Pse protesta e sotme jo partiake është një thyerje epokale e politikës së vjetër!

Në ekranet televizive dhe faqet e analistëve po luhet një teatër i lodhshëm. Analistë, investigues të vetëshpallur dhe "fallxhorë" të politikës po përpiqen me çdo kusht t’i veshin protestës masive qytetare petkun e konspiracionit. Disa e shohin si një lëvizje gjeopolitike kundër grekëve apo izraelitëve; të tjerë si një mbrojtje apo sulm ndaj investimeve të dhëndrit të ish-presidentit Trump; e disa nga Athina përpiqen të riciklojnë tezat e vjetra se toka u përket minoritarëve. Vetë kryeministri Rama nxiton të përdorë kartën klasike të nacionalizmit, duke i dënuar protestuesit si "tradhtarë" që u bëjnë jehonë gazetave greke, duke u vetëshpallur si patrioti i vetëm.
Në këtë absurditet nuk mbeten pas as disa liderë të partive të reja, të cilët nëpër studio televizive kanë filluar një garë qesharake mes tyre se kush ka bërë më shumë për pronat në Shqipëri, kush ishte i pari që e ngriti zërin e kush ka më shumë merita, duke treguar se janë po aq të etur për protagonizëm sa të vjetrit.
Por e vërteta është shumë më e thjeshtë, më e pastër dhe, për rrjedhojë, shumë më e frikshme për pushtetin: kjo protestë nuk është anti-familjes Trump, as pro-Athinës. Ajo është një betejë për dinjitetin e shqiptarëve dhe, mbi të gjitha, e të rinjve që nuk merren në konsideratë për asgjë në këtë vend e që nuk gëzojnë as të drejtat minimale, përfshirë këtu edhe ato mbi pronën e tyre.
Sot, Shqipëria është kthyer thuajse në një vend të huaj për shqiptarët e ndershëm që duan thjesht të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe me të drejta thelbësore, duke përfshirë edhe atë të pronës private. Rasti i Zvërnecit nuk është thelbi, por është pika e fundit që mbushi enën e zhgënjimit të qytetarëve. Ena nuk mban më, uji ka filluar të derdhet, dhe kjo që po shohim është protesta më e madhe pa parti politike që nga vitet '90, ku nuk valëvitet asnjë flamur tjetër përveç atij kombëtar.
Nga pikëpamja sociologjike dhe politike, kjo protestë në vetëm tre ditë shkërmoq dy nga stereotipet më të mëdha të propagandës shumëvjeçare në Shqipëri.
Së pari, rrëzohet miti se "shqiptarët nuk ngrihen në protestë". Për vite me radhë, propaganda na ka ushqyer me idenë se njerëzit janë dorëzuar, janë apatikë dhe se e vetmja formë revolte që u ka mbetur është braktisja e vendit përmes emigrimit. Sot po vërtetohet se heshtja e mëparshme e qytetarëve nuk ishte mungesë kuraje, bur parashpërfillje dhe mosbesim ndaj forcave ekzistuese politike. Shqiptarët kanë zgjedhur t’i braktisin partitë me heshtje, por nuk kanë braktisur kurajën për t'u ngritur për kauzat civile. Kjo lëvizje tregon qartë se politika zyrtare në Shqipëri nuk mbron kauza civile, por i instrumentalizon dhe i përdor ato si mish për top vetëm në funksion të pushtetit të saj. Kur qytetarët e morën vetë në dorë kauzën, pa ndërmjetës, masa doli në shesh.
Së dyti, merr fund monopoli i Opozitës mbi revoltën. Stereotipi se "protestat masive mund t'i bëjë vetëm Opozita dhe se ata janë të vetmit me masivitetin e të drejtën" vdiq brenda këtyre tre ditëve. Ky ka qenë një nga rregullat e pashkruara të tranzicionit shqiptar, ku çdo pakënaqësi duhej të kalonte patjetër nga zyrat e partisë opozitare për të pasur peshë.
Sot po shohim të kundërtën: opozita zyrtare nuk ka më kurrfarë force, kredibiliteti apo peshe morale për t'i ngritur qytetarët në protestë, dhe për pasojë e bën të panevojshëm rolin e saj politik. E dëshpëruar se nuk krijon dot më frymëzim dhe shpresë, opozita ka vënë në funksion disa elemente të saj – diku në nivel të ashtuquajtur profesional dhe disa të tjerë në nivel militantesk – të cilët janë mërzitur dhe trembur nga thirrjet masive në protestë që drejtohen edhe kundër liderit të tyre, duke e krahasuar atë në të njëjtin nivel med kryeministrin. Për rrjedhojë, disa prej tyre po mundohen me lojën e vjetër e pa peshë, duke u lodhur e duke u përpjekur të gjejnë madje edhe "elemente të Sorosit" mes organizatorëve dhe protestuesve në shesh. Fakti që sheshi u mbush plot pa thirrjen e tyre, pa autobusët e tyre dhe pa strukturat e tyre, është certifikata më e qartë e dështimit të modelit të vjetër.
Kjo lëvizje udhëhiqet nga një rini që nuk ka detyrime ndaj të shkuarës, që nuk ushqehet me premtimet e vendeve të punës në administratë dhe që refuzon të jetë pjesë e llogoreve të vjetra majtas e djathtas. Ata po kërkojnë llogari jo si militantë, por si aksionerë legjitimë të vendit të tyre, duke refuzuar statusin e "të huajit" në shtëpinë e vet. Në fakt, në një akt që i ngjan thuajse një tradhtie kombëtare do të bëjë çdo politikan apo forcë politike që do të tentojë ta fikë këtë protestë për interesa të ngushta pushteti apo për pazare të radhës me karriget.
Kur uji derdhet nga ena që s'mbane më, nuk ka më propagandë, spin-doktorë apo teori konspirative që ta kthejnë mbrapsht. Përpjekja për ta lidhur këtë lëvizje me interesa të huaja, agjenda të fshehta apo fantazma të vjetra politike tregon vetëm frikën e një klase politike që nuk di si të komunikojë me njerëz të lirë. Kjo nuk është një protestë e nxitur nga jashtë; ky është reagimi imunitar i një shoqërie që ka vendosur të mos vdesë në heshtje, por të kthejë Shqipërinë në duart e qytetarëve të saj të ndershëm.
Po ndodh...
ide
Ti vetëm ik!
Një protestë kundër arrogancës së Ramës dhe agonisë së Berishës
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128