës, por futi në lojë edhe Britaninë e Madhe dhe së shpejti me shumë gjasa bashkohen edhe vende të BE-së.

Së pesti: SPAK po ecën me shpejtësi dhe në vjeshtë priten goditje dhe hapje të hetimeve penale për rrethin e ngushtë  të treshes, pa asnjë përjashtim.

Ilir Meta deklaroi këtë të hënë, (29.7.2022), se nuk e njeh më Drejtësinë e re dhe institucionet e saj. Berisha, (si individ), pritet që ta ndjekë në këtë rrugë sepse siç thamë është edhe ai brenda globit të tij prej një viti. Ky radikalizim është shpallje lufte ndaj SHBA, BE dhe shpresës së fundit që kanë shqiptarët për të vënë drejtësinë ndaj të korruptuarëve dhe minuesve të demokracisë. Vetëm pas kësaj mund të shpërthejnë energjitë properëndimore jo vetëm brenda opozitës, por edhe PS-së së kapur në çdo qelizë.

Së gjashti: Edi Rama nuk i ndihmon dot më edhe sikur të urdhërojë partinë që tu mbush sheshet në shtator, pasi ka hallin të shpëtojë dhe të fsheh Engjëll Agaçin, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Erion Velijn, etj. Pra fatin e tij të pashmangshëm penal dhe politik. Po përpëlitet edhe ai brenda globit- kurth të tij dhe është në fazën që po troket me putra.

Kujt?

Natyrisht ortakëve në këtë krim 30- vjeçarë të paprecedentë; Berishës dhe Metës. Kjo është edhe arsyeja që çdo ditë e më shumë po duket qartë që të tre janë brenda të njëjtës sferë qelqi.

Si ajo ku ngeci miut makut i cili u lëshua mbi një copë djathë më të madh, se sa i duhej për tu ushqyer normalisht!/ Alfapress.al

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128