Pse po e fshehin që tani kandidatët e Rithemelimit Sali Berishën?!

3 Nëntor 2022, 14:12 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Pse po e fshehin që tani kandidatët e Rithemelimit Sali

Duke ndjekur prezantimet televizive të 3 kandidatëve zyrtarë të Partisë Demokratik të Rithemelimit për të garuar në primare për Tiranën, mund të vësh re dallime nga më të ndryshmet mes tyre.

Belind Këlliçi shfaq besim, se duke shkuar “derë më derë” siç bëri në zgjedhjet e 25 prillit do ta mund Erion Veliajn. Bashkimin e PD-së me rastin e këtyre zgjedhjeve, nuk e ka problem. Ndoshta është i vetëmjaftueshëm me PL- në e Ilir Metajt.

Në një nga daljet e fundit, pasi u “provokua” nga Ylli Rakipi, nuk guxoi që të tregonte me emra oligarkët që punojnë dhe mbajnë në këmbë Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Këlliçi ka qenë brenda që në fillim dhe e di mirë që ata janë, edhe “portofol” i aksionit riciklues të Berishës. Edhe ky njësoj si shefi i madh dhe gjithë të tjerët te Rithemelimi, kanë gjetur një alibi qesharake për çështjen e oligarkëve: Nuk vëmë gjoba ne si ata të tjerët!

Fakti është se Lulzim Basha kur ishte aktiv në parlament edhe Gazmend Bardhi sot e gjithë ditën, nuk përtojnë që të denoncojnë musketjerët financiarë të Edi Ramës. Haraçin e merr ai që të nxjerr nën dritën e diellit, apo ai që të fsheh për çfarë je në lidhje me pushtetin e Ramës?!

Në fjalorin e Oksford shkruhet: Oligarkë janë ata të cilëve pronat dhe pasuritë ju bien në prehër. Kush jua ka hedhur në prehër Kastratit, Manes, Salillarit, Ulajt, etj, përveç Edi Ramës gjatë këtyre 10 viteve?!

Gerti Bogdani nga ana tjetër shfaqet më pak “populist” se Këlliçi. Më i qetë dhe perëndimor në artikulim dhe duket se synon që të fitojë të paktën në betejën brenda llojit, duke tejkaluar berishistët. Ky është mision i pamundur, por Bogdani ka gjithë të drejtën e zotit të shpresojë te ajo garë, njësoj siç bënë nja 4- 5 të rinj për zgjedhjen e kryetarit te FRPD.

Kurse doktor Ilir Alimehmeti, deri më tani ngjan si një “UFO” i futur aty si hudhër për të mos marrë më sysh “demokracinë amerikane” që zhvillohet te Rithemelimi, i cili u themelua nga një Foltore anti-amerikane.

Nga ana tjetër vetë Berisha që del nga 3- 4 herë në ditë në TV, sa herë që flet për primaret shprehet vetëm në Vetën e Parë Njëjës: Unë do të pranojë këdo që shfaq dëshirën për kandidim; Unë nuk do të mbaj krah: Unë, unë, unë...

Që të jemi të drejtë, duhet që ta pranojmë se edhe thelbi i prishjes së negociatave mes dy palëve në PD, ishte pikërisht Sali Berisha. Ky i fundit vërtet dërgoi Palokën për të “biseduar” me Bardhin, por nga ana tjetër fliste për “primaret e tij të panegociueshme”, bëri “marrëveshje historike” me Ilir Metajn i cili vulosi këshilltarët por edhe kandidatë për kryetar, aty ku do ta shihnin të nevojshme bashkë me ortakun.

Meqenëse po flasim për primare të Rithemelimit, përse nuk i fusin edhe emrat e këshilltarëve në këtë proces, apo ashtu është një muhabet me Metajn?!

Të gjithë e dinë që këto primaret për kandidatët për kryetarë të bashkive të vendit, do të varen vetëm nga sms- të dhe “haberet” që Berisha do ti dërgojë “bazës”. Në fund të fundit i takon kjo, pasi vetë e nisi përpara një viti këtë aksion personal- politik, vetë e financoi dhe po me forcat e veta e shndërroi në parti, pavarësisht se është ende një strukturë paralele dhe jo legale.

Çështja është, se nuk mund të mbulohet e vërteta e madhe: Kur Themi Foltore, kuptojmë Sali Berisha; kur themi Rithemelim nënkuptojmë “Doktorin”, kur themi primare dhe kandidatë, po njësoj është. Dhe kur i themi të gjitha bashkë, duhet të mos harrojmë: Non Grata nga Perëndimi!

Këtë përveç shumicës së votuesve dilematikë, më së miri e di edhe Edi Rama. Ndaj që tani ai i cilëson ata: Kandidatë Non Grata!

Por duket se këtë e dinë edhe Këlliçi, Bogdani dhe Alimehmetaj edhe pse nuk dalin fare hapur. Që të tre në shfaqjet televizive pas shpalljes zyrtare të kandidaturave, sa herë që pyeten për problemin e Berishës me Perëndimi, nxitojnë të deklarojnë se: Nuk kandidon Berisha, por unë!

E thonë me gjysmë zëri sepse janë ende në duart e “primareve” të Berishës, por kur të regjistrohen në KQZ kanë për ta thënë edhe më fortë.

Që tani kanë nisur që ta fshehin Sali Berishën nga kjo fushatë elektorale!

Duket sikur kanë marrë për këshilltarë ata izraelitët që ja fshehën sa mundën Lulzim Bashës, në zgjedhjet e fituara për Tiranën në vitin 2012 dhe në ato të 25 prillit 2021.

Atëherë Berisha bëri sikur u fsheh, por tani ka tjetër hall dhe synim. Shpreson një tundje koke apo një gjysmë ‘buzëqeshje” nga Perëndimi dhe për këtë i duhet që të jetë çdo gjë: Foltore, Rithemelim, Parti Demokratike, Protestë Madhështore, Primare, Kandidat...

Çdo gjë, përveçse “Sali Berisha Non Grata”, për korrupsion dhe minim të Demokracisë!

Ndaj edhe kandidatët po synojnë të fshehin Sali Berishën, por njëkohësisht duan që të përfitojnë nga të gjitha ato që rreshtuam më lart. E bukur si skemë por të kujton pak prapanicat e mëdha të strucit, kur fsheh kokën në rërë!/Alfapress.al  

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128